Epidemia e gjedhit po masakron lopët e Elbasanit

Familja Bedeli në fshatin Mjekës të Elbasanit ndjek çdo ditë me dhembje sesi lopa dobësohet dita-ditës e prekur gati 3 javë më parë nga paralija e gjedhëve, e thënë shkencërisht dermatozë nodulare.
Në fillim Fatmiri dalloi se lopa po mpihej e nuk po jepte qumësht dhe më pas filluan t’i shfaqen gunga që janë kthyer në plagë në trup. Janë 5 anëtarë të kësaj familjeje që presin nga kjo lopë për qumështin e përditshëm, të cilin e shisnin në qytet, për viçin që siguronte një dorë të ardhura për të vazhduar jetën mes vështirësive.
Tashmë nuk kanë asnjë shpresë se lopa e tyre do të kthehet si më parë. Temperatura e vazhdueshme dhe shtimi i gungave në trup e bëjnë të vështirë shërimin e saj dhe kjo familje zgjohet çdo ditë me sytë në kasolle se mos lopa, pasuria më e madhe e familjes, nuk merr më frymë.
“Filloi duke u mpirë dhe ne thirrëm veterinerin. Ai na tha që nuk kemi vaksina dhe se kjo sëmundje do të bëjë punën e saj. E kemi rritur dhe ky ishte viçi i parë. Tani nuk kemi shpresë se do të kthehet më si më parë. Ishte shumë e shëndetshme dhe prandaj ka arritur të mbijetojë për tri javë, por tani nuk e dimë sa do të vazhdojë të jetë gjallë. Është shpresa jonë e vetme dhe nuk dimë çfarë të bëjmë: të presim të shërohet apo ta therim. Shteti duhet të na ndihmojë pasi në këtë gjendje që jemi i kemi humbur shpresat. Nuk kemi asnjë të ardhur tjetër. Dërgonim qumështin në qytet dhe sillnim bukën në shtëpi”.
Fatmirit i kanë thënë se nuk ka vaksina dhe pavarësisht me shpresën se do të shërohet, ai së bashku me fermerë të tjerë i kanë bërë një mjekim me antibiotikë, por gjendja e bagëtive nuk ka ndryshuar.
Në fshatin Mjekës thuajse çdo familje ka një bagëti të prekur nga kjo sëmundje. Afrim Roçi gjithashtu është munduar të përdorë të gjitha ilaçet me anë të veterinerit të tij që lopa të shpëtojë. Por edhe për të kanë kaluar tri javë të vështira. Pasi doli në dritë viçi, edhe ai është prekur nga kjo sëmundje duke u përballur me temperaturën.
Sot Afrimi është zgjuar i shqetësuar. Njëra nga këmbët e lopës së tij është fryrë dhe kjo sipas veterinerëve nuk është shenjë e mirë.
“Njëra nga këmbët i është ënjtur dhe nuk di çfarë të bëj. Kam marrë antibiotikë me veterinerin. Ia kemi bërë të gjitha. Kam harxhuar mbi 100 mijë lekë ilaçe e kjo sëmundje nuk po kalon. U lodha dhe s’po di ta mbaj apo ta ther apo të pres të ngordhë vetë siç ka ndodhur me lopë të tjera në fshat. Lopa është sikur ke të sëmurë në shtëpi. Është pasuria jonë. Unë kisha dhe dy të tjera, por i hoqa pasi kisha frikë se më sëmureshin. Shteti duhet të kishte marrë masa e t’i vaksinonim qoftë edhe duke i blerë po kështu si jemi katandisur nuk shtyhet”.
Ndryshe nga të tjerët Murat dhe Mejte Çekrezi nuk ishin aq me fat. Lopa e tyre është groposur një ditë më parë. Humbja e lopës në fshat konsiderohet fatkeqësia më e madhe.
“Ne me qumështin jetojmë, pasi në fshat pa një lopë nuk ka kuptim të jetosh”, thotë Mejtja, ndërsa tregon se si kujdesej çdo ditë derisa e gjeti të vdekur në kasolle. Nuk dinë në do të marrin dëmshpërblim, por tashmë të trishtuar dy bashkëshortët thonë se vaksinat janë bërë me seleksionim dhe jo tek të gjithë.
Ndërkohë edhe familja Qosja sheh çdo ditë ndërsa mpaket lopa që e ka rritur vetë dhe nuk di se si do të shkojë, do të shërohet apo do të duhet ta groposin si shumë familje në fshatrat përreth.
Banorët e Mjekësit e quajnë neglizhencë të shtetit mosvaksinimin, pasi ata vetë do t’i kishin blerë po të kishte në treg vetëm të shpëtonin pasurinë e tyre të gjallë. Janë rreth 50 bagëti të infektuara në këtë fshat dhe sipas specialistëve harta e infektimit është përhapur me shpejtësi në zonat fushore të Elbasanit, të Dumresë dhe të Sulovës.
Në krah të fermerëve ka dalë edhe një këshilltar bashkiak i një partie të vogël në parlamentin e qytetit. Ismail Çala thotë se janë me dhjetëra familje të dëmtuara dhe shifrat janë disa herë më të mëdha nga sa deklarojnë strukturat shtetërore.
Fermerët presin vaksinat, thotë ai, ndryshe do të humbin edhe më shumë pasi kjo sëmundje nuk po njeh ndalje. Ai i bëri thirrje anëtarëve të Këshillit Bashkiak të ngrejnë zërin që ministria të sjellë sa më parë vaksinat në fshatrat e Elbasanit. Çala renditi disa fshatra si Mengël, Balëz, Papërr, Mjekës, Bradashesh, ku lopët po ngordhin në masë.
Përgjegjësi i Shërbimit Veterinar në qark, Fatmir Ozuni e ka një shpjegim për situatën.
“Është e vërtetë që jemi në një situatë emergjente pasi sëmundja e dermatozës nodulare po përhapet në fshatrat fushorë edhe pse me ftohjen e motit prisnim një rënie. Kemi pasur një kampion vaksinash, të cilat i kemi shpërndarë dhe kemi kërkuar me urgjencë një sasi tjetër që sigurohet nga BE. Shpresojmë që sasinë e vaksinave ta marrim javës që vjen dhe të fillojmë vaksinimin.
Sëmundja e dermatozës nodulare nuk ka mjekim shkencërisht. Vetëm vaksionohet përpara. Mortaliteti është 5 deri në 10% dhe jo më tepër. Fermerët nuk duhet të bëjnë mjekim të zgjatur, por vetëm mjekime ambulatore për uljen e temperaturës.
Janë 506 bagëti të konfirmuara si të infektuara nga dermatoza nodulare në Qarkun e Elbasanit nga të cilat 102 janë asgjësuar për shkak të avancimit të sëmundjes.

Basha me fermerët premton subvencione

Lulzim Basha ishte dje pranë banorëve në fshatin Mjekës të Elbasanit, të cilët ndodhen në prag katastrofe ekonomike. Sëmundja e gjedhëve, dermatoza nodulare, po shfaros lopët çka për shumicën e këtij fshati me mijëra banorë, pak kilometra nga Elbasani, është falimentim i plotë. Fshati ka pak tokë, ndaj banorët kanë investuar në blegtori duke u mbështetur tek shitja e qumështit dhe mishit. Por brenda pak javësh sëmundja po shkatërron gjithçka që ata kanë investuar në jetë për shkak të neglizhencës qeveritare, pasi askush nuk u ka siguruar vaksinat e nevojshme.
Fermerët e pashpresë nga qeverisja gjetën mbështetjen e liderit të opozitës. Të ndërgjegjshëm që kafshët e tyre të prekura nga sëmundja nuk kthehen më, ata kërkuan kthimin e shpresës tek Lulzim Basha.
“Të gjithë këtu janë të prekur nga lopët, por një ditë do të dalim edhe për fëmijët në shkolla. Po hyn droga në shkolla. Bashkëfshatarët e mi jetojnë me 1 ose 2 lopë dhe shesin qumështin. Kanë dy javë që nuk i mjelin më se i kanë të sëmura dhe secili mundohet të sigurojë veteriner në mënyrë private për vaksinat që i paguajnë vetë”, u shpreh një prej fermërëve.
Një tjetër banor i Mjekësit thotë se, vaksinat janë blerë privatisht nga 25 mijë lekë, por shumë prej tyre nuk kanë pasur mundësi t’i përballojnë.
“Nuk kemi burim tjetër të ardhurash përveç asaj lope që kemi dhe mbajmë familjen gjallë”, tha një tjetër fermer.
Lideri i opozitës u shpreh se qeveria është larguar nga njerëzit, ndaj dhe njerëzit duhet të largojnë qeverinë për një qeverisje për njerëzit.
“Lekë për avion privat ka, lekë për ekspozita ka, por lekë për ju nuk ka. Lekë për vaksina nuk ka, lekë për subvensione nuk ka, lekë për pensione nuk ka. Pse?! Sepse i ka marrë të gjitha për vete. Kaq e thjeshtë është. Kjo është e vërteta. Kjo është një qeveri dhe një Kryeministër që mendon vetëm për vete. I ka harruar njerëzit. I ka vënë vizën njerëzve.
Programi jonë është për subvencione të drejtpërdrejta për fermerin; pa NIPT, pa burokraci, në varësi të prodhimit bujqësor apo blegtoral shteti t’u financojë drejtpërdrejtë me para në dorë. Por ju duhet ta kuptoni dhe jam i sigurtë që e kuptoni që këtu nuk bëhet fjalë për zgjidhje teknike, por kjo ka nevojë për vullnet politik. Nëse qeverisja u kthehet njerëzve, nëse buxheti vihet në funksionin tuaj, nëse shteti nuk mendon vetëm t’u vendosë taksa dhe këto para t’i vjedhë, por mendon se si t’u vijë në ndihmë, atëherë sigurisht që ka zgjidhje. Bashkë të ndërtojmë një qeverisje për ju. Por padyshim që hapi i parë është të largojmë këtë qeveri e të sigurojmë zgjedhje të lira e të ndershme se me këtë qeveri nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Basha.
Fermerët e revoltuar shprehën besimin tek Basha dhe kërkuan mbështetje të plotë nga ai. “Mbështetjen e keni 100 %”, i siguroi lideri i opozitës.

“BIRN”