Shqiptari kapet me kokainë me vlerë 100 mijë euro

Një 35-vjeçar shqiptar është arrestuar ditën e djeshme nga Guardia di Finanza në Venecia për tregti droge. Prej kohësh, shqiptari qarkullonte në sheshin “San Marco” të qytetit të Venecias, duke shpresuar që turmat e turistëve të fshihnin shpërndarjen e tij. Pasi e ndoqi për disa kohë, autoritetet italiane e kapën 35-vjeçarin në flagrancë, ndërsa i dorëzonte disa doza kokaine një gruaje 53-vjeçare italiane. Në xhepin e tij iu gjetën edhe 7 doza të tjera kokaine që i kishte për t’i shitur.
Media italiane “La Nouva” raporton se, policia me këtë aksion goditi një nga protagonistët e tregut të drogës në qytetin historik. Në bastisjen që u bë në shtëpinë e tij, u gjetën të tjera doza kokaine, që sipas policisë arrinin vlerën e 100 mijë euro në tregun me pakicë.