Hetuesi belg: Frroku, i penduar, do të flasë për lidhjet e drogës nga lart

Detaje spektakolare kanë rrjedhur dhe sa vijnë e po dalin gjithnjë e më shumë nga fronti i bandave shqiptare të trafikut të drogës, të cilët prej janarit duken si të zëna në çark. Por e gjitha kjo ka lidhje me ardhjen e një dedektivi kyç në Tiranë, që e njeh shumë mirë mafien shqiptare.
Bëhet fjalë për dedektivin belg, Steven Van Deneste, i cili dëshmoi para katër ditësh në gjyqin e ish-deputetit të mazhorancës, Mark Frroku, të cilin e njeh shumë mirë, pasi ka hetuar dosjen e tij në Belgjikë dhe ia numëroi të gjitha të pabërat. Për gati 5 orë dëshmi në Gjykatë, oficeri belg, Stiven Van Deneste, mësohet se u ka qëndruar besnik veprimeve dhe konkluzioneve të tij, sipas të cilave, Mark Frroku është i njëjti person që në Belgjikë njihej edhe me emrat Besnik Morina, Dritan Frroku dhe Piro Soprani dhe që është i implikuar në këtë dosje për vrasjen e Aleksandër Kurtit.
Sa i takon motivit, mësohet se oficerët belgë i kanë qëndruar versionit që i ndjeri Aleksandër Kurti kishte rënë në dashuri me një vajzë shqiptare, që shfrytëzohej nga Frroku dhe të tjerë shqiptarë për prostitucion. Pikërisht kjo lidhje dashurie dhe kërkesa për ta tërhequr vajzën nga prostituimi, kanë qenë shkak i konfliktit me pasojë vrasjen e Kurtit.
Por ajo që ka sjellë Van Deneste përbën një element shumë të rëndësishëm në hetimin jo vetëm të këtij grupi kriminal. Në kontaktet që ka pasur me oficerët antitrafik shqiptarë, dedektivi belg ka bërë të ditur se, Arben Frroku ka shfaqur dëshirën të pendohet dhe t’i hapet drejtësisë; t’i tregojë gjithçka, trafiqet lidhjet, por ajo që është më e rëndësishme, të gjitha segmentet e politikës shqiptare me mafian e drogës në Europë.
Siç mësohet, vetë Arben Frroku i ka bërë të ditur hetuesve holandezë se, familja dhe të afërmit e tij rrezikohen të vriten dhe të “kallen të gjallë” 7 breza. Ai ka kërkuar që edhe Mark Frroku ta kryejë dënimin në Belgjikë dhe jo në Shqipëri.
Në këmbim të disa kërkesave, ai ka bërë të ditur se do të tregojë sekrete që do të “tundin” gjithçka në Shqipëri, pasi bëhet fjalë për bosët e vërtetë të drogës në këtë vend, të cilët janë shumë lart dhe në majat e politikës dhe ounturage-s së saj.

Si u arratis dhe si u arrestua Arben Frroku në Holandë

Arben Frroku, i dënuar me burg përjetë për vrasjen e Kryekomisar Dritan Lamaj u arrestua në Holandë në mesin e muajit mars të këtij viti. Arrestimi i tij u mbajt i fshehtë nga autoritetet shqiptare, ndërsa lajmi u publikua fillimisht nga ish-kryeministri Berisha dhe më pas autoritetet holandeze konfirmuan ndalimin e Frrokut në Aeroportin “Shiphol” të Amsterdamit. Zyrtarët e Tiranës jo vetëm që e mbajtën të fshehtë arrestimin në Holandë, por Tahiri nuk po dërgonte dosjen e plotë të të dhënave të Frrokut në mënyrë që të pengohej mbajtja e tij në burg, pasi ai ishte ndaluar me dokumenta greke, me identitetin e shtetasit Renato Xhepa. Duket se mosdërgimi i të dhënave nga Ministria e Brendshme për Frrokun ka qenë i qëllimshëm.
Pas deklaratës së ish-Kryeministrit Berisha për arrestimin e Frrokut në Holandë, është kërkuar informacion nga Zyra Qendrore Interpolit dhe Europolit për këtë çështje. Fillimisht Zyra e Interpolit ka sjellë një përgjigje negative, ndërsa më pas zyrtarisht është dhënë informacion për ndalimin e shtetasit Renato Xhepa, i dyshuar se është Arben Frroku. Tashmë Frroku ndodhet në burg në Holandë dhe mesa duket ka kërkuar t’i hapet drejtësisë, duke treguar lidhjet e drogës me zyrtarë të lartë shqiptarë.
Frroku u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasjen e Kryekomisar Dritan Lamaj në shkurt të vitit 2013, por Prokuroria apeloi vendimin. Pak ditë para se Apeli i Krimeve të Rënda të jepte vendimin me burg përjetë për Frrokun, ai u largua jashtë vendit. Arben Frroku u dënua me burgim të përjetshëm të formës së prerë nga Gjykata e Apelit.
Arben Frroku u arratis nga Shqipëria më datën 20 qershor të vitit të kaluar, dy ditë para zgjedhjeve lokale, pasi e kreu misionin e tij për t’i dhënë fitoren PS-së në Pukë. Prokuroria zbuloi se, Frroku nuk ishte regjistruar në sistemin TIMS, kur kaloi në pikën kufitare. Frroku u ndalua nga Policia e Malit të Zi në kufi me Kroacinë, ku u mbajt për rreth pesë orë për verifikim, pasi ka rezultuar person i shpallur në kërkim. Autoritetet e Malit të Zi e kanë mbajtur të izoluar Frrokun, duke i kërkuar Ministrisë së Brendshme shqiptare të dhëna ndaj tij, por Tahiri u konfirmoi autoriteteve malazeze se ndaj Frrokut nuk ka asnjë urdhër arresti. Pas konfirmimit nga Ministria e Brendshme shqiptare autoritetet malazeze e lanë të lirë Frrokun për të udhëtuar drejt Kroacisë.
Frroku ka mundur të largohet nga vendi pak ditë, pasi jepej vendimi i Apelit, duke mos hasur në asnjë pengesë as për faktin që ishte ende i dyshuari kryesor për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj dhe pse sipas Prokurorisë të gjitha provat dhe dëshmitë faktonin se ishte ai autori që qëlloi mbi komisarin.

Dedektivi Steven Van Deneste, hetuesi i dosjes “Frroku”

Dedektivi Steven Van Deneste ka qenë një nga hetuesit kryesorë për vrasjen e Aleksandër Kurtit në vitin 1999 në Belgjikë. Sipas dosjes së Prokurorisë belge, Aleksandër Kurti ra në kurthin e “Lumes”, një prostitute shqiptare me inicialet L.A. Ai kishte njohur prostitutën shqiptare me emrin “Jeta”. Kishte shkuar me të një ditë në hotel. Një ditë tjetër i shkon në vendin e punës dhe sheh bashkë me të Lumen, të cilën ai e kishte njohur që në Shqipëri, pasi ishin nga e njëjta zonë. Aleksandër Kurti i thotë Lumes se, “do t’u tregojë familjarëve të saj se ç’punë bënte ajo në Bruksel”. Ky fakt e tremb Lumen. Por situata bëhet më e rëndë, kur ai i gjen numrin e telefonit përmes Jetës dhe i përsërit të njëjtin kërcënim.
Lumja njofton për këtë Nardin, Leonard Frrokun, vëllanë e Mark Frrokut. Ndërsa Nardi njofton Lek Bib Djafën, Aleksandër Vukën dhe Hilë Morinën. Këta të tre njoftojnë Alfred Kolën që ka njohje me Aleksandër Kurtin. Por në kurth do ta fuste Lumja. Ajo i telefonon dhe i lë takim në stacionin e trenit. Problemin që kishte shkaktuar Aleksandër Kurti me kërcënimin se do të njoftonte familjarët e Lumes e merr vesh edhe vëllai i tij, Nikolas Kurti. Tre ditë para vrasjes, ai i ka telefonuar motrës së tij dhe i ka kërkuar që “kunati i saj të takojë Benin, Arben Frrokun, pasi në rast të kundërt dikush do të vritej brenda 24 orëve”.
Aleksandër Kurti që mbante dokumente kosovare me emrin Azem Shkreli, në raportin e Prokurorisë thuhet se ka ndërruar jetë ekzaktësisht në orën 18:05. Me vete kishte një biletë treni për në Londër të blerë në orën 17:05. Nisja e trenit bëhej në orën 17:56, ndërsa mendohet se ai e ka ndjerë rrezikun se do ndiqej nga grupi i tutorëve. Më tej nga rrëfimi i vëllait të tij mësohet, se viktima kishte konflikte edhe me Arben Frrokun, vëllanë e Markut. Policia e gjeti në agoni në orën 17:45, në stacionin e trenit “Gare de Midi”.