Basha me Vetëvendosjen: Bashkërendim dhe jo amatorizëm

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti dje në një takim kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosja, Visar Ymeri dhe kryetarin e grupit parlamentar të kësaj partie, Glauk Konjufca. Gjatë takimit u diskutua gjerësisht mbi situatën aktuale në Shqipëri dhe Kosovë. Kryetari i opozitës theksoi se kërkohet një bashkërendim i vërtetë përmbajtësor mes Tiranës dhe Prishtinës në funksion të objektivave të përbashkëta strategjike dhe jo amatorizëm e protagonizëm personal. Në veçanti ky bashkërendim duhet t’i shërbejë forcimit dhe jo zbehjes së rolit të Kosovës në arenën rajonale dhe ndërkombëtare. Në lidhje me ngjarjen e rëndë të vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari në ambientet e paraburgimit, zoti Basha shprehu keqardhjen e thellë për këtë ngjarje dhe nënvizoi nevojën dhe domosdoshmërinë për një hetim të plotë, të besueshëm dhe transparent.