Europa po i bie këmbanave të alarmit

Lulzim BASHA

Lajmet e këtyre ditëve nuk janë lajme të mira. Realiteti ynë i drogës, i krimit, i korrupsionit tashmë, jo vetëm është kuptuar, por po theksohet nga e gjithë Evropa.
Mediat dhe politikanët e Evropës po flasin hapur dhe pa dorashka. Ky realitet që shqiptarët e përjetojnë përditë në kurrizin e tyre, në shtëpitë dhe familjet e tyre, tashmë po vë në rrezik integrimin europian të vendit. E shohim, e prekim, janë fakte që i di unë, i dini ju, i dinë demokratët, i dinë opozitarët, i dinë të gjithë, i di e gjithë Shqipëria, të gjithë i kuptojnë. Ka vetëm një njeri në botë që nuk e sheh këtë realitet dhe i fshihet me vetëmohim. Ky person fatkeqësisht është kryeministri aktual i vendit. Në vend që të reflektojë për gjendjen ku është zhytur Shqipëria, në vend që të reflektojë për mesazhet e forta që nuk kanë nevojë për ndërmjetës, ai ka zgjedhur të fshehë realitetin dhe të vazhdojë avazin e tij të propagandës së shfrenuar, trushpëlarjes dhe keqinformimit të qytetarëve shqiptarë me regji qendrore.
Droga po mbyt Shqipërinë. Edi Rama thotë, fajin e ka opozita. Krimi ka shtënë në dorë shtetin, ekonominë, ky thotë fajin e ka opozita. Klientët e tij po plaçkisin çdo pasuri të vendit ku me të ashtuquajturat koncesione që në fakt janë monopole qeveritare, ku me tendera korruptivë, ku me grabitje ashiqare të njerëzve të lidhur me të dhe me pushtetin e tij, Shqipëria po zbrazet, njerëzit po ikin, ky thotë: fajin e ka opozita. Bota dhe Europa në veçanti po i bie këmbanave të alarmit, për drogën, për krimin, për korrupsionin, për gjendjen e vendit dhe përgjigjja e tij është: fajin e ka opozita. E di që nuk kanë mbetur shumë njerëz që shpresojnë se Edi Rama mund të ndryshojë, por nëse ka mbetur ndokush për fat të keq do të zhgënjehet.
Sot dhe tash tri vite në Shqipëri janë përjetuar dy botë, bota-realiteti, ku jetojnë shqiptarët dhe bota ku jeton Edi Rama. Kjo e fundit është bota e luksit, është bota e avionëve privatë, e çarterave, është bota e ekspozitave të kushtueshme në kryeqendrat e botës, është bota e qejfit, e udhëtimeve. Është bota e indiferencës totale ndaj realitetit ku jeton pjesa tjetër e shqiptarëve. Sepse, shqiptarët jetojnë në një botë të varfërisë që shtohet, të papunësisë që shtohet, të krimit, të drogës, të fëmijëve në shkolla në gjendje të mjerueshme, të fëmijëve pa shkollë, të shëndetësisë në ditën e vet më të zezë, të njerëzve të dëshpëruar e të shtyrë deri në aktet më tragjike si lajmi i tmerrshëm që morëm sot nga Fllaka e Durrësit dhe gjithë ky realitet ka përballë një njeri, Edi Ramën, i cili ka humbur vullnetin, dëshirën dhe mundësinë për ta parë këtë botë. Në zyrë e keni parë, i ka veshur muret me skicat e vizatimeve të tij, krenohet me skicat e vizatimeve të tij në vend që të kishte në zyrën e tij hallet e panumërta të shqiptarëve dhe skicat e projekteve për të zgjidhur këto probleme. Edhe kur i duhet të dalë nga zyra, çfarë bën? Merr me vete botën e tij të izoluar të luksit. E keni parë besoj sa herë që vjen me regji qendrore dhe bën të ashtuquajtura takime me qytetarët edhe në fshatrat më të thellë e më të varfëra të Shqipërisë, merr gjithmonë me vete karriget e rehatshme të Tiranës. Edhe sot në Peqin, nuk besoj se ishin karriget e Peqinit ato ku ishin ulur fermerët, jo, jo, janë karriget e luksit. Merr me vete botën e tij të luksit e transporton për pak minuta me regji qendrore dhe kur përballet me hallet e njerëzve siç u përball sot në Peqin, me atë zonjën që ishte studente ekselence dhe që e ka të pamundur të gjejë vend pune si infermiere, çfarë bën: i trajton hallet si gënjeshtra, si ankesa dembelësh, i trajton hallet si sajesa sharlatanësh apo i stigmatizon si njerëz që janë aty jo për hallet e tyre, por për hallet e opozitës. Apo i stigmatizon si njerëz, të cilët janë aty jo për hallin e tyre, por për hallin e opozitës. Sepse, në botën e tij, fajin gjithmonë e ka dikush tjetër. Fajin nuk e ka kurrë as qeverisja, as kryeministri. Një ditë fajin e ka populli, pothuajse çdo ditë në fakt, ditën tjetër fajin e kanë mediat, çdo ditë fajin e ka opozita sepse për të, opozita është armiku kryesor. Është armiku më i madh, siç e ka thënë, më i madh se krimi, droga apo korrupsioni.
Nga ana tjetër, kjo gjendje e vërtetë ekonomike, kjo gjendje e vërtetë shoqërore psikologjike, ky depresion, duhet të reflektohet në hartimin e një buxheti realist që ka në themel nevojat e njerëzve. Për këtë arsye, kërkoj nga ju, nga drejtuesit tuaj kudo ku ndodhen, të ndërmarrin një proces verifikimi, evidentimi, regjistrimi konkret të të papunëve, të të pastrehëve, familjeve pa të ardhura apo me të ardhura minimale, pra njerëzve në vështirësi ekonomike, të njerëzve të goditur nga fatkeqësitë natyrore, nga përmbytjet, nga sëmundjet siç është dermatoza nodulare, që po bën kërdinë në zonat rurale, nga prishjet e paligjshme të objekteve për të mundësuar, jo këtë buxhet që ka sjellë ky, se ky do të jetë buxheti më jetëshkurtër në historinë e Shqipërisë, por që buxheti ynë t’i përgjigjet realisht këtyre nevojave, sepse buxheti ynë, buxheti im, buxheti i Partisë Demokratike, nuk do të shkojë për kolltuqe, për palma, për fasada, por do të shkojë në radhë të parë dhe mbi të gjitha, për njerëzit në nevojë që sot përbëjnë për fat të keq shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë. Nuk mund të lejojmë dhe nuk do të lejojmë qindra miliona euro për fasada, ndërkohë që familjet në nevojë ekonomike nuk marrin ndihmën ekonomike. Ata që e marrin, e lënë po atë ditë për faturat e energjisë, për faturat e ujit, për gjobat, për penalitetet, për kamatëvonesat. Me qeverinë tonë, qëllimi i parë dhe kryesor është që asnjë familje nuk do të mbetet pa bukë, pa ujë dhe pa drita. Ç’më duhet mua si kryeministër 600 mijë lekë palma, kur ka njerëz që nuk kanë bukë të ushqejnë fëmijët në darkë? Çfarë kryeministri do të isha nëse do të pranoja shpenzimin e 140 milionë eurove në një vit për 11 klientët e mi, kur me këto para mund të kisha hapur 55 mijë vende pune. 55 mijë vende pune! Kjo krizë ekonomike dhe sociale që vendi po kalon, fakti që sot mijëra familje diskutojnë bukën e fëmijëve, pamundësia për të paguar çmimin e rritur në energjisë, e cila sipas EUROSTAT është më e larta në rajon, ky realitet nuk futet, nuk depërton dot, në zyrën me vizatime të Edi Ramës.