Qeveria, 35 milionë euro borxhe në tregun vendas

An employee of GSA Austria (Money Service Austria) holds wads of new 500 euro banknotes at the company's headquarters in Vienna July 22, 2013. The GSA delivers new and collects old currency for the Austrian National Bank. REUTERS/Leonhard Foeger (AUSTRIA - Tags: POLITICS BUSINESS TPX IMAGES OF THE DAY) - RTX11V1K

Qeveria do të zhvillojë një ankand obligacioni 2-vjeçar me vlerë 35 milionë euro më datë 30 nëntor, i cili është shpallur tashmë në mënyrë zyrtare nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë.
Burimet nga Ministria e Financave pohuan se kjo shumë do të shërbejë për financimin e deficitit të qeverisë dhe se ankandi bëhet në euro për të përfituar nga oferta më e lartë e operatorëve vendas në këtë valutë.
Me këtë mekanizëm qeveria synon të frenojë edhe rritjen e normave të interesit në lekë që kishin nisur që në shtator për të gjitha afatet e maturimit në monedhën vendase.
Për shkak të sezonit turistik dhe remitancave, bankat kanë akumuluar likuiditete në euro. Kjo i shkon për shtat nevojave të qeverisë pasi kohët e fundit kërkesa për financimet në lekë nuk po plotësohej, për rrjedhojë nga tre muajt e fundit e në vijim interesat janë rritur dukshëm në mbi 2 për qind në disa maturitete.
Në shtator 2016 borxhi i qeverisjes qendore është në vlerën 1,067.0 miliardë lekë ose 71.04% e PBB. Në kuadër të realizimit të planit vjetor të huamarrjes dhe mbulimit të nevojave të qeverisë për likuiditet, borxhi i qeverisjes qendrore gjatë nëntëmujorit është rritur me rreth 24.7 miliardë lekë ose rreth 71% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Sipas një analize të Ministrisë së Financave, shtesa e borxhit i atribuohet tërësisht borxhit shtetëror, ndërkohë borxhi i garantuar vlerësohet në rënie si rezultat i përfundimit të disbursimeve për pjesën më të madhe të kredive dhe futjes në fazën e shlyerjes. Pavarësisht rritjes në vlerë absolute, duke iu referuar deficitit buxhetor të planifikuar, parashikimeve të rritjes ekonomike dhe supozimeve të kursit të këmbimit, në fund të vitit 2016 borxhi i qeverisjes qendore në raport me PBB pritet të ulet me rreth 1 pikë përqindje krahasuar me vitin e kaluar.
Oferta e qeverisë gjatë nëntëmujorit 2016 është organizuar në 57 ankande titujsh qeveritarë, përkatësisht 32 ankande për bono thesari dhe 25 ankande për obligacione (nga të cilat 4 janë rihapje).
Krahasuar me vitin e kaluar numri i ankandeve të zhvilluara është relativisht më i ulët, duke qenë në përputhje me objektivat strategjike për përmirësimin e tregut primar dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e tregut sekondar. Menaxhimi i borxhit ka ulur frekuencën e emetimit me qëllim që të krijojë tituj me vlera të larta, të cilat mund të stimulojnë edhe tregtimin në tregun sekondar. Gjithashtu gjatë vitit 2016, janë ndërmarrë aktivitete në kuadër të shmangies së segmentimit të kërkesës, nëpërmjet tërheqjes graduale të obligacionit 3-vjeçar dhe tërheqjes së obligacionit 7-vjeçar me norma interesi të ndryshueshme.