Diaspora, një Samit i Ramës për Ramën

Gavrosh Levonja

Për kontributin e diasporës në zhvillimin e vendit është folur që në fillimet e viteve ’90-të. Herë pas here, përfaqësues të qeverive të ndryshme të Shqipërisë nuk kanë munguar të bëjnë përpjekje për të angazhuar personalitete të njohur të diasporës, kryesisht nga bota e biznesit, por edhe figura nga qarqet intelektuale të saj pa përmendur individë që kanë lidhje me qarqet politike në vende të ndryshme, ku nuk mungon dhe ndikimi mbi to. Madje, Presidenti Berisha i atyre viteve nuk mungoi të shprehej se, “uronte që presidenti i ardhshëm i Shqipërisë, të ishte një përfaqësues i diasporës. Mirëpo, qoftë nga mosnjohja në thellësi e diasporës, por edhe si pasojë e mënyrës si u zbatua ekonomia e tregut dhe demokracia në Shqipëri, kontributi i diasporës mund të thuhet se mbeti në përmasa minimale.
Edhe ato ç’ka u realizuan ishin më shumë fryt i nismave individuale të përfaqësuesve të diasporës se sa realizime të bazuar në plane e projekte të qeverive të radhës. Në një shikim të parë dhe nisma e kryeministrit të radhës, Edi Rama, për mbajtjen e një samiti të diasporës në Tiranë është për t’u vlerësuar, me shpresën se mund të shërbejë për ndreqjen gabimeve të mëparshme, duke sjellë një ndryshim të dukshëm lidhur me angazhimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë, ku nuk mungojnë dhe ata që kanë pozita të lakmueshme në vendet ku jetojnë e punojnë. Por, duke u njohur me mënyrën e organizimit të këtij samiti, nuk ka si të mos lindin dyshime përsa i përket suksesit në raport me objektivin e tij.
Së pari, nga sa shkruhet për pjesëmarrjen del se cilido shqiptar që jeton jashtë mund të marrë pjesë në këtë samit, mjafton të aplikojë online në websitin e krijuar posaçërisht për këtë samit. Për mendimin tim mjafton kjo, që serioziteti i kësaj nisme të kompromentohet, të paktën në aspektin e fondeve për logjistikën, ku gjithçka është në varësi të numrit të pjesëmarrësve, pa hyrë në modalitetet e zhvillimit të punimeve të këtij samiti.
Ajo që mësohet nga websit-i është fjala që do të mbajaë vetë Rama, e cila nuk mund të jetë tjetër veçse një reklamë për vetveten. Normalisht, qeveria me kohë duhej të kishte një pasqyrë të plotë të atyre individëve, shoqatave e organizatave të shqiptarëve, aktivitetin e tyre në vendet, ku jetojnë e operojnë, cilat janë mundësitë e tyre për të kontribuar në të mirë të Shqipërisë, sa dhe si mund të ndikojnë këto në forcimin e lidhjeve e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe vendeve përkatëse e kështu me radhë. Karakteri fakultativ i pjesëmarrjes në samitin e nëntorit të le të kuptosh se përfaqësuesit e qeverisë shqiptare në vende ku jetojnë shqiptarë nuk kanë informacionin e nevojshëm rreth bashkëkombasve të tyre, gjë që natyrisht është pasojë e lidhjeve të pamjaftueshme të tyre me grupet e komunitetit shqiptar.
Më ka rastisur të marr pjesë në disa aktivitete në shtete të ndryshëm të SHBA dhe në asnjë prej tyre nuk kam parë njerëz nga përfaqësitë diplomatike të shtetit shqiptar. Kam përshtypjen se diplomatët e Shqipërisë, të paktën këtu, në SHBA, janë të ndikuar nga psikologjia e vetë Ramës lidhur me qëndrimin ndaj atyre që konsiderohen si “kundërshtarë” për të mos thënë “armiq”.  Pasojë e mungesë së informacionit është dhe tentativa e dështuar për të emëruar një person nga diaspora si konsull, por që për arsye të cilat nuk janë bërë publike nuk iu dha argumenti nga autoritetet amerikane. Sigurisht, që ndër aplikantët duhet të jetë dhe Bilali i famshëm i cili i bëri një nder jo të vogël kryeministrit Rama katër vjet më parë, duke kontribuar për foton me Presidentin Obama, falë shndërrimit të Ramës në “Bilalicë”.
Para se të hidhte në publik nismën për një samit mbarëkombëtar të diasporës, kryeministri duhej të kishte bërë një analizë të hollësishme të raporteve të shtetit shqiptar me bashkëkombasit që jetojnë në vende të tjera. Në këtë kuadër, ai duhej të kishte para një bilanc me të dhëna të sakta sa biznese nga diaspora operojnë në Shqipëri dhe sa të tjerëve u është mbyllur dera, sa është përfshirë diapora në privatizimin e objekteve të ndryshme, prone publike apo shtetërore, sa janë të joshur shqiptarët e diasporës nga qeveria shqiptare që të braktisin punët e mira që kanë jashtë për t’u kthyer në Shqipëri, pa përmendur numrin e madh të atyre që mbarojnë shkollat jashtë dhe mund të kthehen për të punuar në atdhe. Veç kësaj nga informacioni që jepet në websitin për samitin e diasporës të krijohët përshtypja se gjithçka është ekskluzivitet vetëm i Kryeministrisë në kohën që nuk përmendet angazhimi i ndonjë institucioni tjetër shtetëror i cili mund të kontribuonte qoftë dhe modestisht në një sukses të mundshëm të këtij samiti. Në këtë kontekst as mund të bëhet fjalë edhe për një institucion si presidenca, e cila nuk kishte as informacionin më minimal mbi samitin. Duke marrë në konsideratë dhe kohën kur është planifikuar mbajtja e samitit, në prag të përvjetorit të festës kombëtare ka shumë mundësi, që ky aktivitet do të organizohet vetëm për qëllime propagandistike. Në këtë aspekt, duket se Rama synon ta reklamojë veten dhe si një lider panshqiptar.
Ndërkaq nëpërmjet këtij samiti, ndoshta i ka vënë vetes detyrë të “rilindë” dhe diasporën. Por, mbi të gjitha, samiti i planifikuar nga Rama do të jetë dhe një tullë në godinën e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Të gjitha këto të çojnë në përfundimin se edhe samiti i diasporës do të jetë i barazvlefshëm me fasadat e pallateve dhe zbukurimet e tjera me ideator Ramën.