Zgjedhjet në Kolonjë, 25 euro një votë për kandidatin e majtë

Zgjedhjet në Kolonjë janë zhvilluar nën presion nga strukturat shtetërore. Kreu i Grupit parlamentar të PD, Edi Paloka u shpreh të dielën se, në zona si Kolonja, Erseka dhe Leskoviku, ku kriminaliteti është në nivelet më të ulta, është bërë presion me polici. Paloka tha se, është e njëjta skemë si ajo në Dibër.
Partia Agrare Ambientaliste ka denoncuar faktin se, eksponentë të mazhorancës të armatosur kanë terrorizuar qytetarët e Leskovikut për të votuar kandidatin e majtë. Sipas PAA, drejtori i TVSH, Thoma Gëllçi prej disa ditësh ndodhet në zonën e Kolonjës duke bërë propagandë për kandidatin e Partisë Socialiste.
Edhe anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, Ledina Alolli ka denoncuar raste të blerjes së votës në Kolonjë. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ajo tha se disa qendra votimi janë “nën presionin e makinerisë shtetërore”. Teksa thotë se po manipulohen votat e qytetarëve, ajo thotë se përfaqësuesit e opozitës janë në terren për të mbledhur çdo provë e denoncim nga qytetarët.
“Blerje masive votash në Kolonjë. Çlirimi, Starja, Barmashi nën presionin e makinerisë shtetërore. Duan të zbatojnë skenarin e radhës.., presionin dhe blerjen, për t’u marrë votën kolonjarëve. Mesa po shihet e kuptohet në dritën e diellit, qeverinë dhe mazhorancën e përfaqësuar nga mëkëmbësi Peleshi e kanë zënë ethet e makthit për një fitore të grabitur. Këtë pushtet vota e lirë e fut në kompleks të thellë dhe në hall të madh.
Makineria qeveritare e korrupsionit po kap zgjedhjet, duke cenuar rëndë standardet e një procesi që duhej të ishte i lirë dhe i ndershëm. Demokratët dhe strukturat e koalicionit opozitar në terren po mbledhin çdo provë e denoncim për t’i çjerrë maskën manipulimit të radhës me votat e shqiptarëve. Me këtë qeveri e kryeministër nuk ka zgjedhje të lira e demokratike”, shkruan Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD.
Një tjetër denoncim u bë të dielën nga ana e përfaqësuesve të opozitës në Kolonjë për blerje votash. Madje, kësaj radhe denoncimi është bërë me zë e figurë. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, një qytetare thotë se, i kanë ofruar 25 euro që të votojë për kandidatin e majtë. Në video përmendet dhe emri i zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, duke thënë se paratë janë ofruar prej tij. Raste të kësaj natyre janë denoncuar edhe nga zgjedhës të tjerë në rrjetet sociale. Sipas tyre, persona të panjohur ndodheshin disa metra larg qendrave të votimit dhe shpërndanin zarfe me lekë në këmbim të votës për kandidatin e majtë.
Ndërkohë, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka reaguar dje në mbrëmje lidhur me zgjedhjet në Kolonjë, ku sipas tij zgjedhjet u zhvilluan në terror dhe votat u manipuluan. Ai thotë më tej se, fushata u zhvillua nën një klimë presioni, me pjesëmarrje të administratës shtetëtore, stafit të kryeministrit, ministrave etj.
“Më konkretisht, i gjithë stafi i zëvendëskryeministrit me atë në krye, u ul këmbëkryq në Kolonjë për më shumē se një muaj, duke braktisur punët dhe zyrat për të cilat paguhen nga tatimpaguesit, pa futur këtu armatën e drejtorave, nëpunësve etj. Ministrat me në krye, ministrin e Brendshëm u zhvendosën në këtë zonë të varfër të Juglindjes bastion i PS, thuaj se Kolonja ishte përplasja Klinton-Trump, dhe si për t’i vënë qershinë mbi tortë, vetë Kryeministri la të gjitha hallet e popullit të Shqipërisë për të ardhur në Kolonjë ku tha, t’i japim fund 25 vjet keqqeverisje, megjithëse në 3-vjeçarin e fundit ka qenë vetë ai në krye të shtetit”, shprehet Duka.