PD, kallëzim penal për Beqen

Ilir Beqaj do të duhet të përballet në Prokurori me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pas shkarkimit me telefon që i bëri vartësit të tij në Tropojë. Kallëzimi penal po përgatitet nga Partia Demokratike, ndërkohë që deputetja Albana Vokshi tha dje në një dalje për mediat, se ky rast tregoi se reforma e Ramës në administratë ka dështuar plotësisht. Sipas deputetes së opozitës, pretendimet e Beqajt për këtë rast nuk qëndrojnë, pasi në rast se drejtori i Fondit të Detyrueshëm të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në Tropojë kishte paguar në mënyrë abuzive për tre muaj një person, ai duhet të bënte kallëzim penal për të. “llir Beqaj ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës me shkarkimin me telefon të drejtorit të Fondit të Detyrueshëm të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në Tropojë, me motivin që nuk mori pjesë në një mbledhje partie. Z.Hajdarmataj me shumë gjasa nuk ka marrë pjesë në Mbledhjen e të deleguarit të Partisë, Beqaj, e nuk ka marrë pjesë as në mbledhjen kur ishte Edi Rama. Këtë krim si duket nuk ia fal dot partia. Ilir Beqaj ka shkelur ligjin dhe Partia Demokratike është e vendosur ta ndjekë deri në fund këtë çështje ndaj po përgatit një kallëzim penal. Ky rast tregoi edhe një herë se reforma në administratën e Edi Ramës ka dështuar, se vendet e punës tregtohen sipas interesit politik e partiak, dhe nuk merret parasysh merita e zotësia. Janë më mijëra nëpunësit e administratës që janë emëruar apo pushuar nga puna për arsye vetëm politike. Emërime me zarf nën dorë dhe shpërblime në kohë zgjedhjesh në këmbim të votës së familjarëve. Meritokracia me Edi Ramën s’është më kriter e s’ka vlerë. Pas bërjes publike të skandalit nga emisionin “Stop”, Ilir Beqaj tentoi të mbrohej, duke sajuar një motiv që rezulton i pavërtetë për shkarkimin, gjë që e implikon atë edhe më tepër. Nëse drejtori i Fondit Tropojë z.Hajdarmataj ka paguar për 3 muaj një punonjës në mungesë, siç pretendon Beqaj, atëherë kjo do të përbënte një vepër penale, dhe ai duhet të kishte ngritur padi. Por fakti që nuk e ka bërë padinë për këtë vepër penale, përbën në vetvete një vepër penale, pasi e ka fshehur (apo moskallzuar) krimin. Edi Rama sot ka bërë sërish propagandë, por nuk ka thënë asnjë fjalë për këtë skandal, duke dhënë sërish mbështetjen e tij për paligjshmërinë, për mashtrimin dhe korrupsionin”, tha deputetja e PD-së Albana Vokshi.