PD do të trokasë në çdo derë për hallet e njerëzve

Kryetari i PD Basha u kërkoi të gjithë drejtuesve të PD në rrethe që brenda datës 15 janar të evidentojnë të gjithë të papunët, të varfërit, të goditurit nga përmbytjet dhe nga paligjshmëria e qeverisë. Takimi kishte të bënte me fazën finale të procesit të hapjes, të bashkimit, të përgatitjes së PD dhe të opozitës për të marrë përsipër përgjegjësinë e madhe, barrën e kthimit të shpresës tek Shqipëria, tek shqiptarët, për një Shqipëri që i ofron shanse dhe mundësi të gjithëve.
“Bashkërisht edhe këto javë, këto muaj, kemi qenë pjesë e një faze konsultimi e bashkëbisedimi me njerëzit, me qytetarët, me anëtarët e PD. Ky konsultim ka qenë i vazhdueshëm, por tashmë në këtë fazë përfundimtare, do të na duhet që së bashku me ju, me drejtuesit e PD në rrethe dhe këtu në qendër të marrim vendimet e aksionit tonë politik, të marrim vendimet që presin shqiptarët për alternativën tonë, për programin tonë, për ekipin tonë, për përfaqësimin tonë para shqiptarëve. Jam i bindur se me këtë konsultim që i ka kaluar gjithmonë konturet e partisë tonë politike dhe që ka përfshirë gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi dhe do t’i përfshijë të gjithë ata që duan të jenë pjesë e ndryshimit të vërtetë, ne do të konkludojmë me vendimet e duhura, si përsa i përket aksionit politik, ashtu edhe sa i përket alternativës, programit, ekipit tonë të ri”, tha Basha.
Kryetari i PD u tha drejtuesve të degëve se të gjitha të dhënat do të jenë në funksion të përfundimit të programit social dhe hartimit të buxhetit realist të PD që do të adresojë skatësisht këto nevoja të popullsisë. “Ky popull e paguan energjinë më shumë se çdo popull tjetër në Ballkan. Këto janë vijat tona të kuqe të papranueshme, jo vetëm sot si opozitë, por dhe nesër në qeveri. Propaganda me suksese imagjinare duhet dhe do të marrë fund me fundin e kësaj qeverie. Prandaj, kërkoj që brenda 15 janarit, degët tona, aktivistët tanë, anëtarët tanë, simpatizantët tanë, këshilltarët tanë bashkiakë, deputetët tanë, kryetarët tanë të bashkive, të evidentojnë me saktësi në çdo rreth të Shqipërisë gjendjen reale të papunësisë, jo thjesht si statistikë, por si njerëz me halle e brenga, pra si njerëz me emër dhe mbiemër, njerëz që janë në vështirësi ekonomike që nuk kanë asnjë të ardhur, të gjithë ata që kanë pësuar dëme nga fatkeqësitë natyrore, nga përmbytjet, që u janë sëmurur bagëtitë, atyre që u janë prishur pa të drejtë banesat. Këto të dhëna do të vihen në funksion të përfundimit të programit social dhe hartimit të buxhetit realist të Partisë Demokratike, që do të adresojë saktësisht këto nevoja. Alternativa jonë do të jetë një alternativë realiste siç i takon çdo vendi demokratik dhe jo përralla, as fjalë në hava, por plane të mbështetura tërësisht në nevojat e qytetarëve dhe në mundësitë që kemi për t’i përballuar prej ditës tonë të parë në qeverisje. Ky është misioni i një qeverie. Kemi të saktë problematikën ekonomike dhe sociale në çdo zonë të vendit. Nuk mund të lejojmë më dhe nuk do të lejojmë, që në kufijtë e mbijetesës, shqiptarëve t’u ofrohet përsëri gënjeshtra e 20 mijë lekëshit apo e thesit me miell në prag të zgjedhjeve”, tha Basha.
Kreu i opozitës ka qenë i qartë në objektin e PD në qeveri. Do të garantohet bukë, ujë dhe energji për të gjithë. “Do t’i garantojmë përmes këtij procesi transparent të vërtetë dhe konkret, që nesër qeveria jonë, qeveria ime do të mundësojë që çdo familje shqiptare të ketë bukë, ujë dhe drita. I kemi dhënë zgjidhje kësaj në platformën tonë. Kemi diskutuar bashkërisht me qytetarët, duke marrë përsipër në buxhetin e shtetit pagesën e plotë për familjet në nevojë ekonomike deri në 200 kilovat, edhe faturën e ujit për të gjithë familjet në nevojë, për të gjithë familjet e varfëra”, tha Basha.

Rama ka braktisur popullin

Kryetari i PD tha se, Rama tashmë është një skllav i egos së tij për pasurim, ndërsa ka braktisur popullin. “Tashmë Edi Rama e ka braktisur krejtësisht popullin e tij, vendin dhe të vërtetën. Ka braktisur të vërtetën. Tani, ai është një skllav i egos së tij, i etjes së tij për luks, për pushtet, për para dhe për famë personale në kurriz të popullit më të varfër të Europës dhe kjo e ka çuar tek një grusht klientësh dhe tek krimi. Ndaj ne do të bëjmë detyrën tonë të shenjtë. Jo thjesht atë që nuk po bën Edi Rama dhe qeveria e tij, por atë që është detyra jonë ekzistenciale, arsyeja përse ekzistojmë si parti politike, përse jemi mbledhur këtu në këtë sallë. Përse kemi marrë përsipër përgjegjësitë me të cilat na kanë investuar demokratët, ajo detyrë është: të mendojmë për njerëzit, t’u gjendemi gjithmonë pranë e në veçanti atyre që janë në nevojë. Braktisjen totale nga Edi Rama, të realitetit, të të vërtetave, ne duhet t’u përgjigjemi me solidaritet, me ndihmë për qytetarët dhe me një raport të pastër me të vërtetën e qytetarëve. E kemi bërë këto tri vite, mund, duhet dhe kam bindjen se do ta bëjmë edhe më mirë, të vërtetën e qytetarëve”, tha Basha.

400 mijë lopë drejt ngordhjes nuk jepen 1 milion USD vaksina

Kryetari i opozitës ka prekur në takim problemin që kanë fermerët me lopët e sëmura. Ai ka evidentuar se janë 400 mijë lopë të prekura nga dermatoza dhe po shkojnë drejt ngordhjes, sepse Rama nuk jep një fond 1 milion dollarësh për vaksinimin e tyre, sepse paratë janë për luksin e tij dhe të ministrave. “Është e papranueshme, e theksoj: është kriminale dhe do ta trajtojmë si kriminale në aspektin kriminal dhe në aspektin financiar që miliona dollarë, 100 milionë dollarë vetëm këtë vit, kanë shkuar për makina, për luks, për palma, ndërkohë që njerëzit janë pa bukë, pa ujë dhe në errësirë. Kjo në qeverisjen time, kjo në qeverisjen tuaj, do të marrë fund.
Në mënyrë konkrete i bëj sot thirrje qeverisë të kryejë menjëherë vaksinimin e plotë të të gjithë lopëve të prekura nga dermatoza nodulare. Janë 400 mijë lopë në gjithë vendin. Qeveria duhet të akordojë mjaftueshëm para për të blerë vaksinat për çdo lopë. Kushtojnë më pak se sa ryshfeti shtesë që i jep një nënkontraktori për të ndërtuar shtabin e ri të hajdutërisë të OSHEE-së. Kushtojnë më pak se 1 milion dollarë. Nuk i gjejnë 1 milion dollarë për bagëtitë e fermerëve, sepse ato para i përdorin për çartera. Ashtu si nuk gjen dot 8 milionë lekë për të riparuar aksin nacional në Bërzhitë për 1 vit, sepse 10 milionë lekë merr çarteri për në Hamburg. Po kështu, me këtë kërkesë dua të siguroj të gjithë fermerët se si kryeministri i vendit në krye të qeverisë së ardhshme do të ofrojmë ndihmë të plotë për vaksinimin e të gjitha bagëtive dhe do të kompensojmë me vlerë financiare të gjithë bagëtitë e humbura si rezultat i kësaj sëmundje dhe neglizhencës qeveritare. Puna që na pret është e jashtëzakonshme.
Ky është një udhëtim për të gjithë shqiptarët, drejt një Shqipërie që ofron mundësi për të gjithë ata. Larg një Shqipërie ku një pakicë ka në dorë politikën, ekonominë dhe gjithë resurset e vendit. Kjo do të jetë një betejë e vështirë, sepse sfidat janë të larta, por në anën tonë janë interesi publik, e mira e përbashkët dhe dëshira e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për ndryshim.
Bashkë me ta le të bëhemi shpresa për këtë ndryshim, bashkë me ta le të bëhemi ky ndryshim tek i cili mund dhe do të besojnë gjithë shqiptarët. Dhe jo një ndryshim vetëm për një grusht pushtetarësh brenda partive politike. Dhe për këtë, na duhet një hapje e vërtetë, një bashkim i fuqishëm, një vendosmëri për të përfaqësuar në çdo nivel, jo thjesht e vetëm interesat tona si parti, por interesat e çdo shqiptari”, tha Basha.