Policia, terror ndaj protestuesve në Fier

Protesta e banorëve të Mbrostarit ka hyrë në ditën e pestë të saj, por ditën e djeshme ata kanë qenë më të shumtë në numër. Të zhgënjyer dhe nga mos realizimi i takimit me kryebashkiakun Armando Subashi në Bashkinë Fier pasditen e të premtes, banorët kanë bllokuar për disa orë segmentin rrugor Fier-Lushnjë, duke paralajmëruar përshkallëzim të protestës deri në mos bindje civile. Si pasojë është bllokuar dhe qarkullimi i automjeteve, duke shkaktuar dhe trafik të rënduar, ndërsa herë pas here banorët janë përplasur me policinë që tentonte t’i largonte nga rruga protestuesit.
“E duam Gjanicën të pastër, mbroni jetën”, u shprehën banorët nëpërmjet pankartave që mbajnë nëpër duar. Njëri prej banorëve u shtri edhe në tokë, pasi pretendon se djali i tij është i sëmurë nga mbetjet toksike dhe i duhet të marrë 300 euro ilaçe për ta mjekuar.
Burra, gra, fëmijë, të moshuar, kërkojnë vetëm një gjë, të jetojnë shëndetshëm! Të kërcënuar nga kushtet e këqia sociale, varfëri, papunësi, mjekësi të rënë përtokë etj., shëndeti i tyre do të rrezikohet edhe më shumë me ndërtimin e impjantit të plehrave. Por, kur sytë t’i zë pushteti, e ardhmja është vetëm sot, s’ka të neserme. Banorët shprehen se tani ka vetëm një kauzë për ata, të luftojnë për një të ardhme që jep shpresë!
Banorët e Mbrostarit shprehen të vendosur për të mos lejuar ndërtimin e impiantit të djegies së plehrave, pavarësisht vendimit të bashkisë. Ditën e premte, ata protestuan edhe para Bashkiaë së Fierit, por mbetën të zhgënjyer nga kreu i Bashkisë Armando Subashi. Të revoltuar, banorët u shprehën kundër këtij vendimi, ndërsa për një moment u desh edhe ndërhyrja e policisë për t’i nxjerrë ata jashtë ambienteve të Bashkisë Fier. Protesta vijoi edhe jashtë dyerve të Bashkisë, ku në shenjë revolte, banorët u shtrinë në tokë. Protestuesit akuzuan kryebashkiakun Subashi se, i kishte prerë në besë, pasi e kishte marrë vendimin për ndërtimin e impiantit të mbetjeve.
Ndërkohë, qeveria e Ramës ka nisur luftën ndaj banorëve të Mbrostarit. Policia është vënë në ndjekje të tyre, duke i arrestuar dhe duke i dhunuar në komisariat. Edhe gjatë protestës së djeshme, policia ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve dhe i ka kërcënuar me burg, nëse do të dalin sërish në protesta.
Nga ana tjetër, në sulm janë hedhur edhe instancat shtetërore. Mjaft familjarë janë paralajmëruar se do të pushohen nga puna nëse do të dalin në protestë për të kundërshtuar ndërtimin e impiantit të plehrave. Kërcënime me pushim nga puna janë bërë edhe ndaj mësuesve që lejojnë familjarët të dalin në protestë. Megjithë terrorin shtetëror, banorët e Mbrostarit janë shprehur se nuk do të tërhiqen nga protesta e tyre derisa të anulohet vendimi i ndërtimit të impiantit të mbetjeve.