Kokainë nga Shqipëria, 5 të arrestuar në Itali

Porti i Ankonës në Itali është në qendër të një trafiku kokaine nga Shqipëria dhe një nga kanalet kryesore të furnizimit të drogës me një xhiro mujore prej 70 mijë eurosh, ç’ka ka bërë që pas hetimeve të nisura vjet, policia italiane në orët e fundit të bëjë 5 arrestime dhe të sekuestrojë 500 gramë kokainë kristal, destinuar për tregun në Val Musone e Jesi. Kështu njoftojnë mediat italiane, citon Syri.net.
Orët e fundit nisi operacioni “Natale siguro”: 30 policë bllokuan rrugët kryesore që të çonin në Osimo, Recanati e Jesi dhe arrestuan kapon e bandës, Edmond Hidrin, shqiptar; Fatmir Dautin, shtetas maqedonas dhe dy persona nga Jesi: Mirko Massaccesi e Antonella  Tittarelli. Një i pestë, një shqiptar me banim në Recanati, Kleo Shuteriqi, është arrestuar po aty.
Operacioni blic ndodh në Casine di Peterno, kur Hidri la çantën me 500 gr të lëndës narkotike në anë të rrugës dhe tre të tjerët shkuan për ta marrë.