Ronaldo: Kam bërë gjithçka për ta merituar “Topin e Artë”

Cristiano Ronaldo mendon se nuk ka çfarë të japë më tepër për të fituar “Topin e Artë”, çmim që jepet nga prestigjiozja “France Football”. Sulmuesi portugez, autor i një tregolëshi në derbin me Atleticon e Madridit u shpreh për mediat franceze, se nuk është i fiksuar për ta fituar këtë çmim, pasi rezultati i votimit nuk varet më nga ai.
“Kam bërë gjithçka për ta merituar “Topin e Artë”. Kam fituar Championsin dhe Kampionatin Europian me Kombëtaren Portugeze. Ka qenë një sezon i pabesueshëm, më i miri për mua. Por, votimi nuk varet nga unë, ndaj nuk mund të jem i fiksuar për këtë çmim. Sigurisht nëse do të më pyesnit, do të përgjjigjesha se dëshiroj shumë ta fitoj “Topin e Artë”, për këtë nuk mund të gënjej”, u shpreh Ronaldo.
Edhe trajneri Zinedinë Zidane u shpreh pas suksesit në derbi që Cristiano praktikisht e ka fituar “Topin e Artë”, për gjithçka ka arriur gjatë 2016-ës, por edhe “luzitani” nuk i kurseu lëvdadat për trajnerin e tij. “Marrëdhëniet e mia me Zidane janë fantastike. Kam qenë fans i tij, kur ai luante futboll, por tani që ai është trajner, jam edhe më shumë. Zidane është një njeri i mirë me një karakter të veçantë. Ai po mëson më shumë si trajner”, tha ai.
Në fund, Ronaldo foli edhe për kontratën e tij të re me Realin që skadon në vitin 2021. Ai theksoi se praktikisht do ta mbyllë karrierën te “Los Blancos”, por nuk e ka të qartë se çfarë do të bëjë, pasi të varë këpucët në gozhdë.