Digjet e gjallë në barakë e moshuara, Bashkia e Elbasanit nuk e ndihmoi

Një e moshuar ka humbur jetën tragjikisht në Elbasan, pasi baraka ku jetonte është përfshirë nga flakët. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “5 Maji” në qytetin e Elbasanit, ku 80-vjeçarja Mike Zenollari jetonte me një vajzë me aftësi të kufizuara dhe mbesën në një barakë prej druri që prej vitit 1997, e braktisur edhe nga shteti. Gazetari Fatmir Popja ka siguruar fotot nga vendi i ngjarjes, ku pasi zjarri shkrumboi gjithçka kanë mbetur vetëm disa tenxhere, filxhanë e xhezve.
Sipas policisë, dyshohet se baraka është përfshirë nga flakët si pasojë e një pakujdesie dhe zjarri ka qenë i përmasave të mëdha. E moshuara nuk ka mundur të dalë dot nga banesa dhe ka gjetur vdekjen.
Fqinjët e saj të komunitetit rom thanë se banesa e të moshuarës ishte djegur edhe njëherë më parë. Ata i kishin kërkuar kryetarit të Njësisë Administrative t’i bënte një dhomë për të futur kokën, por megjithëse iu kishte premtuar, asgjë nuk ishte bërë.
“Është djegur njëherë banesa e saj. I thamë kryetarit “o zoti kryetar bëji një dhomë plakës të fusë kokën”. “Do t’i bëj, do t’i bëj” dhe asgjë nuk bëri. Tani u dogj edhe vetë plaka”, thanë banorët.
Ata kanë treguar se 80-vjeçarja jetonte me vajzën me aftësi të kufizuara dhe mbesën, por askush nuk kujdesej për të. “Jetonte e vetme. Nuk kujdesej asnjëri për të. Jetonin duke lypur. Kur baraka ka marrë flakë, vajza kishte dalë për të blerë bukë dhe kishte lënë qumështin në zjarr. Plaka nuk i ka parë flakët, ne e lajmëruam policinë”, u shprehën banorët.
Policia ka shkuar në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore dhe proceduriale për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike.