Skandali, koncesion prej 65 milionë eurosh për laboratorët

Me një mungesë të theksuar transparence dhe pa asnjë konsultim me publik, qeveria ka projektuar në buxhetin e vitit 2017, koncesionin për “Ofrimin e shërbimeve laboratorike spitalore”. Mbi 65 milionë euro nga fondet publike pritet të jepen për 10 vitet e ardhshme, ndërsa kontraktuesi do të ketë në dispozicion 18 laboratorët shtetërorë që përfshijnë ambientet, pajisjet dhe reagentet.
Në projekt-buxhetin e vitit 2017 shihet qartë se, Ministria e Shëndetësisë i ka shkaktuar një gropë të madhe financiare vendit tonë nga koncesionet e dhëna në 4 vite qeverisje. I fundit në zërin e Shëndetësisë është koncesioni për laboratorët e shërbimit spitalor, ku bëjnë pjesë laboratorët biokimikë, klinikë dhe mikrobiologjikë të të gjitha spitaleve të vendit, me një fond limit 886.300.000 lekë në vit.
Kërkesa për mbështetje financiare për këtë koncesion ose siç e quan ndryshe qeveria Partneritet Publik Privat (PPP) është bërë nga ana Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministria e Mjedisit, ndërsa ka marrë edhe miratimin e Ministrisë së Financave, duke e futur në paketën e projekt-buxhetit të 2017.
Në fund të mandatit të saj qeverisës të 2017, Rama dhe Beqaj pritet të shpërblejnë një nga klientët e tyre, duke grabitur miliarda lekë nga xhepat e shqiptarëve. Arsyetimi i qeverisë, si edhe në rastet e tjera, është se qeveria nuk ka mundësi të investojë në këta laboratorë, prandaj ajo kërkon që “të përmirësojë shërbimet laboratorike nëpërmjet pjesëmarrjes së sektorit privat”.
Vendimi për dhënien me konçesion të laboratorëve është marrë pa bërë asnjë studim fizibiliteti apo vlerësime dhe analiza të tjera. Por për të justifikuar vendimin dhe për t’i dhënë atij një dozë kredibiliteti, qeveria ka pajtuar, në shkurt 2015, përkundrejt pagesës prej 74 mijë dollarë, ekspertizën e IFC-së për asistencë teknike në hartimin e projektit konçesionar dhe përgatitjen e tenderit.
Por burime për Boldnews.al konfirmojnë se vetë specialistët e IFC-së kanë kundërshtuar idenë e Ministrisë së Shëndetësisë për dhënien me koncesion të laboratorëve shtetëror. Në fshehtësi të plotë dhe pa asnjë njoftim është ndërtuar sërish një komision i dytë me bekimin e ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj. Pikërisht ky komision ka dhënë miratimin për privatizimin e laboratorëve, ku me shumë gjasa rrezikojnë edhe vendet e punës së qindra mjekëve.
Nuk kanë munguar edhe zërat kundër në Parlament kundër këtij koncesioni, ku deputeti i LIBRA-s, Ben Blushi, denoncoi i pari këtë aferë të re të qeverisë. “Po përgatitet të jepen me koncesion laboratorët, aty ku bëhen analizat për këta të sëmurët nga ndotja. Fatura, 8 milionë euro në vit, planifikuar në buxhetin e vitit 2017. A mund të jepen laboratorët teknikë shtetërorë një privati?”– theksoi Blushi. Edhe kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Albana Vokshi, është shprehur se ky koncesion nuk ka ardhur në Kuvend për diskutime, ndërsa ngre dyshime se kjo mund jetë afera e radhës për të favorizuar biznesmenët që financojnë kryeministrin Rama.
Koncesioni i laboratorëve ngre një pikëpyetje të madhe mbi një tjetër konçesion të dyshimtë dhe me gjasa klientelist të qeverisë. Në kontratën e konçesionit të shërbimit të kontrollit të përgjithshëm të popullsisë ose i njohur si Check-up, ishte parashikuar që konçesionari duhet të ndërtonte 20 laboratorë biologjikë dhe kimikë. Por deri tani, Check-up i Vilma Nushit ka ndërtuar vetëm tre laboratorë të tillë, madje në vende të papërshtatshme, dhe ka nënkontraktuar laboratorë ekzistues në shkelje të plotë të kushteve të kontratës.
Ministria e Shëndetësisë vazhdon të jetë indiferente ndaj këtij fakti dhe nuk ka marrë asnjë masë shtytëse apo dënuese ndaj konçesionarit për të siguruar ndërtimin e 17 laboratorëve të tjerë. Ndërkohë, qeveria beson që një tjetër privat të investojë. Ndoshta të dy konçesionet mund të bashkohen tek i njëjti koncesionar.

Koncesion i dështuar

Koncesioni i laboratorëve që kërkon të zbatojë qeveria është provuar në disa vende të botës dhe rezultatet e saj kanë qenë negative në shumicën e rasteve.
Në Lesotho, (vend Afrikan në kufi me Botsvaninë) është dhënë ky koncesion për 18 vjet dhe ka kushtuar gjysmën e buxhetit të shëndetësisë. Unioni i Profesionistëve të Shëndetit të Kanadasë shprehet kundër privatizimit të laboratorëve, pasi nga eksperienca e disa spitaleve kanadeze në vitet 1995-1996, kanë dështuar totalisht. (Në Spitalin e Torontos, në Spitalin Suunybrook). Sipas ekspertëve kanadez, ky koncesion dëmton cilësinë e shërbimit në urgjenca dhe ul sigurinë e pacientit.
Përveç kësaj, një laborator privat nuk i përgjigjet dot kërkesave të një strukture publike siç është Spitali “Nënë Tereza” dhe aq më pak emergjencave kombëtare. Nëse falimenton kompania koncesionare që do të privatizojë laboratorët, atëherë qytetarët mund të përballen me një kaos për diagnostikimin e sëmundjeve si kancer, leuçemi e shumë të tjera.
Ndërkohë disa nga organizmat kryesore ndërkombëtare dhe një sërë qeverish perëndimore, përfshi Komisionin Europian, janë shprehur kundër dhënies me konçesion të sistemit të laboratorëve publikë, pasi kjo gjë ka dëshmuar, sepse mbart rreziqe të mëdha për pacientët dhe shëndetin e popullsisë.