Konte mbyll merkaton

Antonio Konte mbyll merkaton e Chelsea ende pa nisur. Trajneri i “Bluve të Londrës”, në një intervistë të dhënë, preku disa nga temat më të përfolura në shtëpinë e anglezëve, duke nisur që nga Diego Costa. 47-vjeçari theksoi se sulmuesi është shumë i rëndësishëm për skuadrën dhe se e ka kuptuar që duhet ta kontrollojë veten më shumë në fushën e lojës. Konte foli gjithashtu edhe për Fabregas e Oscar ku tha se asnjeri prej lojtarëve nuk do të largohet. Përsa i përket afrimit të një mbrojtësi në janar, tekniku italian u shpreh se e ka të kompletuar skuadrën.
Kontes i mjaftoi vetëm një muaj kohë për fituar besimin e drejtuesve dhe të tifozëve të Chelseat. Nga një trajner pranë shkarkimit, italiani tashmë konsiderohet idhull në “Stamford Bridge” falë gjashtë fitoreve radhazi që e ngjitën skuadrën e tij në krye të Premier League. Në një intervistë të gjatë për mediat italiane, 47-vjeçari foli për momentin e tij të artë te Chelsea.
“Jam shumë i kënaqur, veçanërisht për futbollistët e mi. Vendimi i parë është vetëm një shpërblim për punën e madhe që kemi bërë deri më sot, por edhe një demonstrim se jemi në rrugën e duhur. Por nuk duhet të harrojmë se një muaj më parë situata ishte ndryshe. Në garë për titullin në Premier League janë 6 skuadra dhe vetëm njëra do ta fitojë. Mendoj se ky kampionat është ndër më të vështirët në të gjithë historinë e Premier Leagues. Të rivalizosh njëkohësisht me Arsenal, Liverpool, Manchester City, Tottenham e Manchester United nuk është gjë e thjeshtë. Nuk besoj se ekziston ndonjë kampionat tjetër në nivelin e Premier Leagues”, u shpreh Konte.
Nga Chelsea te Juventusi, skuadër me të cilën Konte ka dominuar për disa sezone në Serinë A. “Kur je skuadra e tetë me paga më të larta në futbollin botëror, duhet të pretendosh përtej futbollit italian. Besoj se janë bërë investime të rëndësishme dhe kur ke një organikë të tillë duhet të kesh objektiva madhorë, sikurse është Championsi. Pastaj nëse paratë të japin mundësi të blesh Pjanic dhe Higuainin, gjithçka bëhet më e lehtë”, tha ai.
Periudha e kaluar në krye të kombëtares trajneri italian e kujton me shumë keqardhje. “Ato gabime të mallkuara ndaj Gjermanisë në momentin e goditjeve të 11-metërshave janë pengu im i madh. Nëse do t’i kishim eliminuar gjermanët, me siguri do të ishim në finale. Ajo skuadër ishte fantastike, e bashkuar në planin fizik dhe psikologjik”, tha Konte.
Konte është i sigurtë se një ditë do të rikthehet në futbollin italian, por për momentin po shijon të tashmen te Chealsea, një realitet të ri plot ëndrra që nuk duhet kur do të përfundojë.