Ndiqen nga Guardia, hedhin në det drogën me vlerë 2 milionë euro

Dy shqiptarët e shpëtuar një ditë më parë në kanalin e Otrantos, janë marrë sërish në pyetje nga policia italiane pas sekuestrimit të 17 thasëve me marijuanë. Fillimisht ata dhanë alarmin, pasi motoskafi me të cilin udhëtonin pësoi një avari. Pas ndërhyrjes së rojeve bregdetare italiane, njëri prej tyre u arrestua, pasi rezultonte person në kërkim, i akuzuar për grabitje.
Disa orë më vonë, Guardia di Finanza-s mblodhi në det 17 thasë marijuanë. Ka qenë një helikopter i agjencisë Frontex që ka parë nga ajri, ndërsa droga notonte në det e ambalazhuar dhe për t’i rezistuar ujit. Nëse hidhej në treg droga kapte vlerën e 2 milionë euro.
Para katër ditësh, trafikantët i vunë zjarrin në Karaburun gomones së mbushur me 2 ton drogë, pasi po ndiqej nga Guardia Di Finanza. Mjeti lundrues u pikas gjatë natës në brigjet e Vlorës, por autorët arritën të largoheshin. Trafikantët braktisën mjetin në Gjirin e Gramës, duke i vënë flakën bashkë me ngarkesën dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur. Gomonia u gjet e djegur, kurse në mjet është gjetur edhe një sasi e madhe kanabis e djegur.
Pak ditë më parë, Guardia di Finanza e Brindisit sekuestroi 400 kilogram kanabis sativa në qytezën San Pietro Vernotico. Një shqiptar dhe një italian kanë përfunduar në prangat e policisë italiane në Brindisi. Sipas agjencisë Ansa, ndaj tyre rëndon akuza e trafikut të lëndëve narkotike. Policia italiane thotë se, droga është “Made in Albania” dhe ishte futur në Itali nga kanali i Otrantos. Droga u gjet në shtëpinë e Luca Sabetta, 37 vjeç nga San Pietro Vernotico, tregtar ambulant i kërmijve. Në pranga ra dhe shqiptari Vezhdan Brahimaj, 48-vjeçar nga Vlora. Shqiptari po ngiste një kamion që u kontrollua pranë shtëpisë së tij në Sabetta. Sipas hetimeve që janë në vijim dyshohet, se droga kishte mbërritur në Itali nëpërmjet kanaleve të trafikut nëpërmjet kanalit të Otrantos.