Ndahen në paqe!

Emocione, ritëm i çmendur dhe një befasi e Giroud që i ngrin buzëqeshjen Jose Mourinhos. Manchester United-Arsenal përfundon 1-1 në barazim pas 90 minutash plot intensitet ku Djajtë e Kuq dominuan por nuk fituan. Në kufijtë e epikes rivaliteti mes dy trajnerëve, armiq të vjetër Mourinhon e Wenger siç dëshmon dhe takimi i kortezisë ku i japin dorën njëri-tjetrit pa u parë në sy. Në mungesë të Zlatan Ibrahimoviç i takonte Juan Matas e Martial të vinin në vështirësi Petr Cech në disa raste. Pretendim për 11 metërsh nga Manchester United në minutën e 35 për përdorimin e dorës nga Nacho Monreal, por gjyqtari lejon lojën të vazhdojë, me Mourinhon që nuk arrin t’i besojë syve.
Skuadra e tij vijon të krijojë, por nuk arrin të kalojë portierin që dikur luante për të te Chelsea, me Cech që i përgjigjet mirë Juan Matës në të 37 dhe është thjesht i mrekullueshëm pas katër minutash në goditjen e Anthony Martial. Përfundon me rrjeta të paprekura një pjesë e parë e dominuar nga United me golat që ishin ruajtur në pjesën e dytë. Në minutën e 63 është pikërisht Juan Mata që zhbllokon rezultatin me një goditje kirurgjikale pas asistit të Herreras.
“Old Trafford” në delir, Manchester United komandon, mbetet i ngrirë Wenger, festa është për Jose Mourinhon me skuadrën e tij që vijon të mbetet përpara, duke rezervuar minuta të vështira për Arsenalin. Në minutën e 80 Marcos Rojo shpërdoron një rast të pastër në goditjen e tij me kokë dhe duhet t’i ketë mbetur vërtet peng, pasi një minutë para fundit të kohës së rregullt ndodh befasia e madhe, krosim i Chamberlein dhe Olivier Giroud kërcen mbi të gjithë për të mposhtur De Gean. Surprizë në Teatrin e Ëndrrave, barazim 1-1 në frymën e fundit, Manchester i Mourinhos që zhvillon më në fund një ndeshje bindëse, por nuk shkon më tej se barazimi që e mban 6 pikë larg Arsenalit.
Ndërkohë, skuadra e Mehës ka fitur në Gjermani me përmbysje. Një realizim i pabesueshëm i Marcel Risse në kohën shtesë i dha një fitore shumë të rëndësishme Kolnit në transfertë me Borussian e Moenchengladbahut. 1-2 përfundoi sfida e “Borussia Park”, me miqtë që përmbysën avantazhin e Gladbahut të arritur që në pjesën e parë. Një meritë të veçantë në këtë takim kishte edhe portieri Kessler që në të paktën dy raste shmangu gola të sigurtë. Në minutën e 32-të, Stindl shfrytëzoi pasimin e Traore për t’i dhënë avantazhin e përkoshhëm Gladbahut me një goditje të fortë pranë zonës së portierit. Mirëpo në pjesën e dytë, pikërisht në të 59-ën një top rokambolesk i përplasur në kokën e Modeste gjeti të papërgatitur portierin Sommer.
Kur Gladbahu po tentonte me të gjithë forcat për të gjetur golin e fitores, Risse ekzekutoi në mënyrë të pabesueshme një goditje të lirë, duke i dhënë topit një trajektore të pakapshme për Sommer. Një fitore mjaft të rëndësishme në transfertë arriti edhe Schalke 04, që mposhti me rezultat minimal Wolfsburgun falë golit të Goretzkas në minutën e 82-të.