UEFA pezullon 2 vjet Eremenko, doli pozitiv me kokainë

Komisioni i Disiplinës së UEFA-s ka vendosur të pezullojë me 2 vjet futbollistin e CSKA-së së Moskës dhe kombëtares së Finlandës pas testeve antidoping të kryera në përfundim të ndeshjes Bajer Leverkusen-CSKA Moskë në Ligën e Kampionëve, të luajtur më datë 14 shtator 2016 në Gjermani.
Analizat e futbollistit 29-vjeçar e nxorën atë pozitiv me kokainë, një substancë absolutisht e palejuar në listën e Agjencisë Botërore të Antidopingut. Për këtë arsye, duke filluar nga data 8 tetor 2016 deri më 8 tetor 2018, finlandezi nuk do të ketë mundësinë të luajë futboll. Ai mund ta apelojë vendimin brenda 3 ditësh pasi të marrë vendimin e arsyetuar me shkrim.