Çfarë do të bëjë presidenti Trump me Kinën?

“The Guardian”

Në botën sipas Donald Trumpit, liderët e Kinës bënë mirë që e zgjidhën me armë dhe tanke protestën e Tiananmenit; lëvizja pro demokracisë së Hong-Kongut është problem i të tjerëve; dhe Hillary Clinton, e cila ka kaluar dekada me radhë duke u ngritur kundër aborteve të detyruara të Pekinit dhe respektimit të feministeve, duhet futur në burg. Kur aktivistët kinezë të të drejtave të njeriut kuptuan se kush ishte lideri i ri i botës së lirë, u dëshpëruan.
“Trump simbolizon kolapsin e civilizimit”, u ankua Woeser, një bloger tibetian dhe aktivist. “Siç thotë një fjalë e urtë kineze, ai do të largojë dëborën nga pragu i shtëpisë, pa u shqetësuar për ngricën në çatinë e fqinjit”. Ekspertët kinezë thonë se planet e Trumpit për atë që mund të jetë marrëdhënia gjeopolitike më e rëndësishme e botës, janë të panjohura.
“Gjithçka që kemi dëgjuar nga Trumpi deri në këtë pikë është retorika politike”, thotë Paul Haenle, një veteran diplomat amerikan, i cili ka shërbyer si drejtues i Kinës për Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA nën administratën e George W. Bushit dhe Obamës. “Nuk e dimë kush janë këshilltarët e Trumpit. Nuk e dimë kush do të jetë në kabinetin e tij që do të merret me këto çështje. Unë e di shumë mirë që edhe kinezët po përpiqen ta kuptojnë këtë”.
Por teksa qetësohet situata pas ndryshimit befasues politik të zgjedhjeve amerikane, disa janë duke spekuluar se ylli i botës së spektaklit mund të jetë duke u përgatitur për një transformim kolosal të marrëdhënieve amerikano-kineze. Kjo do të thotë se manjati i biznesit të New Yorkut mund të jetë në përpjekje të negocimit të marrëveshjes më guximtare të historisë me liderët autoritarë kinezë. Orville Schell, një dijetar kinez i mirënjohur, i cili ka shkruar gjatë për Azinë që nga koha e Mao ce Dunit, thotë se kjo është duke i frikësuar aktivistët e të drejtave të njeriut, të cilat druajnë se mund të braktisen nga administrata Trump teksa ai përpiqet të krijojë një miqësi të re me Pekinin.
“Ata ndihen në një rrugë pa krye teksa ky lider i madh nis makinacionet e tij për të riformatuar gjërat me Kinën dhe për të demonstruar se është një lider i pushtetshëm dhe negociator i zoti”, parashikoi ai. Schell thotë se beson se, pavarësisht dëshirës së shfaqur të Trumpit për të pasur përplasje me Kinën, presidenti i ri pritet të nisë një transformim të rëndësishëm të marrëdhënies Washington-Pekin.
“Ai ka fituar postin më të rëndësishëm të botës dhe e ka rrëzuar të gjithë institucionin e marrëdhënieve amerikano-kineze”, thotë akademiku, i cili është edhe pjesë e një ekipi prej 20 ekspertësh që po përgatiten të bëjnë rekomandime për politikën kineze të presidentit të ri. “Ai mund t’i ndryshojë gjërat në mënyrën më interesante dhe të paparashikueshme”.
Liderët kinezë kanë ofruar gjithmonë një përgjigje tepër të matur publike kundrejt triumfit të jashtëzakonshëm të manjatit. “Faktet kanë treguar se bashkëpunimi është e vetmja zgjedhje e saktë”, i tha presidenti Xi Jinping presidentit të ri amerikan gjatë bisedës së tyre të parë telefonike ditën e hërë, duke theksuar se marrëdhëniet dypalëshe ofrojnë mundësi dhe potencial të jashtëzakonshëm. Vëzhguesit politikë besojnë se Pekini ka arritur të shikojë menjëherë anën pozitive të fitores së Trumpit.
Shen Dingli, kreu i Qendrës për Studime amerikane në Universitetin Fudan të Shangait, tha se fitorja e Trumpit do të thotë se në Shtëpinë Bardhë do të diskutohen marrëdhënie më bashkëpunuese me Kinën. “Ai është më i mirë se Clintoni në gjithçka”, tha Shen, përpara se të përmendte një listë të gjatë të meritave të Trumpit. Me Trumpin në Zyrën Ovale, Shen parashikon se debatet për të drejtat e njeriut do të shuhen, trupat amerikane do të largohen nga Japonia dhe Koreja e Jugut, avionmbajtëset do të tërhiqen nga Deti i Kinës së Jugut dhe Partneriteti Trans Paqësor (TPP) – të cilin Pekini e shikon si një demonstrim force në shtëpinë e tij – do të rrëzohet.
“Ne duam të bashkëpunojmë pozitivisht me të duke ndërtuar një Amerikë më të fuqishme dhe më të madhe, së bashku me një Kinë më të fuqishme dhe më të madhe”, tha Shen. “Ne e mirëpresim”. Por Schell nga ana tjetër dyshon se është duke u zjerë një tjetër çështje përvëluese. Njëlloj siç ka ofruar bashkëpunim me presidentin rus, Vladimir Putin, ai do të kërkojë gjithashtu të ngrohë situatën e marrëdhënies amerikano-kineze, duke i dhënë një frymë të re marrëdhënies, e cila është ftohur gjatë administratës Obama për shkak të tensioneve për hapësirën kibernetike, të drejtat e njeriut dhe Detin e Kinës së Jugut.
Në fakt duket se të dyja palët janë duke u përgatitur për një ribashkim potencial. Javën e kaluar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze i mohoi fjalët e pabazuara se Trumpi kishte kryer sulme negative kundër Kinës gjatë fushatës së tij. Ditën e hënë, media shtetërore citoi Trumpin teksa i thoshte presidentit Xi se, “të dy liderët do të kenë marrëdhënien më të ngushtë që kanë pasur vendet e tyre”, ndërsa ekipi i presidentit të zgjedhur kishte vendosur një ndjenjë të qartë respekti reciprok të palëve.
Hapi i pari i këtij ribashkimi të paparashikuar mund të jetë një vizitë shtetërore në Pekin ku Trumpi, ndryshe nga Obama gjatë vizitës së tij të fundit në G20, do t’i shtrohej më i kuqi i tapetë të kuq të mirëseardhjes. “Ai do të mahnitej tejmase nga madhështia e pritjes ushtarake, parada, shkëlqimi dhe rituali i mirëseardhjes që kinezët dinë ta bëjnë mirë”, tha Schell.
“Modus operandi i Donald Trumpit është ai i liderit madhështor: Unë jam lideri. Unë e di si duhen bërë gjërat. Merrem unë me të gjitha! Mendoj se në këtë aspekt, ai do të jetë në harmoni të plotë me Kinën dhe Xi Jinping”, vazhdon Schell. “Ndoshta do të çuditemi shumë me shpejtësinë në të cilën do të ndryshojnë gjërat, se si do të injorohen barrierat e mëparshme të vlerave që na ndanin dhe mënyrat konvencionale me të cilat kryhen marrëdhëniet ndërkombëtare. I gjithë kaleidoskopi pritet të ndryshojë duke shfaqur një tjetër figurë”.
Në mënyrë paradoksale, Schell argumenton se mund ketë aspekte të ndërlikuara të këtij ndryshimi tërësor të rrugës. Ndryshimi politik në Shtetet e Bashkuara mund t’i hapë rrugën një transformimi dramatik, afatgjatë dhe të shëndetshëm për atë që është kthyer në një rivalitet helmues që disa ekspertë kanë frikë se mund të çojë drejt luftës dy fuqitë më të mëdha të botës. “Ndonjëherë nevojitet një luftë për të ndryshuar paradigmën, ndonjëherë nevojitet kolapsi ekonomik”, thotë Schell. “Në këtë rast patëm një lloj shpërthimi politik. Nuk duhet nënvlerësuar kurrë aftësia e këtyre forcave tektonike për të riformatuar mënyrën se si ndërveprojnë shtetet me njëri-tjetrin”.
Megjithatë, jo të gjithë specialistët e Kinës janë të bindur se ngritja e Trumpit do të transformojë marrëdhëniet amerikano-kineze. Haenle, kreu i Qendrës Carnegie-Tsinghua në Pekin, tha se nuk ishte i sigurt për bindjen e Pekinit se Trumpi do të imitonte Richard Nixonin, i cili vendosi marrëdhëniet dypalëshe me misionin e tij historik të vitit 1972 për t’u takuar me Maon.
“Nuk besoj se kemi bazë për të thënë se ai është si Nixoni. Mendoj se kinezët po shpresojnë se do të jetë praktik dhe pragmatik në qasjen e tij ndaj Kinës… Ata nuk duan një lider që do të bëjë ndryshime dramatike”. Një nga shenjat e pakta që sugjeron politikën e jashtme të Trumpit në rajon vjen nga një artikull i publikuar në prag të zgjedhjeve nga dy këshilltarët e tij.
Një prej tyre është Pete Navarro, një armik i betuar i Kinës, bibliografia e të cilit përfshin tituj si “Vdekja nga Kina” dhe “Luftërat e ardhshme me Kinën”. Në fillim të këtij viti, Navarro tha për “The Guardian” se, nevojiteshin masa kundër qeverisë brutale dhe autoritare të Kinës dhe e akuzoi Pekinin se kishte shkaktuar trazira në ekonominë amerikane me politikat grabitqare të tregtisë dhe manipulimin e monedhës. Artikulli i publikuar nga “Foreign Policy” vazhdon me të njëjtën frymë. Aty akuzohet Obama se, “ka ftuar agresionin kinez” me tentativat e tij të dobëta për të kundërbalancuar influencën rajonale të Pekinit dhe pretendon se presidenti i Shteteve të Bashkuara deri në muajin janar, ishte vetëm një person “që flet me zë të lartë, por mban në dorë një shkop të vogël”.
She Dingli thotë se është i bindur që lideri i ri i Shteteve të Bashkuara nuk do ta rrëzojë TPP-në, por do të tërheqë forcat amerikane nga Japonia dhe Koreja. Haenle, nga ana tjetër, thotë se artikulli i këshilltarëve sugjeron se kinezët ishin duke e keqkuptuar vullnetin e Trumpit për t’u tërhequr. “Një nga gjërat që ata mendojnë është që Trump do të tërhiqet, asgjë që ata e konsiderojnë pozitive për Kinën. Por nuk jam i sigurt se ai do të vendosë të tërhiqet nga rajoni siç mendojnë. Këshilltarët e Trumpit po shkruajnë jo vetëm për ruajtjen e prezencës ushtarake, por edhe përforcimin e saj… ideja se administrata e Trumpit do të tërhiqet nga marrëdhënia e aleancës nuk më duket shumë realiste”.
Bill Bishop, një tjetër ekspert i çështjeve të Kinës, thotë se rikalibrimi i marrëdhënieve amerikano-kineze shihej si një mundësi, pavarësisht kandidatit që do të fitonte në Shtëpinë e Bardhë, për shkak të rritjes së kohëve të fundit të armiqësisë mes palëve për çështje si tregtia, siguria kibernetike, mungesa e bashkëpunimit të Pekinit për Korenë e Veriut dhe fushat e ndërtimit të ishujve në Detin e Kinës së Jugut. Gjërat nuk mund të vazhdonin më kështu. “Ajo që dukej si diçka e frikshme ishte se nën drejtimin e Clintonit të paktën e dinim se si mund të ishte politika e saj, ndërsa në rastin e Trumpit ndodhemi përballë një lloj shkence, Pekinologji, me pak fjalë po lexojnë gjethet e çajit. Trumpi ka thënë shumë gjëra dhe është e vështirë të kuptosh se çfarë do të ndodhë me saktësi”.
Bishop tha se ishte skeptik për faktin se Trump dhe Xi do të nisnin një marrëdhënie madhore dypalëshe. “Por në të njëjtën kohë, shpresoj vërtet që të bëjnë çfarë është e mundur për të shmangur krijimin e konfikteve të mëtejshme me Republikën Popullore të Kinës”, tha ia. “Ky rrezik nuk është i vogël dhe nëse Shtetet e Bashkuara bëhen më agresive në bashkëpunimin e tyre në Detin e Kinës së Lindjes dhe Detin e Kinës së Jugut apo të risjellë çështjen e Tajvanit në tavolinë, atëherë rreziku i konfliktit është më i lartë seç ka qenë për një kohë të gjatë”.
Schell thotë se mendon që marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kinën janë në prag të një epoke të re, por pranoi se qasja e presidentit të ri ishte tërësisht misterioz dhe tepër i vështirë për t’u parashikuar. “Me aq sa dimë, Trump mund të shfaqet edhe në Penjan dhe t’i thotë liderit Ki Jong Un: Eja të bëjmë një marrëveshje”. Megjithatë, ekspertët presin që ndër fluturimet e tij të para mbi Air Force One të jetë drejt Moskës dhe Pekinit.
“Ai do të shkojë tek liderët më të mëdhenj dhe më të vendosur të botës, të cilët natyrisht do të jenë Xi dhe Putin. Ai do të masë pulsin e këtyre vendeve dhe të tregojë se motoja e tij nuk është politika, nuk është eksperienca, është ‘eja të bëjmë një marrëveshje’. Për këtë aspekt të vetes ai ndihet krenar dhe mendoj se pikërisht atë do të bëjë. Trump ka një ndjenjë madhështie në aftësinë e tij për të bërë marrëveshje dhe marrëveshjet e tij nuk para merren me çështje si të drejtat e njeriut apo vlerat amerikane”.
Për aktivistët e frikësuar të Kinës, të cilët sapo kanë kaluar një goditje të fortë që nga koha e protestave në sheshin Tiananmen, braktisja e mundshme nga Shtetet e Bashkuara do të ishte shkatërrimtare. “Nuk e pranoj dot rezultatin”, thotë Li Maizi, një feministe, e cila kishte fituar mbështetjen e Clintonit kur u burgos nga policia vitin e kaluar në një protestë. Aleatja e fuqishme tashmë ka ikur, është zhdukur nga fryma populiste që u nxit akoma më shumë nga kërcënimet e Trumpit për ta futur kundërshtaren e tij në burg.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI