Kolonja

Arian GALDINI

Nuk kishte zgjedhje. E megjithatë sot ka një Kryetar të ri Bashkie. Kolonja nuk ka bërë çudi as kësaj rradhe. Besnikëria e kësaj zone ndaj së majtës partiake është pothuajse epike. Erseka, Leskoviku, e fshatra të tëra janë në varfëri e mjerim migjenian për ata që kanë mbetur. Shumë kanë ikur prej aty. Kush nuk ka çarë ferrën, robtohet për të siguruar mbijetesën. Deputeti dhe Kryetari i Bashkisë janë zotërit e krahinës.
Të tjerët janë ose të punësuarit e këtyre, ose hallexhinjtë që nuk duhet ta prishin me këta sepse përndryshe mbeten jetimë përballë shtetit. Shteti është po aq i frikshëm aty sa edhe të fortët e zonës. Banorët nuk kanë asnjë qasje tjetër me shtetin dhe të fortët përveçse si ajo që kanë me zjarrin. Nuk luajnë kurrë me të se e dinë që përvëlohen. 75 vjet aty, shteti ka qenë në duart e të majtëve. Të tjerë pos të majtëve, në ato anë njohin pak ose asfare. Ndoshta kjo ishte edhe arsyeja pse PD dhe opozita, në këtë proces zëvendësimi të Kryetarit të Bashkisë së Kolonjës me një emër tjetër, vendosi të mos ua prishë terezinë qytetarëve të atjeshëm.
U propozoi një emër të njohur për ta. Vëllain e një ish-deputeti socialist, të cilin e kandidoi Partia e një ish-ministri socialist. Pikërisht, me këtë vendim politik që mori PD dhe opozita për të mos ua tollovitur rendin banorëve që humbën një Kryetar, e u duhej ta zëvendësonin me një tjetër Kryetar, Kolonja u kthye metaforikisht në Kalonja. Vendimi politik i PD dhe opozitës ishte për tia kaluar kandidatin një emri të majtë të propozuar nga një parti të sapo marrë nën frenat e kontrollit nga një tjetër i majtë. Opozita nuk u ndal, por kaloi rradhën në Kolonjë. Aq shumë u kalua aty, sa dita e djeshme, pra dita e zëvendësimit, jo dita e votimit, kishte si protagoniste në ekrane deputetë socialistë dhe ish–deputetë socialistë që ndërkalleshin për procesin zgjedhor.
Për mua që drejtoj një Parti politike në koalicion me PD, e sidomos si aktivist politik e civil prej 25 vjetësh, që ngahera kam qenë qartazi i pozicionuar djathtas, ishte si një ditë romuzesh me veten, ndërsa shihja ish – deputetë të PS që akuzonin PS për manipulim zgjedhjesh e shitblerje votash. E në fakt, u bë ca kohë që ky kalim nuk bëhet vetëm në Kolonjë. Ngado shoh me shumë ngazëllim të mediave pranë opozitës që të heroifikojnë deputetë a ish – deputetë të PS që shajnë Rilindjen, sesa kërkim lajmi tek aktivistët dhe intelektualët politikë dhe civilë që janë të lirë ose të djathtë.
Mediat pranë opozitës u bëjnë eko me bollik të gjithë të majtëve e komunistëve të pakënaqur me Rilindjen, pa gjetur fare hapësirë e kërkim lajmi tek figurat e reja aktiviste a intelektuale të lirë apo të djathtë. Mediat pranë opozitës bëjnë bujë me salcën revolucionare, ndërkohë që nuk bëjnë asnjë përpjekje për të ngjallur shpresën me mendim, mendimtarë dhe veprimtarë të lirë a të djathtë. Kësisoj, Kolonja nuk kishte si të bënte përjashtim. Sidomos Kolonja. Këtu fillon edhe problemi dhe sfida e vërtetë e opozitës. Do të pranojmë se Shqipëria është e tillë, si Kolonja, e majtë dhe do të marrim ngjyrën e ambjentit, apo do bëhemi pigmet për t’i dhënë në ngjyrën e shpresës ambjentit? Do tejkalojmë apo do kalojmë?
Do dalim përtej vetes apo do i bëjmë transplant vetes? Deri tani, vetëm kemi kaluar duke lëshuar. Deri tani jemi puthur me Ilir Metën, kemi përqafuar Ben Blushin, i kemi lënë të na fusë duart Agron Duka dhe po bëjmë dashuri me Kastriot Islamin. Njerëzit e lirë apo ata të së djathtës nuk janë askund në horizont. Të tillë, edhe pse ka shumë, nuk përfillen. Këta edhe kur veprojnë, deklarohen e shfaqen, përçmohen, sulmohen, lihen në harresë, pengohen.
Në projeksionin publik të opozitës ka vetëm qarkullim të të përhershmëve, të listëporosisë së partisë, të klientelës dhe të të majtëve të pakënaqur a të zhgënjyer me Rilindjen. Kaq e fortë është bërë kjo e vërtetë, saqë opozita sot ka heroinë një studente që beson si Nexhmija dikur tek komunizmi, vetëm e vetëm pse kjo vajzë skuqi me salcë ministren e Arsimit. Mes shpresënxitjes dhe salcëqitjes, të krijohet përshtypja se opozita zgjedh këtë të fundit. Transplanti i vetvetes ka shkuar në përmasa dramatike. Ne kemi një koalicion opozitar, por kërkojmë një Aleancë transversale.
Po u afrohemi zgjedhjeve të qershorit 2017 me një panoramë të zymtë. Shumica e majtë është në lojën e saj të matjës dhe përballjes së forcave që të prishin ekuilibrin e vjetër për të bërë ose jo një marrëveshje të re. LSI synon rritjen. PDIU gjithashtu. LIBRA po provon të gjejë këndin e hyrjes. PS do që të rikonfirmojë pozicionin e saj si parti e parë, duke vendosur gardhin e kanabisit, plehrave, të fortëve dhe trysnisë së pushtetit, që të mos lejojë asnjë subjekt tjetër politik që ta kafshojë aty brenda në elektoratin e saj. Zhvillimet e dhjetorit e në vijim, ose do të kenë vulën e kalimit, ose do të ngrenë paradigmën e re të tejkalimit.
Kur Lulzim Basha thotë se PD dhe ne si koalicion opozitar do ta bëjmë demokracinë të madhe sërisht, shpresoj që të ketë parasysh pikërisht tejkalimin. Përndryshe, ashtu si në Kolonjë dje, edhe në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, nuk do të kemi zgjedhje, por zëvendësim. Kolonja apo Kalonja, është selfie më dëftuese e opozitës sesi nuk duhet të jemi. Ose ngrihemi në këmbë e rezistojmë duke konfirmuar, kërkuar e inkurajuar njëri-tjetrin, ose kalojmë dhe pranojmë transplantin e vetvetes dhe zëvendësimin. Ama, në zëvendësim, ne nuk na pyet kush për emrat. Do të jenë po të majtët që do të caktojnë se kush do të zëvendësojë kë e kur.