50 milionë metra kub mbetje toksike për helmimin e Korçës

Ish-Kryeministri Berisha e ka konsideruar dje në Parlament një skandal të përmasave të mëdha dhënien e lejes nga qeveria për ndërtimin e TEC-it, i cili do të helmojë zonën e Korçës. “A e dini të dashur qytetarë se, sot duhet të ishte në Kuvend, ligji për katastrofën e Korçës, Pogradecit dhe Kolonjës, ligj që do të shndërronte zonën më të pasur të Shqipërisë, në pellgun më të ndotur të Ballkanit dhe Evropës?! Ligji që i jepte jetë një projekti, të cilin nuk guxoi asnjë qeveri që nga viti 1992 deri sot, t’i japë jetë, i ndërtimit të një megaTEC-i me torfën e kënetës së Maliqit, e cila në sipërfaqen që do të jepej për këtë qëllim për 157 milionë metër kub, e cila, sipas ekspertëve më të shquar të fushës, për shkak të koeficientit të ulët energjetik do të prodhonte 50 milionë metër kub hi pleh me të gjitha mbetjet toksike.
Ky është peshqeshi që Peleshi i bën Korçës me kryemafiozin, me don Edvinin. Po ka mendje të sëmurë që mund t’i lejojë vetes një vendim të tillë?”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri u shpreh se çdo gjë është ndërmarrë në një feshtësi të plotë. “Dhe e bën këtë në sekretin më të plotë, duke thyer çdo ligj të vendit, duke mos patur asnjë autorizim tjetër përveç xhepit të Lefterit, që majmet me ryshfetet që merr nga kriminelët e mjedisit dhe të Peleshit me shokë.
A ka mundësi o socialistë t’ju pyes, si ka mundësi që nuk pyetet asnjë qytetar i Korçës? Ku e keni ligjin e kalimit nga fondi bujqësor në fond të përdorimit për TEC të 288 hektarëve tokë në Maliq? A keni ndjenja njerëzore a jo, o të babëzitur që mendoni vetëm për xhepat tuaj? Si mund të veproni prapa shpinës o të neveritur?! Këtë as diktatori nuk e bënte. A doni t’ju jap dokumente të plota?! Ju jeni të mbërthyer kokë e këmbë nga mafia e plehrave! Ju jeni mafia e plehrave! Në fakt, kufi për të vjedhur këtë vend ju nuk njihni”, tha Berisha.

Replika e Berishës me Peleshin

Duhet të jeni i decelebruar që të dilni këtu dhe të thoni që fantazuat dhe pastaj të mbeteni me dy këmbë brenda. Nuk jam unë që sajoj një gjë të tillë. Është projekti që ju keni dërguar në Parlament, është projekti që sot duhet të ishte këtu, por nuk ja u mban. Meqë i lejove vetes të përdorësh një gjë të denjë vetëm për veten, po nuk jam unë që të të jap ty edukatën elementare, do të të bëj një pyetje. Nuk kam dyshim që ti do Korçën, por ti do më shumë xhepin tënd. Ju të gjithë doni zonat që ju kanë votuar, por problemi është që doni të mbushni xhepat në zonat që ju kanë votuar. Po si ka mundësi që pas 7 muajsh nuk bën një konsultë publike me qytetarët e Korçës, por detyrohet opozita që të shkojë ta bëjë? A e di ti që ai projekt ka 20 vite dhe nuk e pa dot kurrë derën e Parlamentit? Dhe kur? Në kohërat tona më të vështira, kur vërtet vuanim për ngrohje në shkallë ekstreme. Por nuk na shkoi mendja kurrë të tymosim Korçën dhe Pogradecin. Dhe ai projekt është me 500 mijë megavat, pra ai futet në termocentralet e mëdha. Po si ka mundësi që një projekt që është refuzuar nga çdo qeveri, e majtë dhe e djathtë, për 22 vite me radhë vjen këtu në Parlament? Po çfarë është kjo? Ky është një akt megakorruptiv. Prandaj nuk shkoni dot tek zgjedhësit ju.
Zgjedhësit s’duan t’ju shohin bojën ju, se i mashtroni.

Reforma në Drejtësi

Fole për Reformën e Drejtësisë. Meritë historike e kësaj opozite është Reforma e Drejtësisë. Ju menduat se me larje e lyerje do i kaloni këto punë. Me larje e lyerje nuk kalohen.
Juve jua kanë hequr maskën dhe këtu do të jeni, mbaheni mend, çdo ditë e më shumë do të dini se kush jeni. Menduat se mashtruat Europën, por nuk ka më të marrë se ata që mendojnë se mund të mashtrojnë Europën. Europa është zemra e qytetërimit perëndimor. Mendoni se do të fusni drogën në thes, se do të fusni aferat me Shullazin dhe njerëzit e krimit në thes. Po ushqeheni me mashtrime e suksese të rreme. Zonja kushërirë (Harito), nëse lexon me vëmendje raportin do të krijohet mundësia ta shohësh të zbërthyer raportin, por ti s’di ta lexosh atë. S’është faji i raportit, faji është se nuk dini ta lexoni. Rrini diskutoni u hapën apo nuk u hapën negociatat. Sigurisht që do të hapen, por në kushte të plota, të cilat nuk janë plotësuar. Ndaj hajdeni të plotësojmë kushtet, lërini sukseset imagjinare, lëreni këtë koprolali dhe llogore të neveritshme dhe të ulemi e të bëhemi seriozë.
Pse e telefonoi bota Bashën më 21 korrik? S’ka ndodhur kurrë që lideri i opozitës të marrë telefonata në një ditë e të Europës dhe botës. Pse i mori? I mori se shpëtoi reformën nga kthetrat tuaja. I mori jo se e votoi, por se e shpëtoi reformën nga kthetrat tuaja. Ju doni Vetting me Shullazin, me Alket statutin. Po pse Vetting është ky? O shakaxhinj. Vettingun e kemi kërkuar ne jo ju, por s’kemi kërkuar Vetting për të bërë gjahun e shtrigave siç doni ta bëni ju.
Pra, hajdeni të bëjmë Reformën e Drejtësisë, hajdeni ta vazhdojmë, por jo për ta kapur. Sillni këtu ligjin për Ushtrinë, duke mashtruar. A mund të ndodhë në një vend të lirë demokratik që shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Trafiku, i dekretuar me Kushtetutë nga Presidenti i Republikës, komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, të mos pranojë t’i dërgojë në tri vite një informacion të vetëm komandantit. Ju jeni racë e veçantë, racë e neveritshme.
Njeriu që e shndërroi Shqipërinë në aerodrome ilegale, njeriu që vuri në dispozicion instalimet ushtarake për drogën, qendrën e kontrollit të detit.
Zotërinj deputetë (i drejtohet Dogjanit), personave që heqin fytyrën dhe përdoren si leckë nga kryekumbara mos u kushtoni asnjë vëmendje. Me kaq unë e mbyll fjalën time, urdhëro zotëri, nuk të dëgjon njeri Shals.

Zhduken 40 mijë ton naftë

Ish-Kryeministri ka denoncuar aferën tjetër të naftës mes Ramës dhe ortakut të tij Besnik Sula. Bëhet fjalë për 40 mijë ton naftë që rezultojnë të zhdukur, ndërsa ka kujtuar edhe thyerjen e moratoriumit të prerjes së pyjeve në zonën e Librazhit, ku për çdo ditë priten me dhjetëra hektarë pyje.
“Një nga kriteret më themelore sot të BE është mbrojtja e mjedisit, sepse mjedisi është jeta. A dëgjoni ndonjëherë të flasin për mjedisin? A nuk e bënë këta moratoriumin e drurëve, e prerjes së drurit? Shkoni në rrugën në Librazhd. Çdo 10 min kalon një makinë me trungje. Për të gjitha taksën e merr Edi Rama me çakallin e tij të pafytyrë, me çakallin që e përdor si leckë për këpucët. A dëgjuat ju për moratoriumin për gjahun? Ja u kanë dyllosur çiftet gjahtarëve të ndershëm që prej vitesh e dekadash jetonin me gjahun. Dhe kanë dyfishuar çiftet e nomenklaturës së tyre të kalbur socialiste, që vjedh nga mëngjesi në darkë, plaçkit edhe copëza toke, ku mundet e ku s’mundet. Do që të prishë në Himarë shtëpi mbi 300-vjeçare dhe nuk prish pallatet e Koços, që janë dy monstra, dy përbindësh që i kanë zënë detin Himarës, sepse është aksioner. Del dhe flet këtu për naftën, ndërkohë që mafia e naftës bën ligjin në Shqipëri, që kur e mori me Besnik Sulën. A e dini ju që janë zhdukur mbi 40 mijë tonë naftë dhe ky zotëria jep porosi që të mos flitet për këtë? Këta mashtrues ordinerë që përdorin këtë platformë për të lëshuar gënjeshtra dhe mashtrime për qytetarët të pafajshëm shqiptarë. Dalin e flasin se mblodhën të ardhurat. Çfarë mblodhët? Duke rritur taksat 50%, kanë mbledhur në 4 vite, 4 herë më pak nga ç’kemi mbledhur ne me uljen e taksave mbi 50%. Dallimi është i madh shumë. Se ato para që u mblodhën me ulje taksash shkuan jo vetëm në buxhet, por edhe biznesit i vilet shumë më tepër, kurse këta vjedhin e vjedhin çdo gjë, natën, ditën, në çdo tender e gjithçka tjetër”, tha Berisha.

Lidhjet e Ramës me kompaninë serbe

Linja e Interkonjeksionit mes Tiranës dhe Prishtinës është bllokuar nga një komani serbe në lidhje direkte me Ramën. Ky është denoncimi i bërë dje në Parlament nga Berisha.
“A e dini që ERE ka anuluar me urdhër tenderin e kumbarit Rama me kompaninë serbe? Kurse Rama urdhëron veglën e tij dhe i jep një llokmë të madhe pa tender dhe pasi ia jep asaj, bën me 1/3-ën e sasisë një tender me 5 kompani të tjera. A i pagoi kjo kompani ekspozitën në Beograd apo e bleu me dhurata të tjera? Një gjë është e sigurtë, se ajo është famoze në korrupsion. Dhe druaj se kjo është kompania nr. 1 që bllokon linjën Tiranë-Prishtinë dhe këtu Edi Rama është në tavë me këtë kompani. Kur Enti Rregullator i Energjisë urdhëron anulimin si të paligjshëm të tenderit, s’ishte tender, por dhënie gratis dhe këta vazhdojnë si pa të keq, sigurisht që këtu Rama është skllav i kompanisë serbe, e njohur kjo për korrupsion të politikanëve në Serbi dhe vende të tjera”.
Berisha ka paraljamëruar se rrëzimi i qeverisë do të jetë i shpejtë dhe se ditët e saj janë të numëruara.
“Më thatë se pse i quaj kumbarë dhe ndrikulla. Po çfarë mund t’i quaj ndryshe unë këta që shesin çdo interes për xhepat e tyre. A mund të veprohet siç veprojnë këta njerëz? Një njeri që del dhe bërtet e mashtron nga mëngjesi deri në darkë për suksese imagjinare në një kohë kur të gjitha janë dështime të plota. Çdo gënjeshtër e juaja, një nga një po del në dritën e diellit. Të jeni të sigurtë që i keni kohërat shumë të numëruara, keni marrë fund!”, tha Berisha.

Bushati, i kapur në bordello burrash

Ish-Kryeministri ka akuzuar direkt Ramën si birin e skulptorit kriminel, i cili ka duart e lyera me gjakun e shqiptarëve të pafajshëm, ndërsa ka denoncuar skandalin e ministrit të Jashtëm Bushati të kapur në bordello burrash.
“Lidhur me problemin e fundit, i them Edi Ramës të mos shërbehet me njerëz, të cilët i depersonalizon, i shpërfytyron, i degjeneron dhe degradon në shkallën më ekstreme në radhë të parë para vetes së tyre, para familjarëve më të afërt të tyre, para miqve e kolegëve, para zgjedhësve të Shqipërisë. Shërbeu sa të duash, por ata janë simboli i fytyrës tënde. Unë nuk them se janë të pafajshëm, jo nuk janë. Ata janë skllevër të rekrutuar. Por e vërteta është se faqja e zezë të mbetet ty, kur i detyron ata mjeranë të shpërfytyrohen dhe të gënjejnë në mënyrë të përsëritur para kamerave. E çon ministrin e Jashtëm në Brazil dhe shtypi i botës thotë se shkoi në bordello burrash dhe nuk e përgënjeshtron dhe nuk e hedh në gjyq…. Po ju s’keni as dinjitet individual dhe asgjë tjetër. Po për cilin ministër është thënë kjo? Ja u tha opozita këtë? Ja u tha bota more, e keni shkrimin që është qarkulluar në çdo kancelari të botës kudo që shkon. Nuk e shkruan dot opozita një shkrim të tillë. Absolutisht ja kanë shkruajtur ata që e kanë fotografuar, ata që e kanë faktuar. Po pse nuk del ta hedhë në gjyq autorin ky (Bushati)? Apo ja nxjerr fotot dhe videon pastaj? Çdo njeri, kudo që të ndodhë ka të drejtë të hapë gjyqe. Edhe Brazili ka një sistem gjyqësor të jashtëzakonshëm. Kanë kryqëzuar presidentin ata”, tha Berisha.
Për Berishën, Rama i ka pushkatuar për së dytë martirët e kombit, duke i kujtuar një zhgarravinë të postuar në rrjetet sociale prej tij. “Me një shkarravinë që ke shpërndarë, duke u vendosur yllin në ballë martirëve të kombit, i ke pushkatuar për së dyti ata. Turp i madh! Tregove që je besnik i xhelatëve të tyre, sepse ata vërtet ranë në luftë me nazistët, por për së dyti ata, idealin e tyre e ekzekutoi Enver Hoxha. Ti që e ke quajtur gjakun e tyre si gjak të rremë në themel të kolltuqeve, në faqen 7 të “Refleksione”-ve të tua, ti tani në vend të një ndjese publike, se ai është gjak i shenjtë jo gjak i rremë, ai që bie për atdhe atij i shenjtërohet gjaku. Yllin e kuq nuk ja u dha nëna dhe babai vet. Yllin e kuq ja u dha Enver Hoxha, kryekrimineli i të gjithë historisë kombëtare të shqiptarëve. Dhe ti ja u rivendos yllin e kuq pas 25 vitesh që e kemi hequr. Ti, atyre që ja u quan gjakun e rremë, tani na del në emër të babait tënd, skulptorit kriminel Kristaq Rama dhe kryexhelatit Enver Hoxha, gjete këto ditë t’ja u rikthesh yllin në ballë.  Ata kanë përjetësinë kurse ylli ka shkuar në koshin e plehrave të historisë së bashku me ata, të cilët e sollën në Shqipëri”, tha Berisha.