Berisha: Rama e shumëzon Kosovën me zero

Nga Shqipëria po largohet shtresa e mesme

– Përshëndetje, ndodhemi në Tiranë dhe kam nderin të intervistoj ish-Kryeministrin e Shqipërisë, ish-kreun e PD, zotin Sali Berisha. Zoti Berisha mirë se erdhët!
Mirëmbrëma, mirë se ju gjeta!

– Zoti Berisha, si i vlerësoni marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri këto ditë?
Këto ditë ose këto kohë më shumë se ditë, marrëdhëniet zyrtare Tiranë-Prishtinë përballen me një problematikë të krijuar kryekëput nga Tirana zyrtare, e cila në histori, nga viti 1941 e deri sot, periudhat më të shumta i ka të tradhtisë kombëtare ndaj Kosovës dhe më të shkurtra i ka të interesit kombëtar. Marrëdhëniet e krijuara këto kohë, që nuk janë vetëm të këtyre kohëve, që kanë filluar me ardhjen në pushtet të Edi Ramës, janë trashëgimi e grupit të Ramës nga etërit e tyre. Pse e them këtë? Ishte akt shumë i rëndë dhe nuk u vlerësua aq sa duhet, ndofta as në Kosovë se në Shqipëri jo e jo, vizita e tij e parë e rrufeshme në Prishtinë, fjala e tij në Parlament që detyroi deputetë të LDK të dalin nga Parlamenti. Në një akt shumë të rëndë, por plotësisht të imponuar.

– …gjithsesi LDK ishte në opozitë…
LDK në vitin 2013 braktisi Parlamentin për shkak se ai (Rama) si Kryeministër, në ditën e tij të parë dhe pa bërë betimin tek Presidenti i Republikës, pa marrë votëbesimin vrapoi me një vrull për të cilin s’mund ta qortosh, me një padurim për t’u paraqitur edhe para publikut të Kosovës si Kryeministër i Shqipërisë, por vrapoi me flamurin e përçarjes së plotë të Kosovës, me flamurin e një fraksioni të vogël në Kosovë, që mohon veprën e pavdekshme të Rugovës dhe të njëjtën gjë bëri ky duke menduar se në këtë mënyrë do të mund të rishkruante historinë dhe duke vazhduar kështu në vazhdën tërësisht të etërve të tyre.

– Megjithatë në këtë vizitë a shihej një rendje që të merrte simpatinë e kosovarëve pikërisht me kësilloj veprimesh, që ende pa bërë betimin në Shqipëri të vinte të mbante fjalim në Kosovë?
Absolutisht, në këtë aspekt ishte veprim për t’u përshëndetur, se pavarësisht se nuk kishte bërë betimin i tregoi qytetarëve të Kosovës ndjenjat vëllazërore që ushqen ndaj tyre, por ai erdhi me flamurin e përçarjes, flamur të cilin e kanë mbajtur për 50 vite me radhë drejtuesit e PPSH, paraardhësit e Edi Ramës. Duhet të theksoj se ata kanë mbajtur flamurin e tradhtisë kombëtare. Që në themelim e deri në fund, Kosova ka qenë e tradhtuara e madhe e udhëheqjes politike shqiptare.

– Po vazhdon kjo tradhti edhe me socialistët?…
Jo, është një situatë tjetër tani. Tani Kosova është shtet i pavarur, ka institucionet e veta të pavarura dhe atë që i ka bërë Kosovës udhëheqja politike e Shqipërisë, që nga themelimi i saj, e themeluar dhe drejtuar nga Dushan Mugosha… Njerëzit e kanë të vështirë ta shohin historinë drejt në sy, por Enver Hoxha nuk u emërua sekretar i parë në atë mbledhje. Atij iu dhanë çelësat e financave. PKSH-në e mori në drejtim Mugosha, pra e udhëhoqi një serb. Natyrisht këtu ka dy anë: e udhëhoqi drejt luftës dhe kjo ishte anë pozitive nuk mund ta injorojmë, por e udhëhoqi drejt vendosjes së saj në funksion të plotë të interesave serbe dhe kundërshtim të interesit kombëtar. Dhe kjo faktohet shumë thjesht. Në shtator të 1943 u mblodhën palët që luftonin, Fronti Nacional Çlirimtar dhe Balli Kombëtar, në një fshat këtu afër Tiranës, në Mukje, një konferencë që ndofta pas Lidhjes së Prizrenit dhe Kongresit të Manastririt është një akt tjetër madhor i bashkimit kombëtar. Aty nuk pati përfaqësues të Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës, sepse LÇK në atë periudhë kishte problematikën e vet, por ajo konferencë firmosi një dokument, në të cilin përcaktohej zgjidhja e çështjes kombëtare në kuadrin e Shqipërisë etnike, çka do të thoshte se shqiptarët duhet të luftonin kundër okupatorit nazifashist, por shqiptarët do të luftonin së bashku në të gjitha trevat ku ishin, bashkë me Kosovën. Ndërkohë që Enver Hoxha kishte dërguar njerëzit e vet, shqiptarë nga Kosova në tërësinë e tyre, për të luftuar nën autoritetin e një formacioni që s’ekzistonte më si formacion zyrtar. Nuk kishte më Federatë Jugosllave në atë periudhë. Federata ishte inekzistente, madje nuk ishte shpallur akoma nga Tito. Kur ky, në vend se të ndihmonte në ngritjen e njësive partizane të Kosovës, të pavarura nga njësitë serbe, dërgoi emisarët e vet për të ngritur njësitë luftarake partizane në Kosovë nën autoritetin e Partisë Komuniste të Serbisë, madje për ta plotësuar këtë kuadër futi dhe Tropojën dhe një pjesë të Shqipërisë së Veriut nën ombrellën e Kosmetit, që ishte shtabi nacional-çlirimtar i Kosovës. Pra, ky ishte një akt i madh tradhtie kombëtare. Konferenca e Mukjes është përgatitur fund e krye nga këshilltarët dhe misionarët anglezë dhe absolutisht me një qëllim jashtëzakonisht pozitiv për Shqipërinë. Një javë mbrapa është grisur dokumenti me urdhër të Dushanit. Natyrisht këtu, përveç urdhrit të prerë të Dushanit për të grisur atë dokument, ishte dhe interesi personal i Hoxhës sepse konferenca, përfaqësuesit e Enver Hoxhës firmosën njësitë partizane që do të komandoheshin nga një tribun legjendar siç ishte Abaz Kupi dhe komiteti i shpëtimit kombëtar do të kryesohej nga një intelektual i shquar, drejtues kryesor i Ballit Kombëtar, Hasan Dosti. Pra, duke mos dashur të ndajë dhe pushtetin, kjo i leverdisi duke hedhur në kosh marrëveshjen.
Në fund të vitit, dhjetor të 1943 u firmos marrëveshja e Bujanit, në të cilën kanë firmosur dhe serbët.
Cila ishte marrëveshja e Bujanit? Marrëveshja ishte identike me rezolutën e OKB që do të votohej dhjetëra vite më vonë, që i njihte popullit të Kosovës të drejtën për vetëvendosje. E drejta e vetëvendosjes ishte e sanksionuar edhe në Kartën e Atlantikut të aleatëve. Menjëherë mbrapa, marrëveshja e Bujanit u shkelmua nga Hoxha dhe nga Partia Komuniste serbe. PKS mbajti një qëndrim më dinak sepse kërkonte të përdorte atë marrëveshje, jo t’i jepte pavarësi Kosovës, por të përfshinte Shqipërinë dhe të krijonte një Republikë të 7-të jugosllave. Dhe këtu është deklarata e Titos e vitit ’46 që thotë se territoret shqiptare të ish-Jugosllavisë do t’i aneksohen Shqipërisë. Pra, Titoja po krijonte Shqipërinë etnike nën pushtimin jugosllav, serb, për të cilën Tirana zyrtare ishte 100% dakord.

– …dhe çfarë e ndaloi?
E ndaloi Stalini, për rivalitetin dhe kundërshtitë që pati me Titon. Faktikisht Hoxha, në kundërshtim dhe në të kundërt me atë që kanë thënë tekstet e historisë, jo që nuk pengoi divizionet e Titos të vinin në Shqipëri, por firmosi që divizionet e Titos të vinin në Shqipëri. Firmosi bashkimin doganor, bashkimin monetar dhe në fund, ekziston letra ku i thotë kërko ti që të bashkohet Shqipëria se po ta kërkoj unë nuk bëhet kaq e rëndësishme në botë sa po të kërkojë vetë Marshalli që Shqipëria të bashkohet me ish-Jugosllavinë.
Kështu që në tërësinë e vet, historiku i Tiranës zyrtare është historiku i tradhtisë kombëtare në dekada. Pas rënies së perdes së hekurt kjo histori ndryshoi në mënyrë thelbësore. Por, nëse PKSH u themelua nga Mugosha dhe serbët shfrytëzuan mandatin e Kominternit për të realizuar qëllimet e tyre ndaj shqiptarëve, themelimi i Partisë Demokratike të Shqipërisë vendosi si çështje kryesore, si yll polar të saj çështjen kombëtare. Ndërkohë ishte themeluar edhe në Kosovë partia e parë antikomuniste në Ballkanin e diktaturave komuniste, që ishte LDK dhe ndryshoi në mënyrë thelbësore politika e Tiranës zyrtare ndaj Kosovës.

– A po mundohet Serbia sërish dinake duke tentuar që ta përdorë Shqipërinë që të fillojë negociatat përmes Shqipërisë për Kosovën?
Plotësisht e vërtetë. Jo tani, por që më 2005-2006-2007 Serbia direkt haptazi dhe me kanale të tjera ka bërë përpjekje të mëdha që dialogun ta vendosë me Tiranën dhe jo me Prishtinën. Ofertat që ne të ulemi qoftë dhe me një retreat 48 orëshe dhe të zgjidhim çdo gjë, ishin të përsëritura. Direkt nga udhëheqja e Beogradit…
Kjo ka qenë një tezë e tyre: që ne mund ta zgjidhim shumë mirë bashkë çështjen e Kosovës. Natyrisht refuzimi ishte kategorik. Dhe unë kam punuar që marrëdhëniet midis Tiranës dhe Beogradit të zhvillohen. Është e domosdoshme që të punosh për zhvillimin e marrëdhënieve normale me fqinjët dhe vendet përreth, por me kushtin e vetëm që asnjë diskutim me Tiranën zyrtare për Kosovën nuk mund të bëhet. Në kuadrin e këtyre përpjekjeve unë kam ftuar Tadiç të vinte në Tiranë, e ka pranuar ftesën, do të vinte, u caktua dhe koha, por i ndodhën disa probleme që e penguan të vinte ndonëse ai për takim multilateral kishte ardhur më parë në Tiranë. Kam pritur ministrin e Jashtëm Merkiç dhe e ka patur të qartë që në zyrën time për Kosovën nuk diskutohet dhe i ka qëndruar plotësisht. Kemi diskutuar probleme për çdo gjë përveçse për Kosovën, asnjë fjalë për të.

– Pse kjo tendencë e Serbisë që të diskutohet me Shqipërinë për Kosovën?
Sigurisht, çfaktorizimi i Kosovës i jep asaj një peshë shumë të madhe edhe ndërkombëtare sepse të çfaktorizosh Kosovën do të thotë që edhe bota, edhe ato vende që e kanë njohur do të ridimensionojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës. Nuk është më Kosova ajo për të cilën ne kemi menduar për pavarësinë e saj dhe e kemi mbështetur, por është një faktor më i vogël për të cilën Tirana mund të vendosë. Dhe kjo është shumë e gabuar!

– Mendoni se ka rënë Rama në këtë kurth?
Edi Rama nuk ka interes kombëtar. Edi Rama është i zhveshur ndaj çdo interesi kombëtar. Edi Rama ka qenë kryetar bashkie kur ka dekoruar Bregoviçin dhe i ka dhënë, i ka vendosur në gjoks çelësin e artë të Tiranës. Mendoi kush se e ka bërë pa qëllim? Absolutisht. Madje do ta tregonte për burrëri dhe heroizëm në vizitën e fundit se kur ja dha çelësin sa gjë e madhe ishte ajo. Çfarë gjë e madhe është të nderosh një të këngëtar të xhelatëve të shqiptarëve në Kosovë? Çfarë merite paska këtu? Ai, po qe se do të kuantifikohet në material veprimi i tij amoral, ai do të ishte i barabartë me njerëz që kanë kryer krime lufte. Rama nuk është budalla. Ai ka probleme psikike të sigurta, por budalla nuk është. Mendon kush se e zgjodhi rastësisht Ivo Andriçin për ta cituar, i cili është një nobelist kriminel. Gjëja më e madhe që mund të bënin artistët dhe shkrimtarët shqiptarë do të ishte të çonin në komitetin Nobël, të çonin dokumentacionin, të paktën për vetëdije, se i ka dhënë çmimin një krimineli, që për shqiptarët është një nga doktrinarët më të rrezikshëm sepse është recent, sepse është nobelist, sepse ka qenë me peshë në mendimin serb. Dhe e zgjodhi kot Rama mendoni ju? Këto janë veprime, të cilat Rama i bën vetëm për të treguar se shumëzon me zero Kosovën dhe interesin kombëtar. Ndaj dhe ata, të cilët e marrin Ramën për hero.
As vetë nuk do ai. Ai madje çuditet kur të tjerët mund t’i thurin lavde. Një njëri që bën këto veprime nuk do. Të paktën ai tregon si është.

– Të paktën foli për Kosovën… apo në emër të Kosovës, kjo është dilemë…
E para një herë, ai foli aty në emër të Kosovës. Nuk po them herën e parë. Herën e parë absolutisht dhe e kam dënuar qëndrimin e Vuçiç. Natyrisht të jem i hapur, jam çuditur me jehonën folklorike që pati tek shqiptarët kërkesa e Ramës që Serbia të njohë Kosovën, sepse atë kërkesë Serbisë ja kishin paraqitur qindra herë qindra zyrtarë të të gjitha atyre vendeve që kanë njohur Kosovën dhe në mënyrë të veçantë përfaqësuesit e fuqive të mëdha dhe është jashtë çdo lloj imagjinate që përfaqësuesi i Shqipërisë të mos mund të thoshte një gjë të tillë, por që e tha bëri mirë, kurse herën e dytë ai shkoi i tëri sikur për të dëshmuar që ai është i mandatuari i shqiptarëve kudo që janë në një kohë që ai nuk përfaqëson interesin e tyre, sepse interesi kombëtar është një dhe i pandarë. Çfarë bën ai? A i kontribuon Edi Rama procesit të normalizimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd dhe marrëveshjeve të firmosura që nuk zbatohen nga pala serbe? Zero, përkundrazi, e bën më hezitante palën serbe…

– A gjen shpresë pala serbe te ajo kauza e tyre që të hapë bisedime me Shqipërinë duke folur Rama në emër të Kosovës?
Asgjë s’ka të pamundur në politikë. Politika është arti i të vështirës, i të pamundurës. Në këtë kontekst ata edhe mund të shpresojnë, por ata dhe Edi Rama do të dështojnë…

– A ka shpresë Edi Rama?
Padiskutim. Nuk mund të firmoste Edi Rama kurrë një dokument, i cili ishte trilateral, si një dokument të dyanshëm bilateral. Po i lë ato çka tha, fjalët. S’po merrem me to. Po dokumenti, i cili përfshinte projekte, rrugë e hekurudha që kalonin në Prizren, Pejë, Prishtinë etj., si mund të firmosej me Beogradin kështu?
Edi Rama e di shumë mirë, por e bën me qëllim për t’u paraqitur si patroni i shqiptarëve dhe në këtë rast si interlokutor i vetëm i Beogradit. Ai ishte një akt shumë i rëndë.
Shqipëria nuk ka ndonjë kufi me Serbinë. Të jemi realistë, problemet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve me Serbinë janë ato të Kosovës. Atëherë ky, del tani dhe na firmos marrëveshje për një shtet, i cili është në konsolidim e sipër të pavarësisë, por në asnjë lloj rrethane, në asnjë lloj ligji e të drejte ajo marrëveshje nuk mund të firmosej dhe nëse ka, nuk besoj, faktorë ndërkombëtarë që inkurajojnë këtë, ata kontribuojnë në destabilizimin e rajonit. Nuk besoj të ketë e them, sepse marrëveshjet që ndërmjetëson Brukseli janë të një rëndësie shumë kryesore për rajonin, janë të një rëndësie përcaktuese për të ardhmen e paqes apo të luftës në rajon. Dhe Edi Rama nuk duhet të luajë me këto.

– Ka rrezik që nga këtu marrëveshjet të destabilizohen?
Jo po, o do të zgjidhen problemet me negociata dhe me paqe ose do të vijë një moment që do të zgjidhen me luftë se të pazgjidhura përjetësisht nuk mund të mbeten çështjet. Rëndësia e marrëveshjeve të Brukselit është jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët, këto marrëveshje janë plotësisht në avantazhin e tyre. Natyrisht nuk them këtu që s’duhet patur vëmendje të madhe në klauzolat e tyre, por në tërësi këto janë marrëveshje, të cilat normalizojnë marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe prodhojnë paqe e stabilitet në rajon.

– Edhe pa u implementuar…?
Marrëveshje janë firmosur shumë dhe do të firmosen marrëveshje, kryesore është implementimi, zbatimi i tyre. Atëherë kjo është çështja më delikate, ky është momenti më delikat. Këtu Shqipëria nuk mund të bëjë as dhe një çerek hapi pa kërkesë të autoriteteve të Kosovës. Këto janë hapa që trashëgimia e PPSH dhe e kësaj partie është problematike. Fatos Nano takonte Millosheviçin. Mund ta takonte në vlerësimin tim vetëm në një rrethanë: kur këtë ta kërkonin autoritetet e Kosovës përndryshe asgjë nuk shërben. Ndonëse ç’është e vërteta nuk firmosi gjë. Kthyen një shishe uiski të dy në 90 min takim…

– Megjithatë disa subjekte politike kanë marrëdhënie të jashtëzakonshme me Edi Ramën. Flas për Partinë Demokratike të Kosovës.
Marrëdhëniet midis partive janë gjë normale dhe unë jam i bindur se Partia Demokratike e Kosovës, që është sot parti në pushtet, që ka presidentin, ka Ministrinë e Jashtme etj., është partia kryesore, kjo nuk mund të pajtohet kurrsesi me këto qëndrime..

– Ministri i Jashtëm Hoxhaj i kundërshtoi, foli në emër të qeverisë së Kosovës…
Ja panë me të rëndë mediat, por ai kishte shumë të drejtë. Deklarata e tij ishte një deklaratë in extremis sepse nëse ti kryen veprime pa asnjë lloj ujdie me përfaqësuesit e Kosovës dhe veprime që implikojnë direkt Kosovën, për llogari të kujt e bën ti këtë? E bën për llogari të Shqipërisë? Jo. Shqipëria dhe shqiptarët në këtë rast kanë një dhe vetëm një interes: atë që ka Kosova. Sot për sot, krahas procesit të integrimit interesi më madhor i shqiptarëve janë marrëveshjet me Serbinë dhe zbatimi i tyre. Po e marrim në një formë tjetër. Dikush mund të thotë është bashkimi kombëtar. Nuk jam kundër, nuk them jo. Por bashkimi kombëtar, bashkimi i dy shteteve të pavarura të konsoliduara në dakordësi me komunitetin ndërkombëtar. Çdo variant tjetër i pretenduar për të ecur drejt bashkimit kombëtar është absolutisht variant që i intereson shumë Beogradit.

– Betimi i luftëtarit të UÇK ka qenë bashkimi me Shqipërinë…
Çdo luftëtar që ka vdekur për liritë ka vdekur për bashkim kombëtar. Kudo. Kjo është e pamohueshme dhe ky amanet, kjo trashëgimi nuk mund të tjetërsohet dhe nuk ka ideal më sublim, më të lartë, më suprem se sa ideali i bashkimit kombëtar. Si do të ndodhë, çfarë duhet bërë?
Së pari, një herë duhet të njohim të vërtetat që 50 vite ndasi, me një kufi me tela me gjemba, kanë krijuar një mur të padiskutueshëm, akull në të dy anët e kombit. Unë i kam sot të freskëta ditët, kur përpjekjet e mia për Kosovën ngjallnin në Shqipëri reagime të forta kundra meje. Unë jam realist dhe duhet të shoh historinë siç është. Por erdhi një moment, dhe ky moment ndodhi në kohën e fatkeqësisë së Kosovës, kur në Shqipëri erdhën 800 mijë të ardhur nga Kosova atëherë shqiptarët realizuan se cilat janë detyrat e gjakut, detyrat e vëllait. Dhe i bënë. Unë kam shëtitur çdo cep të Shqipërisë për të takuar të ardhurit nga Kosova …

– Po heziton t’i quash kosovarë?
Refugjatë s’po i them… Dhe, në atë fatkeqësi kombëtare aty kam parë dhe një mrekulli kombëtare sepse u ndërgjegjësuan masivisht shqiptarët se kanë një vëlla, kanë një motër dhe që është e tyre, dhe që janë një. Dhe kjo pati një rëndësi shumë të madhe. Ndarje të tjera janë të shumta. Infrastruktura mizerabël, e ngelur si në vitet ’40. Përsëri duhet të themi që gjuha u unifikua, por u unifikua nën presion dhe në një akt padrejtësie historike që edhe sot nuk marrin përsipër ta korrigjojnë.

– Duhet korrigjuar?
Padyshim duhet korrigjuar. Këto ditë jemi në ditët e gjuhës, ditët e Kongresit të Manastirit. Nëse ka një rrezik madhor kombi ajo është gjuha. Se po u vu në rrezik gjuha, u vu në rrezik kombi, identiteti, kultura. Çfarë ndodh sot? Ke një krah që vrapon me flamurin e gegnishtes, ke krahun tjetër që i qëndron fanatik standardit që ia imponoi Enver Hoxha dhe faktikisht standardi po shket çdo ditë e më shumë. Ata, të cilët po i largohen standardit bëjnë një gabim fatal sepse standardi nuk është për t’u zhdukur, standardi është për t’u amenduar, për t’u përmirësuar. Se nuk është zgjidhje të ecim drejt gegnishtes së pastër dhe nuk ka qenë ky standardi. Ajo që quhej Komision nuk zgjodhi as Shkodrën, as Vlorën, nuk zgjodhi as Prishtinën, por zgjodhi Elbasanin. Pra, faktikisht këtë që po bëjnë disa të ngutur, shumë të ngutur, dhe mendoj që me shumë lehtësi po e marrin duke mos menduar dëmin që i krijojnë kombit. E dyta, këta të cilët kanë shkruajtur vëllime të tëra “rroftë standardi, lavdi standardi” tani nuk mund të shkelin mbi veprat e tyre. Janë gjuhëtarë, janë studiues dhe kanë shumë gabim, kanë përgjegjësi shumë të rëndë. Është e domosdoshme që të ulen mendjet e letrave, të gjuhës dhe të amendojnë standardin. Është fakt i pamohueshëm që delegacionit të Kosovës i është imponuar standardi në Tiranë në mënyra nga më të pandershmet dhe jam një nga njerëzit që e ndiqja me shumë interes sado që mjek, por gjuhën e ndiqja.

– Megjithatë cilat janë gjërat e tjera të mëdha që i ndajnë shqiptarët? Së fundmi ka filluar të qarkullojë ideja e kombit kosovar.
Është një marrëzi, një trashëgimi e kohës së Titos. Pse e them unë këtë? Tito dhe grupi kroato-slloven i udhëheqjes politike jugosllave, ata ishin magjistarë për të nxjerrë nga librat dhe doktrinat e shkuara të gjitha llojet e koncepteve në ish-Jugosllavi, për të krijuar nocione, fiktivitete, falsitete. Mbajti nja 18 vjet Xhemal Biediçin derisa i futi një bombë në aeroplan a se ç’i ndodhi, vetëm e vetëm se i duhej kombi mysliman.
Tani, këta që pretendojnë për komb kosovar këta janë fund e krye gjak titist jugosllav. Kudo që të jenë.

– Si rodhën reagimet për kombin kosovar? Janë pikërisht post reagime të atyre deklaratave që i bëri Rama në Beograd.
Nuk mund të marr unë etalon për çështjen kombëtare as Edi Ramën, as ata që reagojnë. Se mos harro se edhe reagimet e këtyre që shkojnë në këtë drejtim ka dejza të Ramës. Si mund të flasësh për komb kosovar kur dihej që kjo është një përpjekje e vjetër e Titos? Këta çfarë bëjnë? Këta nxjerrin nga sirtaret teori të tilla të ndryshkura, të pavlerë dhe e bëjnë absolutisht e tërësisht për konfortabilitet personal, për të mos thënë për qëllime antikombëtare.
Ajo s’mund të krijohet. Ajo është një përpjekje e don kishotëve me mullinjtë e erës. S’mund të krijohet komb kosovar.

– Kaq egër ka reaguar dhe Edi Rama…
Edi Rama s’ka interes kombëtar. Problemi është se ky është një nocion që nuk mund të ekzistojë. Ka një komb shqiptar. Po të lexosh, është shumë interesant se si udhëtarë, konsuj, anglez apo të tjerë të fundit të viteve 700 e fillim viteve 800 pyesin tjetrin në rajon se çfarë je ti, disa thoshin jam i kësaj kishe apo i asaj kishe, kurse shqiptarët thoshin unë jam shqiptar. Po pse je shqiptar? Jam shqiptar se flasim shqip. Ndaj fola për gjuhën. Ajo që ndodh me gjuhën është rrezik i vërtetë kombëtar. Nuk duhet kurrsesi që ne të pranojmë një gjë të tillë.
E dini ç’më tha një mik i imi akademik nga Kosova? Erdhën tha një ditë në akademi tre përfaqësues të Shqipërisë. Të tre kundër, për asnjë lloj ndryshimi dhe ishin të tre nga Shkodra tha. I thashë se të tre mbrojnë ato që kanë shkruajtur për standardin, me mijëra e qindra faqe dhe tani ata, kur mendojnë se duhet të preket standardi, shohin faqet e librave të tyre. Po ky është gabim, standard i imponuar. Standardi duhet të ndryshojë, të pasurohet, duhet të hapet se përndryshe standardi do shkojë drejt zhdukjes.

– Duhet të hapen edhe tregjet. Nuk ka bashkim të mirëfilltë të tregjeve Kosovë-Shqipëri.
Jo nuk ka, jam dakort me ju. Se ky (Rama) është njeri që punon me fasada. Ky u zotua se do punojë me vendosmëri, por faktikisht nuk u bë gjë. Ne përgatitëm një skemë për doganat, morëm modelin slloveni-austri, modelin e brendshëm të BE, këta filluan me zotim për këtë, por shoh që nuk po lëviz asgjë. Edhe një herë them se kjo qeveri, Tirana është problematike në raport me çështjen kombëtare, me interesin kombëtar.

– Çfarë ndodhi realisht me çështjen e shumë përfolur të Portit të Shëngjinit?
Realisht asgjë nuk ndodhi përveç idesë së ekspertëve më të mirë se ai nuk është një port fizibël. Ai që përgatiti një farë maketi, ai nuk e çoi përpara. Po të shkosh në Shëngjin t’i do shohësh një gjë shumë të ngushtë. A mund të bëhët? Mund të bëhet, por do investime të mëdha se port mund të bësh kudo. Edhe malin apo fushën mund ta çash e të bësh port. Në këtë drejtim është jashtëzakonisht e vështirë të mendohej se do mund t’i afrohej Shëngjini Durrësit. Përsëri është port i kufizuar.

– Megjithatë është parë si një lloj tërheqjeje nga ajo fjalë e juaja…
Asnjë lloj tërheqjeje. Kategorikisht. Por po të garantoj se nuk ka patur asgjë reale as nga autoritetet e Kosovës. Sepse për ta bërë atë port, ai është një investim shumë i madh. Unë, gjatë viteve në qeveri jam marrë jo pak me problemin e porteve. Shumë më fizibël dilte ndërtimi i një porti mbi Durrësin.

– Po flisni për Porto Romanon?
Jo, Porto Romano është port energjetik. Por edhe Durrësi ka kufizime. Po të shkosh në Durrës e sheh që sado që t’a zgjerosh, Durrësi është i mbyllur nga qyteti. Dhe e vërteta është që “Deutche Bank” dhe grupe të tjera kishin parashikuar të ndërtonin një port krejtësisht të ri mbi Porto Romanon, ku do t’i jepnin formë tokës dhe zonës në formën e portit. Ky ishte për perspektivën. Sikundër nuk ka dyshim që porti natyral i Shqipërisë është Vlora, sepse aty janë ujërat më të thella. Dhe aty u bë një projekt për ndërtimin e një porti gjigant. Ra kriza financiare dhe ra edhe projekti. Por në vlerësimin tim nuk ka asnjë interes përqendrimi i Kosovës në Shëngjin.
Do shumë shumë investim.

– Kush duhet t’i prijë procesit të pajtimit shqiptaro-serb?
Porcesi i pajtimit shqiptaro-serb nuk po them se është një proçes i vdekur, por është një proçes jashtëzakonisht problematik, sepse ne shumë herë marrim modelin franko-gjerman. Modeli franko-gjerman ishte model i diktuar forcërisht nga superfuqia e botës, SHBA-të. Dhe këtë e thonë vetë francezët dhe vet gjermanët.

– Edhe Ali Ahmeti e thotë këtë. Në intervistën e transmetuar të enjten thotë se duhet patur parasysh modeli gjerman -francez. Megjithatë pretendime territoriale Franca nuk ka patur ndaj Gjermanisë?
Problemi është këtu. Ne na pëlqen ky model, por ai është model i diktuar. Dhe kur dëgjoj francezët ose gjermanët që ne themi të ecim në atë model, ata nën zë qeshin. Po a duhet hequr dorë nga pajtimi? Jo nuk duhet hequr dore. Nuk di deri sot që serbët të kenë kërkuar ndjesë. Çfarë kanë kryer në 80 vite a më shumë në Kosovë…Se ne kemi në memorien tonë luftën e viteve ’98-’99 por ajo e viteve ’45-’47 ka patur katër herë më shumë viktima në Kosovë. Nëse në këtë numërohen 10-12 mijë, në atë tjetrën numërohen të paktën 50 mijë. Vetëm masakra e Tivarit numëron rreth 6 mijë. Harrova të theksoj se, brigadat shqiptare që erdhën gjoja për të çliruar Kosovën faktikisht ndihmuan në mënyrën më të paimagjinueshme instalimin me dhunë të regjimit serb në Kosovë.
Pra, a ka ndërmend Serbia të kërkojë ndjesë për këto? Unë nuk besoj se do ta bëj një gjë të tillë. Serbia ka zgjedhur në mënyrë cinike dhe amorale të bëj viktimën. Nëse vë re takimet e Ramës me Vuçiç, Vuçiç në çdo fjali përpiqet të duket si viktima e konfliktit, si i lënduari i konfliktit shqiptaro-serb, ndërkohë që është xhelati dhe agresori i vërtet i shqiptarëve.

– A duhet të ketë pajtim pa kërkuar falje?
Unë nuk mund të konceptoj se mund të ketë pajtim pa kërkim falje. Para shumë vitesh bëri një gjysëm hapi përpara pastaj u tërhoq. Po ta dëgjosh tani, Kosova është zemra e Serbisë thonë përsëri. Pra, është shumë e vështirë të imagjinosh që serbët të kërkojnë falje. Po midis Nikoliçit sot dhe Pashiqit dikur, përveç ndryshimit se ai ishte një politikan i papërsëritshëm kurse ky është thjesht një radikal i papërsëritshëm, nuk ka ndonjë dallim të madh në qëndrimet dhe konceptet e tyre për Serbinë. Të dy atë qëndrim kanë.

– Jeni ju zoti Berisha ideatori i rrugës së Kombit?
Ideatori i rrugës së Kombit është kjo. E kemi shpallur në ’96 një takim në Kukës. E ka marrë mbrapa Pandeli Majko, i cili si iluminist që është vuri taksën e rrugës së Kombit. E përshëndetëm, mirëpo pasi vendosi taksën futi një brigadë të xhenios, e cila vetëm sa prishi punë në atë segment që bëri dhe nuk bëri asgjë. Pastaj erdhëm ne në pushtet. Sigurisht, ai ishte projekti më kryesor që u bë.

– Me cilin nga liderët kosovarë keni marrëdhënie më të afërta?
Unë kam marrëdhënie normale me të gjithë, pavarësisht se cili është qëndrimi i tyre. Natyrisht unë kam patur, se mohoj, në mënyrë të padiskutueshme trashëgimia ime ishte marrëdhënia me LDK, me Presidentin Rugova dhe në atë kohë kishte vetëm disa parti siç ishte Partia Demokristiane apo Partia e Adem Demaçit dhe me ta kisha marrëdhënie shumë të mira, por natyrisht marrëdhënie kryesore kisha me Presidentin Rugova.

– Vazhdoni të keni marrëdhënie të mira me Isa Mustafën?
Mendoj se shumë të mira i kam.

– Të falsim pak për qeverisjen e Ramës. Ka diçka të mirë në qeverisje, një, sipas vlerësimit tuaj.
Sipas vlerësimit tim kjo qeverisje i ka bërë dëme të pallogaritshme Shqipërisë, në të gjitha aspektet. Ne për fat të keq shumë gjëra jemi të detyruar t’i mësojmë në fatkeqësi, dhe kjo është shumë e hidhur. Diktatura patën të gjitha vendet ish-komuniste, të shkallëve të ndryshme, por atë që i bëri Shqipërisë diktatura, nuk ja u bënë të gjitha diktaturat të marra së bashku vendeve të tjera. Po i lëmë të burgosurit, të pushkatuarit, të internuarit, çfarë ndodhi në vitin ’90, kur u hapën kufinjtë? 25% e kombit u derdh në det ose u largua. Pse ndodhi kjo? Vendi arriti buzë varrit, buzë ekzistencës, e tëra kjo ishte një rrënim i tillë i jetës, i tillë ishte sistemi skllavo-pronar i vendosur në të gjithë Shqipërinë rurale, saqë ata rendën për të shpëtuar frymën. Po marrim këtë qeveri sot. Se unë jam kundërshtar i saj, dhe dëgjuesi natyrisht duhet të ketë rezervat e tij kur unë flas për të. Por ka një tregues përsëri dhe ky është eksodi. Në vitet 2011-2012 pas heqjes së vizave janë të regjistruar nga zyra federale e azilkërkuesve 432 shqiptarë nga Shqipëria. Janë regjistruar jo këtë shtator, por shtatorin që shkoi, 8300 në një muaj të vetëm. Shqiptarët janë të dytët pas sirianëve për azilin, lënë mbrapa dhe afganët. Janë larguar gjatë dy viteve mbi 100 mijë njerëz, por kësaj here jo më njerëzit që nuk kishin kafshatën, por janë larguar shtresa e mesme masivisht.

– Janë larguar edhe nga Kosova po në të njëjtën periudhë..
Jo njësoj, janë larguar dhe ata, por në Kosovë fluksi ra. Dhe ka një gjë tjetër. Emigracioni kosovar bënë edhe bashkim familjesh etj., kurse këtu ka ikje masive. Këtu ikin mjekët, inxhinierët, ikin sepse Edi Rama vret çdo ditë shpresën dhe ofron kanabisin.

– Ka ndonjë gjë të mirë tek Edi Rama si politikan?
Të më thuash ti mua që Edi Rama është një politikan, unë them që ai është një fantazmagorik. Edi Rama politikan nuk mund të bëhet! Atë e ka prurë seriali mashtrimeve në pushtet, por vetëm për politikë që ai nuk është, është një nulitet politik.

– A ju ka tensionuar ju dhe zotin Nano Edi Rama?
Jo absolutisht. Se çfarë opinionesh ka ajo është tjetër punë. Por të vërtetat janë të tjera. Fatos Nano ka dhënë dorëheqjen, se mund të ishte edhe sot në vend të Ramës ndoshta, por Nano është një politikan që humbi zgjedhjet me një përqindje të ngushtë dhe dha dorëheqjen, jo vetëm nga qeveria, por dha dorëheqjen nga partia dhe ja dha atë Ramës. Nano mund të mos jepte fare dorëheqjen dhe sot është në një moshë që mund të krijojë fare mirë një parti tjetër. Sali Berisha humbi zgjedhjet, mund të mos jepte dorëheqjen në mënyrë absolute për asnjë lloj arsye, dha dorëheqjen për shkak të një vendimi të tij prerë të brendshëm, që zgjedhjet e para që unë do humbas, unë do them mirupafshim. Unë kam konceptuar të gjithë jetën time një kontratë me Kosovën dhe një kontratë me Shqipërinë. Me Kosovën, jam përpjekur të bëj çka kam patur mundësi të bëj. Kosova kishte udhëheqjen e vet, fitoi luftën, u bë e pavarur. Eshtë realizimi i ëndrrës sime më të madhe. Asgjë s’kam patur brengë më të madhe se sa Kosovën e pushtuar, ajo ka qenë brenga shpirtërore që nga fëmijëria ime deri ditën që është realizuar dhe e quaj veten më të lumtur e më me fat që unë pashë një gjë të tillë, dhe dhashë atë çka pata mundësi të jap. Bëra me zgjedhësit në Shqipëri, çdo program e kam konsideruar një kontratë. Kam punuar me përkushtimin më të madh ta zbatoj. Zgjodhën kontratë tjetër, mirupafshim.

– A do të riktheheni sërish në krye të PD?
– Kurrë! Largimi im është pa rikthim.

– Si i shihni marrëdhëniet e pasardhësit tuaj zotit Basha me Kosovën? Nuk është që opinioni në Kosovë e njeh mirë..
Normal, sepse ai është një udhëheqës i ri, i një gjeneratë tjetër, por unë i shoh absolutisht me potencial të shkëlqyer. Lulzim Basha ka punuar në Kosovë me përkushtim të madh në ndërtimin e institucioneve. Ka qenë në grupin e atyre që ka mbledhur fakte dhe dëshmi kundër Milosheviçit në Hagë. Me gjysmën e gjakut është Pejan. Lulzim Basha, ka merita shumë të veçanta në rrugën e Kombit, sepse e vërteta është se duke qenë se tek unë presionet nuk ecnin, kundërshtarët e saj brenda dhe jashtë Shqipërie, por sidomos jashtë, që të gjitha lëshonin presionet më primitive ndaj tij. Kurse ai kishte një përgjigje; unë jam ministër për këtë rrugë. Se në fakt, unë atë i kisha thënë. Pse po më emëron mua në këtë post më pati pyetur atëherë. Për këtë rrugë i thashë. Ky është një mision i imi, ne do bëjmë rrugën sikur ç’të bëhet dhe ai i qëndroi dhe përdori të gjithë zotësinë e tij. Lulzim Basha është një politikan shumë i zoti.

– Ka akuza të mëdhaja për vjedhje të parave me rrugën e Kombit
As dhe një qindarkë. Cilido që akuzon është i shpëlarë nga çdo lloj morali.  Çmimi i saj në Shqipëri është të paktën 30-40% më i lirë se i autostradave kroate që ndërtoheshin në të njëjtën kohë, dhe është më i lirë vetëm e vetëm se s’kishte korrupsion. Sepse terreni i Shqipërisë ishte më i vështiri që mund të ekzistonte. Bechtel rendit rrugën e Kombit në dy-tre projektet ndër më kryesoret për nga vështirësitë, është një nga bizhutë e punëve të kësaj kompanie e rendit me La Manshin dhe me një punim tjetër. Ata të cilët nuk dinë, nuk e njohin si ka qenë terreni përpara sidomos nga përtej Rrëshenit e deri në Kalimash, sigurisht tani me rrugën nuk mund ta kuptojnë atë. Çmimi mund të ishte më i lirë po të mos ndodhte katastrofa në tunel, se tuneli lëvizi, shkëmbi i tunelit  ishte 700 m dhe doli i shkrifët dhe aty u bënë edhe punime suplementare, jo pak madje. U mor një ekip që dha zgjidhjen madje, ekip austriako-gjerman, katedër universitare ishte. Në këtë aspekt ajo është autostrada me koston më të ulët dhe në terrenin më të vështirë e ndërtuar në rajon. Cilido mund të shkojë të marrë të dhënat, një një kohë kur ndërtonim ne me 8 apo 9 milionë euro, Kroacia i ndërtonte me 13 mln euro.

– Para se të bëhej kryeministër Edi Rama tha merrni shembull autostradën e Kosovës se si ndërtohet, më lirë dhe më mirë.
Duhen bërë krahasimet, sepse Edi Rama nuk di as njërën e as tjetrën. Por realisht nuk di sa ka kushtuar, por terrenet janë të pakrahasueshme.

– Të ndalemi pak te qeverisja në Kosovë. Si e vlerësoni qeverisjen në Kosovë?
Nuk preferoj të merrem me problemet e qeverisjes në Kosovë. Nuk është se nuk e ndjek, e ndjek jo pak. Them se është treguar një qeveri me mjaft durim, dhe me durimin e saj ka kapërcyer situata të paimagjinueshme..

– Siç janë?
Siç janë gazi në Parlament etj.

– Thuhet se gaz do ketë në rast se rikthehet marrëveshja për demarkacionin…
Ajo është një veprim në vlerësimin tim në kundërshtim flagrant.. Për marrëveshjen di që qeveria po e rishqyrton ose do e rishqyrtojë.

– Nuk ka deklarata publike për këtë?
Jo ka publike. Qeveria ka ftuar në mënyrë të vazhdueshme opozitën që të vijë e të thotë ç’kërkon konkretisht. Por tani ka një gjë. Pse unë kam ca rezerva. Thirra një mik timin dhe më thotë se 13 varre i kam në anën tjetër. Dhe unë i besoj plotësisht që i ka 13 varre në anën tjetër, nuk ka shtuar asgjë. Por problemi është tjetër. Ky harron se të gjitha këto vija janë në troje shqiptare, ky është fati ynë. Këto vija kufiri po hiqen që të gjitha në troje shqiptare. Kjo është e vërteta. Dhe çdo vijë kufiri, përveç nga Veriu i Mitrovicës, që të gjitha janë vija në troje shqiptare. Çfarë do t’u themi ne?
Autoritetet amerikane thonë që është perfekt, se nuk ka asnjë devijim. Ka një deklaratë të tillë nga Departamenti i Shtetit. E kam shumë të vështirë të mos i besoj, të jem i sinqertë. Pse? Sepse i kanë të gjitha mundësitë për t’i verifikuar. Kanë satelitët, kanë çdo gjë. Dhe unë nuk besoj që ta kenë lëshuar këtë deklaratë pa një bazë. A kanë ngelur toka? Kanë ngelur, sepse këto janë të gjitha vija që hiqen në territore shqiptare. Unë absolutisht do ta quaja normale, që përsëri të ngrihet një komision ta rishqyrtojë dhe ta faktojë..

– Pra, ju mendoni që do ishte mirë të rishqyrtohej?
Unë mendoj që duhet punë bindëse, sepse shoh që kundërshtitë aty janë jo vetëm të një pale, ka kundërshtira jo të pakta. Unë mendoj që autoritetet e Kosovës kanë treguar një durim të jashtëzakonshëm, sepse absolutisht, ja ku jam, nuk do ta kisha pranuar një gjë të tillë në Parlament. Jo. As që futeshin dot në Parlament më ata që bëjnë ato veprime. Me bomba? Eshtë e paimagjinueshme të futesh në Parlament me bomba. Nëse do ta çosh vendin në konflikt, atëherë futu me bomba.

– Ju mbështesni figura si Ramush Haradinaj..
Jo shiko, unë nuk pranoj kurrë asgjësimin me dhunë të Parlamentit të Kosovës. Derisa t’i fut mina, fut gazin lotsjellës, t’i e asgjëson seancën. Atë mund ta bësh një herë, por dy herë se bën dot kurrë. Ata i admiroj për durimin. E drejtë është ajo që bëjnë ata, jo qëndrimi im. Duhet të tregosh durim, duhet të tregosh tolerancë, dhe ata i kanë treguar të gjitha këto, por ata, me atë që kanë bërë i kanë bërë një dëm të jashtëzakonshëm Kosovës, dëmë të pakrahasueshme. Nuk vjen kush më për të investuar në Kosovë. Ka ardhur ndonjë kompani këto kohë? Kush vjen të investojë në një vend ku hidhen bomba gazi në Parlament? Asnjëri.

– Dhe për këtë e ka fajin opozita e tëra?
Në fakt, unë thashë se nuk do e kisha toleruar këtë. Mos më pyet tani të bëj unë gjykatësin, por është një gjë që nuk do e kisha toleruar në mënyrë absolute. Edhe po të isha opozitë nuk do e bëja kurrë.

– Qeveria në Kosovë, koalicioni qeverisës ka numra të frikshëm. Çështja e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, shumë kohë pas nënshkrimit që ka bërë ministri i Punëve të Jashtme në atë kohë, Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, shumë kohë më pas është dërguar në Parlament. Dhe duke patur parasysh këtë numër të frikshëm opozitës, sipas arsyetimit të tyre, nuk i kishte mbetur mënyrë tjetër mos ta pengonte në këto forma.
Kishte një mënyrë tjetër opozita. Opozita iu drejtua GJ. Kushtetuese, opozita bënte deklaratën politike se kurrë nuk do ta njohë, dhe kjo është. Nuk është mënyrë ajo që opozita t’i diktojë shumicës me bombula gazi, të shkatërrojë Parlamentin. Pse? Sepse në fakt kjo është rruga e defaktorizimit të Kosovës, e paraqitjes së Kosovës si një shtet invalid. Çdo qeveri ka vështirësi për të kaluar një ligj apo një marrëveshje, nuk është vetëm e tyre kjo, por asnjë qeveri nuk është përballur me një situatë të tillë në Parlament, me futjen e gazit lotsjellës.

– Njëri nga kriteret për procesin e liberalizimit të vizave, dy na kanë mbetur, është çështja e luftimit të korrupsionit dhe e demarkacionit?
Absolutisht e padrejtë. Qytetarët  e Kosovës meritojnë plotësisht liberalizimin e vizave dhe gjykoj se kjo është një gabim që buron nga probleme të brendshme të Bashkimit Europian dhe rroftë sebepi të themi bëni dhe këtë e bëni dhe atë. Probleme të tilla, për përcaktime, për demarkacione e të tilla si këto ekzistojnë edhe në vende të tjera, por ato janë procese që zgjidhen, sepse sot askush nuk shkon drejt luftës për zgjidhjen e këtyre problemeve. Po s’të pëqeu kjo ka Gjykatë Ndërkombëtare, ka Arbitrazh Ndërkombëtar, ka patur raste që vet BE ka krijuar treshen e të urtëve për t’i dhënë zgjidhje, por këto janë probleme që nuk mund të përdoren për t’i mohuar të drejtën e lirisë së lëvizjes qytetarëve të Kosovës. Eshtë një qëndrim absurd. Më vjen keq që e paraqesin këtë kur qëllimi është tjetër kund. Ndoshta është ndonjë nga këto vendet që nuk ka njohur Kosovën e që ka qëndrim jo miqësor ndaj saj dhe krijon probleme aty.

– Pra, BE është i padrejtë me Kosovën?
Plotësisht. Në drejtim të vizave është plotësisht i padrejtë. BE në raport me Kosovën duhet të ketë vetëdije, sepse ka qenë pjesë palcore për shumë vite me qeverisjen e saj, duke patur nën kontroll të plotë pushtetin gjyqësor. Nëse në Kosovë ka korrupsion dhe s’është luftuar korrupsioni, përgjegjësia më kryesore është e atyre që kanë udhëhequr dhe drejtuar drejtësinë e Kosovës. Ndofta kanë dështuar ata, atëherë urdhëro të gjendet model tjetër.

Intervista në InfoBox dhënë drejtorit të RTV Dukagjini, Ermal Panduri!