Dekriminalizim edhe në Kosovë

Në kuadër të përpjekjeve për dekriminalizimin e skenës politike dhe pamundësimin e punësimit të personave nën hetime penale në institucionet publike, në Kosovë po shtrohet si nevojë miratimi i Ligjit për dekriminalizim.
Ky ligj do të pamundësonte fillimisht përfshirjen në listat zgjedhore të personave që kanë një të kaluar me aktivitet kriminal apo që janë dënuar për vepër penale, thonë përfaqësues të Shoqërisë Civile.
Ky ligj, po ashtu thonë ata, do të duhej të pamundësonte edhe mbajtjen e posteve publike personave, të cilët kanë qenë të përfshirë në vepra penale. Nevoja për dekriminalizimin e skenës politike është potencuar, nga Presidenti Hashim Thaçi, si një nga prioritetet në angazhimet e tij që nga marrja e postit.
Presidenti Thaçi ka iniciuar hartimin e një kodi me të cilin nuk do të lejohet që njerëzit e dënuar të jenë pjesë e proceseve zgjedhore dhe institucionale. Ai kishte paralajmëruar se, njerëz që janë nën hetime nuk do të mund të përfshihen as në listat zgjedhore.
Gjatë një takimi të grupit punues, i cili është themeluar për të rishikuar dhe amendamentuar Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, Thaçi ka ritheksuar prioritetin që ka Kosova në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Dua të ritheksoj edhe njëherë përkushtimin tim si president i vendit për të mbështetur çdo iniciativë që vjen nga institucionet e Republikës së Kosovës për të fuqizuar kornizën ligjore, për luftimin e krimit në përgjithësi, por krimit të organizuar dhe korrupsionit në veçanti”, ka thënë ai.
Analisti i çështjeve politike, Driton Selmanaj nga Demokraci Plus, ka thënë për Radion “Evropa e Lirë” se do të ishte e dobishme për vendin që me ligj duhet të pamundësohet përfshirja e njerëzve me aktakuza në lista zgjedhore dhe në poste publike.
“Nëse provon Kosova të ketë një ligj për dekriminalizimin, atëherë unë mendoj se do ishte efikas, sepse do të flisnim më pas për pamundësinë e konkurrimit dhe të marrjes së posteve publike në Kosovë nga ata që së paku një herë në jetën e vet kanë bërë vepër penale ose kanë qenë të akuzuar ose me aktgjykim të formës së prerë. Si e tillë kjo mund të ndodh”, ka thënë Selmanaj.
“Por, nëse eventualisht do të shkonte në formë të një dokumenti, i cili mund të ketë karakter këshillëdhënës dhe nuk ka asnjë sanksion nëse shkelet ajo, kjo më pas nuk mund të jetë efektive, pasi që mbetet vetëm në nivelin e dëshirave të subjekteve politike, të cilat konkurrojnë”, thekson Selmanaj.
Ndryshe, bartës të funksioneve publike nën akuza apo edhe të dënuar për vepra penale në Kosovë, aktualisht ka si në nivelin komunal ashtu edhe atë qendror. Por, ka pasur edhe raste ku për shkak të aktakuzave për përfshirje në vepra të ndryshme penale, deputetë apo ministra t’i lëshojnë postet e tyre.