Migjen Basha fiton mesfushën e Barit

Migjen Basha kthehet në protagonist te Bari në Serinë B italiane. Mesfushori kuqezi i hapi rrugën fitores 2-0 përballë Carpit, duke vulosur edhe suksesin e parë për teknikun Colantuono në stol. Një gol i shkëlqyer nga distanca, me të cilin 29-vjeçari fitoi zemrat e tifozëve, ndërsa rimori edhe mesfushën e skuadrës në dorëzim, që me ndryshimin në stafin teknik e riktheu në rolin e tij natyral në qendër.
Përveç rrjetës së realizuar dhe detyrave të zakonshme në mesin e fushës, ish-mesfushori i Torinos ishte mes më aktivëve për bardhekuqtë. Gjithmonë reaktiv, me vizion të admirueshëm loje, duke qenë i pranishëm edhe në fazën sulmuese, shqiptari i lindur në Lozanë të Zvicrës ishte rreziku kryesor i Barit.
Ajo përballë Carpit ishte ndeshja e 290-të si profesionist për kuqeziun, me 10 klube të ndryshme mes të cilave me Atalantën dhe Torinon në Serinë A.
Shifër jubilare e festuar në mënyrën më të mirë të mundshme, për golin që i mungonte prej majit të kaluar, kur mbronte ngjyrat e Como-s. Në pritje të përforcimeve nga merkatoja e janarit, me Migjen Bashën të rikthyer në nivele të larta, Bari e ka gjetur pikën e referimit në fushë.