Kolonja voton sot mes kërcënimeve për Hajron

Sot zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e ri të Bashksië së Kolonjës. Ndonëse po ushtrohet një presion i paparë nga drejtuesit e administratës ndaj punonjësve, zgjedhësit do të votojnë për kandidatin e opozitës, Dritan Hajro. Rama, nga frika e humbjes ka urdhëruar drejtuesit e drejtorive në Kolonjë që të urdhërojnë punonjësit e administratës që të bindin familjarët e tyre që të votojnë kandidatin e majtë. Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka akuzuar Ramën për cenim të fushatës. Bëhet e ditur se, punonjës të administratës publike kryesisht në qytetet Ersekë dhe Leskovik, po ndihen të kërcënuar, teksa Partia Socialiste po i imponon që me çdo kusht, t’u monitorojnë votën, duke urdhëruar që të votojnë me shenja apo simbole të veçanta në fletët e votimit. Sipas tij, qeveria duhet të ndalë forcën e pushtetit dhe të mos urdhërojë drejtorët rajonalë që të bëjnë fushatë në Kolonjë.
Ndërkohë, Kryetari i Partisë Agrare, Agron Duka shpreh bindjen se kandidati i opozitës, Dritan Hajro, do të fitojë pavarësisht presionit shtetëror ndaj zgjedhësve. Duka u bëri thirrje dje qytetarëve në Kolonjë që të votojnë kandidatin e opozitës. Duka në faqen e tij në Facebook shprehet optimist për fitoren e kandidatit të opozitës Dritan Hajro, pavarësisht se kundër tij kanë punuar gjatë fushatës të gjitha strukturat shtetërore.
“Më 20 nëntor, Kolonja do të votojë për Dritan Hajron, kandidatin e PAA-së dhe të mbështetur nga opozita. Ndonëse nuk ka qenë një fushatë e lehtë, pasi kundër nesh ishin të gjitha strukturat shtetërore, dua të falenderoj të gjithë mbështetësit tanë, të gjithë qytetarët e Kolonjës, të gjithë banorët e fshatrave që kanë investuar besimin dhe përkushtimin e tyre në platformën tonë të ndryshimit të madh”, shprehet Duka.
Më tej, Duka shprehet se ka besim se, kolonjarët e mençur e fisnikë, që i kanë dhënë kombit tonë figura të shquara ndër vite, do të dinë të bëjnë zgjedhjen e duhur ditën e dielë, duke votuar për Dritan Hajron. Nuk ka më kohë për të humbur. Kolonja ka nevojë për ndryshim, për më shumë investime, për më shumë punësim. Ne dimë të drejtojmë dhe t’i shërbejmë qytetarëve me përulësi e transparencë. Prandaj ju ftoj t’i jepni besimin me votë kandidatit tonë, Dritan Hajro. Votoni Nr 1. Për Kolonjën”, përfundon Duka.
Edhe kandidati i opozitës, Dritan Hajro u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë. “Eshtë padyshim privilegj për mua personalisht të kandidoj për kreun e Bashkisë, por njëkohësisht përgjegjësi dhe obligim për të bërë më të mirën dhe gjithçka kalon brenda mundësive të mia dhe të gjithë personelit të Bashkisë, për të transformuar tërësisht Kolonjën tonë, vendlindjen tonë, trashëgim të prindërve tanë, si dhe për t’i lënë trashëgim fëmijëve tanë një Bashki, ku do të mund të punojnë dhe jetojnë. Eshtë koha të vendosim për ndryshimin e madh, për një të ardhme tërësisht ndryshe. Është koha të ndahemi një herë e përgjithmonë nga varfëria dhe skamja, papunësia dhe tendenca për t’u larguar nga ky vend i bekuar nga Zoti, por i braktisur nga qeveria. Duhet të jemi të gjithë përpara kutisë së votimit për të shprehur mes votës, vullnetin tonë për drejtimin e Bashkisë”, shprehet Hajro në një postim në Facebook.
Ndërkohë, një banor i Kolonjës ka denoncuar dje kandidatin e majtë për Bashkinë e Ersekës, mjekun Ilia Sefo se, i ka marrë 600 mijë lekë në spital se ndryshe nuk do ta bënte operacion djalin e tij. Hiqmet Kasemi nga fshati Qafëzezë tregon historinë me djalin e tij, duke thënë se ishte doktor Ilia, ai i cili i kishte thënë “nëse e dinte tarifën e punës në spital apo jo”. Në denoncimin e tij, Kasemi thotë se i kishte marrë lekët borxh për të operuar djalin, sepse i kishte plasur apandesiti.

R.POLISI