Dixhitalizimi, shumë televizione drejt mbylljes

Elona BEDALLI

Në 10 vitet e fundit, vendet europiane kanë kaluar nga transmetimi analog në atë numerik, duke pasur përfitime ekonomike dhe sociale. Nga një studim i Komisionit Europian rezultoi se përfitimet e dixhitalizimit në BE mund të llogariten deri në 700 miliardë euro në 15 vitet e ardhshme.
Shqipëria është një realitet i vogël.
Zbatimi i këtij procesi duhet të përmbushet shumë shpejt. Ka shumë arsye se përse po ndërmerret, por kryesorja ka të bëjë me shmangien e monopolizimit të tregut mediatik, duke siguruar që të gjithë operatorët të kenë mundësinë e një zgjedhjeje.
Por çfarë pritet të ndryshojë?
I gjithë procesi do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta që do të jenë të prekshme nga ana e publikut, ku ndër më kryesoret është rritja e cilësisë së shërbimit televiziv. Të gjitha programet që aktualisht transmetohen në rrugë analoge do të kalojnë në transmetime dixhitale. Do të ketë më shumë kanale televizive në dispozicion të publikut. Në këtë mënyrë do të rritet gama e programacionit, i cili përveçse gjeneralist do të jetë edhe tematik.

Televizionet lokale në rrethe mund të mbyllen nga kostot e larta

Televizionet me licencë kombëtare janë më në pararojë. Ato kanë avancuar ndjeshëm në realizimin e këtij procesi.
Më e madhe është sfida për televizionet lokale, kryesisht ato në rrethe e ku nuk përjashtohen edhe mbylljet.
Investimi për ta kthyer televizionin nga analog në dixhital është i lartë dhe kjo për televizionet e vogla është një “sforcim” i madh që detyrimisht duhet të përballohet në të kundërt konkurrenca do të bëjë të vetën. Eduard Leli është pronari i televizionit “Amantia” në Vlorë, i cili ka rreth 20 vjet që transmeton në qytetin më të madh bregdetar në vend. Ai e vlerëson si të nevojshëm procesin e dixhitalizimit dhe se përgatitjet duhet të ishin bërë prej kohësh. “Dixhitalizimi është diçka pozitive dhe ne jemi të informuar për detyrimin që kemi për ta përmbushur. Megjithatë duhet të theksohet se kjo nismë kërkon investime dhe ne, televizionet në rrethe nuk kemi kapacitete. Janë investime që mund të shkojnë në mijëra euro”, thotë z. Leli.
Investimet e larta nga njëra anë dhe tarifat që duhet të paguhen kundrejt televizionit publik shqiptar në anën tjetër, mund të bëhen shkak që stacione të ndryshme televizive në vend të mbyllen. Tek e fundit tregu do të jetë ai që do të seleksionojë dhe do të bëjë që në të të rrinë vetëm ata që do të kenë kapacitete të mjaftueshme.
Edhe Albana Kraja, drejtuese e marketingut në televizionin “Star” në Shkodër, thotë se ky proces është i pashmangshëm dhe se nga ana e tyre janë bërë investimet e nevojshme për transmetimet në format HD. Ky televizion ka rreth 3 vjet që është “on air” dhe siç thotë edhe znj. Kraja, aparatet janë që të gjitha të teknologjisë së re.
Tarifat, sipas znj. Kraja që do të duhet të paguhen për të bërë të mundur transmetimet dixhitale janë një çështje që duhet të analizohet dhe se do të kenë ndikim. Sipas saj, subjektet që nuk do të mund të përballojnë kostot do të shkojnë drejt mbylljes.
Tarifat mujore që duhet të paguajnë operatorët lokalë (qiraja për përdorimin e platformës së ngritur nga transmetuesi publik RTSH) variojnë nga rreth 1000 euro/muaj në rrethe në 2000 euro në Tiranë. Ndërsa për televizionet lokale në Tiranë mund ta përballojnë një tarifë të tillë për rrethet kjo vlerësohet si tepër e lartë.
Leli i “Amantia” e vë theksin te tarifat që do të duhen të paguhen nga lokalët ndaj televizionit publik (1,000-1,300 euro) duhet të rishikohen, pasi janë të larta dhe se shteti duhet të krijojë lehtësi. Ai thotë se për mediat lokale një problem i ndjeshëm ka të bëjë edhe me të drejtat e autorit, për të cilën po fillohet të paguhet. Sipas tij duhet të ndiqet shembulli i Greqisë, e cila takson mediat vizive 4% të xhiros për të drejtat e autorit, ndërsa në Shqipëri ndodhin absurde të mëdha.
Në Tiranë, drejtuesit e disa prej televizioneve lokale pranojnë gjithashtu se ky është një proces i domosdoshëm. “Kostoja është disi e lartë, por është detyrim ligjor për të gjithë operatorët e tregut”, thotë Elvana Hana, drejtuese e televizionit “Scan”. Ndërsa drejtuesi i programacionit në “Vizion Plus”, Gjergji Memo thotë se për televizionet analoge lokale, kjo konkurrencë do të jetë më e fortë për shkak se ato do të transmetojnë në të njëjtën platformë, së bashku me televizionet e mëdhenj dhe të konsoliduar.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm ka të bëjë edhe me marrëdhënien që do të duhet të zhvillohet me operatorë të ndryshëm televizivë, siç janë ata që transmetojnë përmes rrjetit kabllor. Kjo kategori do të duhet të hyjë në marrëveshje me televizionin publik për të shfrytëzuar rrjetin e tij, natyrisht përmes disa tarifave të përcaktuara.
Për të mos krijuar vështirësi financiare, nga këto investime do të lihet një periudhë “tranzitore” ku do të mund të zbatohet si platforma dixhitale, ashtu edhe ajo analoge.
Sipas ekspertëve të AMA, dixhitalizimi mund të ndikojë negativisht tregun e kabllorëve. Shumë klientë në rrethe abonoheshin tek këta operatorë për të parë kanalet kombëtare, por tashmë me sistemin dixhital ata do mund t’i shohin direkt TV-të kombëtare.
Në lidhje me ndikimet në tregun e reklamave opinionet janë të ndryshme. Për drejtuesit e Autoritetit të Mediave Vizuale, rritja e cilësisë së shërbimit në tërësi do të garantojë më shumë të ardhura, që do të përftohen nga reklamat që do të jenë më të shumta në numër. Nga ana tjetër, bizneset do të kenë më shumë alternativa për të reklamuar dhe për të arritur direkt te tregu i synuar, për shkak të shtimit të kanaleve tematike. Shtimi i hapësirave për të reklamuar mund të çojë dhe në rënie të tarifave të reklamave për sekondë.
Por, drejtuesit e televizioneve lokale thonë se tregu i reklamave nuk pritet të ndryshojë në mënyrë të ndjeshme. Sipas tyre, ka gjasa që tarifat më të lira mund të sjellin një rritje të tregut të reklamave, por kjo mund të ndikojë te cilësia, si dhe në mbushjen e tregut me informacione të panevojshme.

Kostot për aparatet

Një tjetër aspekt i procesit të dixhitalizimit ka të bëjë edhe me kostot për blerjen e aparateve të rinj, dekodera, të nevojshme për të marrë shërbimet dixhitale. Drejtuesit e AMA-s sqarojnë se aparatet e viteve të fundit e kanë të përfshirë këtë pajisje dhe në këtë rast nuk do të jetë e nevojshme blerja e tyre. Në të kundërt blerja e pajisjes është domosdoshmëri. Çdo tip televizori, sado i vjetër të jetë me pajisjen e dekoderit DVB-T2, do të mund të shohë transmetimet numerike.
Në përfundim të procesit të dixhitalizimit, publiku i gjerë do të përfitojë shërbime me cilësi të lartë, më shumë programe të lira (pa pagesë), më shumë shërbime dhe aplikacione të reja, mbrojtje më të mirë për fëmijët dhe më shumë ndërveprim me televizorin tuaj.
Ndërsa për qeverinë shqiptare, ambicia është që deri në vitin 2017, pjesa dërrmuese e shërbimeve të mund të ofrohen online për qytetarët. Sot, si rezultat i revolucionit dixhital, janë 8 kanale dixhitale që mund të transmetojnë në frekuenca, të cilat më parë përdoreshin vetëm nga një kanal analog. Pra, do të kemi më shumë kanale që do të përdorin më pak frekuenca. Kjo do të ofrojë më shumë mundësi edhe për operatorët e rinj për t’u futur në treg.

Televizionet lokale: Konkurrencë e fortë, investime të larta

Televizionet kombëtare i kanë paraprirë më herët këtij procesi dhe në pjesën më të madhe, transmetimet e tyre janë kthyer në platformën dixhitale. Procesi do të jetë më i vështirë dhe me kosto për televizionet që kanë licencë lokale.
Sipas AMA-s, gjatë procesit të dixhitalizimit është parashikuar edhe rritja e numrit të licencave kombëtare. Janë planifikuar të shtohen edhe dy rrjete të tjera kombëtare, pa përfshirë këtu dy rrjetet e operatorit publik shqiptar. Pra, do të kemi 5 operatorë kombëtarë privatë dhe 2 rrjete kombëtare do të jenë për operatorin publik.
Gjergji Memo, drejtor i Programacionit në “Vizion Plus”, thotë se ky është një proces që e kanë kaluar të gjithë vendet e Europës. “Pikënisja ka qenë lirimi i një brezi frekuencash që do të përdoren për qëllime të tjera, që nuk lidhen me transmetimet televizive. Megjithëse numri i frekuencave është zvogëluar, teknologjia e re e përdorur bën të mundur mbartjen e operatorëve analogë ekzistues nëpër platformat dixhitale. Gjithsesi, ky proces e gjen teleshikuesin shqiptar të papërgatitur, sepse në ndryshim nga transmetimet analoge ku çdo gjë ishte pa pagesë, tashmë ai do të ketë një kosto shtesë që lidhet me blerjen e dekoderave. Në Europë, kjo gjë është sponsorizuar nga shteti, ndërkohë që shteti shqiptar nuk ka një strategji të përcaktuar qartë”, thotë z. Memo.
Ndërsa drejtuesja e “Scan Tv”, Elvana Hana, thotë se dixhitalizimi është një proces shumë avangardë, si për tregun mediatik, ashtu edhe për konsumatorët, të cilët janë praktikisht qytetarët. Sipas saj, procesi ka njohur njëfarë ngecjeje.
Në anën tjetër, procesi do të shoqërohet me kosto dhe televizionet pranojnë se janë investime në shuma të mëdha.
“Kostoja është disi e lartë, por është detyrim ligjor për të gjithë operatorët e tregut”, thotë znj. Hana.
Ndërsa drejtuesi i programacionit në “Vizion Plus”, z. Memo, thotë se kostoja mund të përballohet vetëm nga rrjetet që ofrojnë programe PPV.
Falë këtyre investimeve, drejtuesit e televizioneve lokale thonë se do të rritet ndjeshëm edhe cilësia: “Sigurisht që cilësia e transmetimit përmirësohet, mjaft të përmendim që shumë operatorë kanë filluar transmetimin në formatin HD”, thotë z. Memo.
Ndërsa, drejtuesja e “Scan Tv” thotë se televizioni mbetet i fokusuar më tepër te korrektësia e informacioneve, pasi ato janë dhe shumë specifike. “Një teknologji më e lartë dhe bashkëkohore e përcjell më mirë informacionin”, thotë znj. Hana.
Ajo beson se dixhitalizimi do të ndikojë për mirë, për të gjithë operatorët televizivë.
Ndërsa drejtuesi i programacionit në “Vizion Plus” thotë se për televizionet analoge lokale, kjo konkurrencë do të jetë më e fortë për shkak se ato do të transmetojnë në të njëjtën platformë, së bashku me televizionet e mëdhenj dhe të konsoliduar.
Për pronarin e televizionit “Amantia” në Vlorë, Eduard Leli, për ato subjekte që janë të rregullt në përmbushjen e detyrimeve dhe janë të rregullt me pagesa ndaj shtetit ky proces do të ndikojë në rregullimin e tregut. Televizioni që ai drejton së fundmi ka rinovuar licencën e transmetimit për 7 vitet e ardhshme, ndërsa thotë se kanë marrë njoftimin se vitin e parë do të mund të transmetojnë në analog, por më pas duhet të kalojnë në dixhital.
Për drejtuesen e marketingut të “Star Tv” në Shkodër, Albana Kraja procesi i dixhitalizimit do të ndikojë te konkurrenca, duke nxitur përmirësimin e programacionit, si dhe një cilësi më të mirë të figurës dhe zërit. Kjo do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë dhe pozitiv te audienca, e cila do të marrë shërbim më cilësor.