Beqaj, 16 milionë euro vjedhje me check up paditet në Prokurori

Partia Demokratike dorëzoi dje në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal ndaj Ilir Beqajt në lidhje me aferën e check up-it, ku janë konstatuar një sërë shkeljesh, jo vetëm me favorizimin e mikes dhe donatores së Edi Ramës, Vilma Nushi, por dhe me dëmin e rëndë financiar që i është shkaktuar buxhetit, parave të shqiptarëve.
Deputetja Albana Vokshi dhe Arbiola Halimi ishin dje në organin e akuzës ku depozituan kallëzimin penal.
Vokshi më pas u shpreh për mediat, duke shpjeguar edhe një herë shkeljet e denoncuara në vazhdimësi nga Partia Demokratike me një prej aferave më të mëdha korruptive të Edi Ramës dhe Ilir Beqajt në këto 3 vite.
“Sot me kolegen time Halimi, dorëzuam kallëzimin e parë penal, për ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Ky kallëzim lidhet me një sërë shkeljesh, të procedurave, të ligjeve, që përbëjnë edhe vepër penale, në këndvështrimin tonë, nga ana e ministrit, në lidhje me koncesionin e check up-it. Është një koncesion i check up-it, i kontrollit të detyrueshëm nga mosha 40 deri në 65 vjeç, që u zgjerua vetëm para disa javësh, nga 35 deri në 70 vjeç, të cilin Partia Demokratike e ka denoncuar për shkak të abuzimeve të njëpasnjëshme dhe të klientelizmit, pra është një koncesion që nuk ka marrë për bazë interesin e publikut, por përkundrazi, në kurriz të interesit të publikut ka favorizuar klientelën e Edi Ramës dhe Ilir Beqajt. Vetëm me hartimin, përzgjedhjen e kritereve, përzgjedhjen e koncesionarit fitues dhe me publikimin e tij, ne e gjykojmë që i është bërë dëm buxhetit të shtetit, mbi 16 milionë euro, pa përmendur këtu nisjen e implemetimit, ku në gjykimin tonë, vetëm në një 9-mujor, të vitit 2015, shifra të cilat ne i kemi bërë publike vetëm para disa ditësh, është një abuzim prej 1.5 milionë eurosh. Partia Demokratike është e vendosur të mbrojë interesin e publikut, të mbrojë financat publike dhe kemi besim tek drejtësia që do të veprojë në këtë rast, me një ndër aferat më korruptive të kësaj qeverie”.
Më 12 tetor, Rama ka vendosur t’i japë Vilma Nushit edhe 5 milionë euro më shumë në vit. E ka bërë këtë duke rritur fashën e grupmoshës që gjoja bëjnë check up. Nga 40-65 vjeç që ishte, tani e ka bërë në 35-70 vjeç dhe këtë e ka bërë pa asnjë studim dhe pa të dhënat klinike, shkencore e epidemiologjike”, ka deklaruar Vokshi.
Ajo ka theksuar se, Kryeministri nuk e ka bërë këtë për suksesin e check up-it, sepse, sipas saj, nuk ka shqiptar që mos ta dijë se kjo është një skemë e dështuar.
“Qytetarët e kanë refuzuar dhe në ato pak raste kur kryhet, përgjigjet e analizave shpesh kanë qenë skandaloze, absurde e të pabesueshme. Kjo rritje e fashës nuk bëhet për të ndihmuar qytetarët, por për të vjedhur më shumë së bashku me donatoren e tij, Vilmën. Pra, ka shtuar rreth 350 mijë qytetarë për regjistrat e Vilmës, që përkthehet në 5 mln euro më shumë në vit për donatoren e tij personale”, ka vijuar Vokshi.
Ajo ka shtuar se, megjithëse check up-i është një prej aferave më të mëdha korruptive në 3 vjet të kësaj qeverie, Edi Rama dhe Ilir Beqaj jo vetëm nuk hoqën dorë prej tij, por kanë vendosur ta thellojnë skandalin duke vjedhur edhe më shumë.
“Spitalet dhe kujdesi parësor janë zhytur në mjerim, sepse paratë që duhet të shkonin për barna, kura, pajisje, mjete për shëndetin e shqiptarëve zhduken në xhepat e Vilmës dhe Beqajt e Ramës”, ka shtuar Vokshi.