Bajern pa dy titullarë ndaj Rostov

Bajern Mynih do të ketë mungesa të rëndësishme në ndeshjen që skuadra e Karlo Ançelotit luan në Ligën e Kampioneve ndaj rusëve të Rostov. Me ekipin nuk do të udhëtojë portieri Manuel Nojer dhe mesfushori Arturo Vidal, të dy të padisponueshëm për arsye dëmtimesh.
Nojer nuk mund të stërvitej gjatë ditës së sotme për shkak të një problemi në pulpë e si rrjedhojë është vendosur që të lihet pushim për t’u riaftësuar, duke qenë nën vëmendjen e stafit mjekësor që do të qëndrojë në Mynih. Ai pritet të jetë plotësisht i gatshëm për duelin e të shtunës ndaj Bajer Leverkusenit, ndërsa në Ligën e Kampioneve do të luajë Sven Ulreih, për të cilin do të jetë ndeshja e katërt si profesionist me Bajern Mynih.
Ndërkaq, për Vidal parashikohet një mungesë më e gjatë, pasi mesfushori kilian vuan nga dëmtimi i pësuar me kombëtaren e tij. Edhe pse ka shpresa që ai të riaftësohet për fundjavën, në stafin e bavarezëve nuk janë të sigurt se ai mund të luajë si titullar. Megjithatë, Ançeloti do të ketë në dispozicion dy futbollistë të tjerë, të cilët kishin shfaqur probleme në ditët e kaluara, Arjen Roben dhe Havi Martinez të cilët janë stërvitur rregullisht me grupin.