Aksident i rëndë në mes të Tiranës, dy të vdekur

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:20 në Bulevardin “Bajram Curri”, pranë urës së “Bllokut”. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit bënë të ditur se nga aksidenti kanë humbur jetën dy të rinj që udhëtonin me motor, të identifikuar me inicialet, K. H., 21 vjeç dhe E. D., 22 vjeç.
Mësohet se drejtuesi i motorit me targa “AP 105” dhe pasagjeri pas tij ka humbur kontrollin dhe për pasojë është rrëzuar. Ndonëse ata u dërguan me urgjencë në Spitalin e Traumës, nuk kanë mundur t’i mbijetojnë plagëve të marra. Ndërkohë, policia ka shkuar në vendngjarje, ndërsa grupi hetimor ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të këtij aksidenti.
Ndërkohë, një i moshuar ka mbetur i plagosur rëndë, pasi është përplasur nga një automjet në Maliq. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, pranë vendit të quajtur “Kryqëzimi i Libonikut”. Burime zyrtare nga Policia e Korçës bënë me dije se shtetasja A.A, rreth 44 vjeçe, e cila ishte duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen”, me targa AA303 KK, ka aksidentuar shtetasin T.D, rreth 77 vjeç, banues në Libonik, këmbësor në rrugë.