Serzh Orie mungon ndaj Arsenalit

Futbollisti i PSG, Serzh Orie, nuk lejohet të hyjë në Britaninë e Madhe dhe si rrjedhojë do të humbasë ndeshjen e Ligës së Kampioneve ndaj Arsenalit. Ylli i Bregut të Fildishtë pritej të udhëtonte sot drejt Londrës bashkë me pjesën tjetër të skuadrës, për duelin e të mërkurës në “Emirates Stadium”.
Megjithatë, autoritet policore i kanë refuzuar atij hyrjen në vend, për shkak të një dënimi që Orie ka marrë vitin e kaluar, pasi sulmoi një polic. 23-vjeçari aktualisht po e apelon vendimin, por për policinë angleze, ai nuk mund të hyjë në vend derisa të ketë sqaruar plotësisht situatën e tij.
Ai u dënua me dy muaj burg, pasi goditi me bërryl një polic në një klub nate në Paris dhe autoritetet e emigracionit në Angli mendojnë se kjo u jep atyre të drejtën që t’i bllokojnë hyrjen.
Klubi i PSG-së reagoi i indinjuar ndaj këtij vendimi, i cili sipas tyre kishte ardhur shumë vonë. “PSG ndjen keqardhje që prezumimi i pafajësisë nuk ka influencuar vendimin e Britanisë. Edhe UEFA i dha mbështetje të plotë PSG-së rreth kësaj çështjeje, për të ruajtur integritetin e aktiviteteve të saj.
Na vjen keq sidomos, që autoritetet britanike komunikuan vendimin vetëm në orën 14:00 të ditës së sotme, edhe pse klubi punon prej 6 ditësh për të gjetur një zgjidhje për t’i mundësuar lojtarit tonë të udhëtojë me shokët e skuadrës në Londër”, shkruhej në reagimin e PSG-së.