Credins blen 54 troje të ARMO-s për 25 milionë USD

Banka Credins ka blerë për 3.1 miliardë lekë ose 25 milionë dollarë 54 pasuri në formën e trojeve të shoqërisë së përpunimit të naftës, ARMO. Njoftimin e ka bërë  Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve.
Ankandi është zhvilluar më datën 28 tetor dhe ofertues i vetëm në ankand ka qenë Banka Credins, thuhet në njoftimin e përmbaruesve.
Në total Banka Credins ka blerë 54 sipërfaqe trualli në zonën e Fierit dhe Vlorës ku dominojnë objektet e ARMO-s.
Në këto troje janë të vendosura edhe objekte që ishin në shërbim të gjigantit të përpunimit të naftës, i cili aktualisht është përfshirë në një valë sekuestrosh për shkak se ka akumuluar borxhet afërsisht 600 milionë euro ndaj shtetit, bankave dhe subjekteve private.
Marrëdhënia e ARMO-s me Bankën Credins ka një histori të komplikuar qysh kur kompania u privatizua nga Anika enterprises & Mercury energy gropua më 2013.
Por pas historisë voluminoze me borxhe dhe sekuestro, nga shtatori i këtij viti, Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A (IRTC) ka marrë në shfrytëzim ARMO-n, që prej muajsh kishte ndërprerë prodhimin dhe kishte lënë punonjësit pa paga. Kompania nënshkroi dhe një marrëveshje me prodhuesin e naftës Bankers Petroleum, që do të shesë deri në 65% të prodhimit të naftës bruto tek IRTC.
Që pas këtij lajmi, kreditorët kanë vërshuar të kërkojnë detyrimet e tyre përmes përmbarimit. Bankat kanë riaktivizuar urdhrat e sekuestros, ndërsa dhe prodhuesi shtetëror i naftës Albpetrol ka vënë në sekuestro rreth 25 objekte për një detyrim që arrin në rreth 50 milionë euro.
Rafineria ARMO është një nga kompanitë më problematike në Shqipëri, teksa është kreditori më i madh i vetëm i keq në banka dhe ka një mal me detyrime ndaj shtetit dhe të tretëve.
Në fund të tremujorit të parë të 2016-s, detyrimet e kompanisë ARMO në total kanë arritur në 595 milionë dollarë sipas burimeve në Ministrinë e Energjetikës. Të njëjtat burime bëjnë me dije se, nga totali i detyrimeve afërsisht 300 milionë dollarë janë kredi bankare dhe pjesa tjetër e borxheve ndahet ndërmjet Albpetrolit, tatim taksave, të tretëve dhe punonjësve, ku vetëm shtetit i ka të paktën 100 milionë euro.
Ajsbergu i borxheve që ndërmarrja e përpunimit të naftës ARMO ka ndaj kreditorëve së fundmi duket është shndërruar në një mollë sherri se kush duhet të përfitojë i pari nga detyrimet, në rast të shitjes së plotë apo të pjesshme të kompanisë.
Mirëpo neni 605 i Kodit të Procedurës Civile përcakton që detyrimet ndaj shtetit kanë përparësi ndaj detyrimeve ndaj bankave. Kështu nëse do të ketë shitje të aseteve, të ardhurat do të shkojnë për shlyerjen e borxhit tatimor që sipas të dhënave nga tatimet aktualisht është 23 miliardë lekë.
Pas tatimeve, në radhë për shlyerje janë detyrimet ndaj Albpetrol-it, i cili është 100% në pronësi të shtetit. Kështu sipas ligjit, çdo e ardhur që sigurohet nga përmbaruesit privatë për llogari të bankës në fakt shkon për shlyerjen e detyrimeve të punonjësve dhe detyrimeve tatimore.
Edhe bankat e kanë filluar procesin për shitjen në ankand, por tani i gjithë procesi vihet në dyshim, për shkak të përparësisë së shtetit në radhë për të vjelë detyrimet.