Korrupsion tek “Filologjiku” në Shkodër, dy pedagogë në pranga

Prokuroria ka zbuluar skemën e korrupsionit në Departamentin e Historisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, duke vënë në pranga përgjegjësin e saj dhe zv/dekanin. Nga hetimi i organit të akuzës, mësohet se nëpërmjet disa personave që kryenin rolin e sekserëve, ata kanë krijuar një skemë korrupsioni në dhënien e provimeve, në vlera monetare që varionin nga 200-700 euro.
Prokuroria ka arritur të zbulojë se, zv/dekani i Fakultetit të Filologjisë dhe Shefi i Katedrës së Historisë, nëpërmjet sekserëve Vehbi Bala dhe Ndoc Deda, kanë marrë para nga studentë të ndryshëm.
Në këmbim, pedagogët u kanë siguruar studentëve nota kaluese në provime të ndryshme ose vlerësime të larta, të cilat më pas do të shërbenin për regjistrimin në master. Në bazë të veprimeve të deritanishme hetimore, Gjykata e Shkodrës pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për Rokin Dabërdakun dhe Simon Lufin, të akuzuar për korrupsion pasiv.
Të dyshuar për “Ushtrim ndikimit të paligjshëm” në rolin e sekserit janë Vehbi Bala dhe Ndoc Deda. Ndërsa për “Korrupsion aktiv…” Brunilda dhe Vehbi Allushi, Renato Trushi dhe Arsen Lekaj. Ky skandal vjen pak muaj pas atij të pedagoges së bio – kimisë, Ditika Kopliku, e cila u filmua duke marrë 100 euro për provim, nga një emision investigativ.
Hetimi i Prokurorisë së Shkodrës ka zbuluar se disa shefa departamentesh dhe studentë të Fakultetit Filologjik në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, nëpërmjet disa personave që kryenin rolin e sekserëve, kanë krijuar një skemë korrupsioni në dhënien e provimeve, në vlera monetare që varionin nga 200-700 euro.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se, në vijim të një hetimi disa-mujor, të filluar në bazë të informacionit të Policisë, Prokuroria e Shkodrës ka marrë nga Gjykata lejen për arrestimin e personave të përfshirën në veprimtarinë e paligjshme. Masat e sigurisë janë ekzekutuar gjatë mesditës së hënë (dt. 21.11.2016) nga ana e forcave të Policisë Vendore.
Në kuadër të këtij procesimi penal, Prokuroria e Shkodrës ka zhvilluar hetimin proaktiv, në bazë të të cilit është zbuluar roli i personave, si edhe janë krijuar dyshimet e arsyeshme se ata bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për të ndihmuar studentë të ndryshëm, në këmbim të parave, që të merrnin provimet, kryesisht në degën e Historisë.
Prokuroria e Shkodrës ka arritur të zbulojë se zv/dekani i Fakultetit të Filologjisë dhe Shefi i Katedrës së Historisë, nëpërmjet sekserëve Vehbi Bala dhe Ndoc Deda, kanë marrë para nga studentë të ndryshëm. Në këmbim, pedagogët u kanë siguruar studentëve nota kaluese në provime të ndryshme ose vlerësime të larta, të cilat më pas do të shërbenin për regjistrimin në Master.