Me të gjitha format e mënyrat për zgjedhje të lira pa Ramën

Shqiptarët po punojnë për xhepat e një grushti njerëzish

– E hapa duke folur për provimin e madh, atë për datën e negociatave. Risia kësaj here është që pavarësisht nga përgjigjja që do të marrim, risia duket qëndrimi që PD mban, jo ndaj procesit, por tek teknikalitetet. Ndryshe nga çdo herë tjetër në komitet mbajtët një qëndrim të ngurtë, deri sa një deputet kërkoi heqjen e një paragrafit për datën…
Ka një absurd dhe nuk qëndron tek PD. PD ka një qëndrim të konsoliduar prej ditës time të parë si kryetar i saj; Qëndrimi i PD është i qartë, do të mbështesim pa rezerva çdo hap që çon në integrimin europian të vendit. Këtu vendosim një standard, ndryshe nga opozita e mëparshme që bllokoi statusin për 3 vite me pretekstin e Fierit. Lobuam aktivisht me pjesën dërrmuese të vendeve të BE që drejtoheshin dhe drejtohen nga partitë simotra tona. Ne besojmë që çdo hap përpara është aleat për standardet. Shton kontrollin, mundësitë dhe burimet.

– Atëherë pse po dilni kundër këtë herë?
Është sajesë e propagandës qeveritare për trushplarjen e shqiptarëve.

– Megjithatë ju e keni pohuar vetë…
Nuk është ashtu. E keni gabim! Kush e vendos rekomandimin për statusin?! Rekomandimin e bën Komisioni dhe vendimin e merr Këshilli. Parlamenti ka zero ndikim këtu. Është një gënjeshtër, propagandë e pastër qeveritare. Mes datës së rekomandimit dhe 15 dhjetorit ka patur një sesion ndër 13 sesionet, ky sesion nuk ka asnjë rol formal sa i përket rekomandimit. Ka një Komision, 7 nga Shqipëria dhe 7 nga BE. Në 13 takime vetëm 1 herë ka patur rezolutë, gjithë herët e tjera rezoluta ka dështuar dhe atëherë ka kaluar vetëm sepse u tërhoqëm ne. Këtë vit kemi kërkuar që të reflektohet gjendja e rëndë e krimit, lufta kundër drogës dhe zgjedhjet. Kjo nuk ka lidhje me hapjen e negociatave.

– Po Komisioni flet për pesë prioritetet?!
Lajmi i vetëm i mirë është që reforma në drejtësi kaloi me konsensus të plotë. Rezoluta nuk ka asnjë vlerë. Rezoluta duhet të pasqyrojë gjendjen dhe problemet e Shqipërisë dhe t’i kërkosh opozitës që të mos përdorë presionin ndaj Qeverisë, do të thotë të mos ekzistojë, ndërsa të thuash të kundërtën që kjo ishte në dorën tonë, është njësoj sikur notën ta vendosë nxënësi dhe jo mësuesi.

– Ju ofrua një kompromis për rezolutën, për të hequr gjithë paragrafin që bënte fjalë për datën…
Ajo që m’u raportua është që pati një refuzim për të reflektuar këto tre propozime, kriminalitetin, drogën dhe zgjedhjet e lira. PD ka mbajtur qëndrimin si opozitë dhe për rekomandimin jemi pro, por nuk jemi ne ata që e vendosim. Nëse do të ishte në dorën time, do ta firmosja që sonte.

– Nëse më 15 dhjetor nuk e marrim, sigurisht që fajin e ka Qeveria, por ju a ndjeni përgjegjësi?
BE do të vazhdojë të ekzistojë, ndërsa ne do të vazhdojmë të përballemi me një situatë ku krimi është shtrirë në mbarë vendin, droga po shkatërron shoqërinë shqiptare dhe paratë e saj rrezikojnë zgjedhjet e ardhshme.

– Sot jeni akuzuar nga një deputet i maxhorancës se po sabotoni këtë proces?
E gjitha kjo vjen erë si në kohën e diktaturës, ku duhet gjetur një armik. Mendon se opozita ka instrumentat për të bllokuar një proces të tillë?!

– Bëhet fjalë për aksione konkrete në Tiranë…
A nuk vjen erë si një instalacioni çiliminjsh për të shmangur problemet reale të vendit me krimin, drogën dhe zgjedhjet.

– Të trija problemet janë ekzistuese afatgjata dhe nuk po marrin një zgjidhje përfundimtare. Zgjedhjet në Shqipëri nuk janë të lira dhe të ndershme, dekriminalizimin e ngritët ju, shkuat deri në atë pikë për të ndryshuar Kushtetutën për ta përshtatur këtë ligj sepse ishte antikushtetues….
Dekriminalizimi sot nuk zbatohet. Kryeministri ka në dorë me ligj të shkarkojë Elvis Rroshin që rezulton i dënuar për përdhunim në grup në Itali dhe për trafik droge në Zvicër. Ka në dorë të largojë një numër anëtarësh nga grupi i tij parlamentar të verifikuar për një sërë shkeljesh. Ligji për dekriminalizimin nuk po zbatohet sepse janë dhjetra persona, shtyllë e një pushtetit të kriminalizuar. Jetojmë në një Shqipëri ku krimi, droga dhe politika janë bërë njësh kundër qytetarëve shqiptarë dhe ky është një problem që nuk mund të mbyllim sytë ne. Thelbi është ky. Sot në Shqipëri ligjet që janë miratuar me konsensus ose shkelen ose nuk zbatohen. Shembulli është Ligji i Dekriminalizimit. Sa persona janë nxjerrë nga zyrat publike si rezultat i këtij ligji. Ku e ke Elvis Roshin sot?

– Pyesni Prokurorin e Përgjithshëm…
Dmth, fajin e ka drejtësia? Kryeministri, i cili përbetohet për përkushtimin e tij në Reformën në Drejtësi, ka në dorë pavarësisht prej gjendjes si është drejtësia, të bëjë drejtësinë e tij. Ai ka në dorë me ligj ta shkarkojë Elvis Roshin, i cili rezulton i dënuar për përdhunim në grup të një të miture në Itali dhe deportim nga Zvicra për trafik droge.

– Ju thoni, lëre PAMEC-ën, lëre Parlamentin Europian, lëre Komisionin Europian…
Po të lexoni siç e lexon Taulant Balla, është problemi yt, nuk është problemi, as i shqiptarëve. Gjendja e Shqipërisë dhe e shqiptarëve është kjo që është, jo ajo që thotë mazhoranca, jo ajo që thotë Edi Rama. Jo ajo që pretendojnë të tjerët në emër të tij.

– Raporti i PAMECA-s, i thotë Prokurorit të Përgjithshëm, i ka mëshuar tek çështja e Elvis Roshit?
Thërrit PAMECA-n, thërrit Prokurorin e Përgjithshëm, kjo nuk është çështje teknike, kjo është çështje politike, është çështje e vullnetit politik. Nuk mund të fshihet askush për mungesën e vullnetit politik. Një kryeministër që duhej të ishte me të vërtetë i përkushtuar për drejtësi, në këtë rast ka në dorë të bëjë drejtësi, ka në dorë të shkarkojë Elvis Roshin. Nuk e shkarkon, e mban aty. Të dënuarin për përdhunim të një të miture në Itali, të deportuarin për trafik droge në Zvicër. Ka në dorë të largojë një numër anëtarësh nga grupi i tij parlamentar, sepse janë persona të verifikuar me rekorde kriminale. Nuk i largon. Përse nuk i largon? Sepse pa ta nuk ka pushtetin. Pra, zoti Rama ka bërë një zgjedhje të qartë. Këto nuk janë rastësi. Siç nuk janë rastësi që ligji për dekriminalizimin nuk po zbatohet. Përse? Sepse këta persona, Elvis Roshi në Kavajë, Artur Bushi në Krujë, Tërmet Peçi në Tepelenë, Ndoni në Këlcyrë e dhjetëra e dhjetëra të tjerë, janë shtylla të një pushteti të kriminalizuar, i cili sot është përgjegjës se e ka mbjellë Shqipërinë me drogë. Nëpërmjet këtyre e ka mbjellë. Nuk është rastësi që droga e cila ka lulëzuar kudo, në këto zona është edhe më problematike, që në këto zona kemi drogë në aeroport, nuk është rastësi. Ne jetojmë në një Shqipëri, ku krimi, droga dhe politika janë bërë njësh në një konspiracion kundër qytetarit shqiptar jo kundër meje, as kundër Partisë Demokratike, por kundër qytetarit shqiptar dhe ky është një problem para të cilit nuk mund të mbyllim sytë si opozitë. As në Tiranë, as në Bruksel. Të të them edhe diçka tjetër.

– Përse nuk del hashashi sot një nga shqetësimet kryesore të Komisionit Europian?
Para se të nisesha këtu, kam marrë telefonata nga një politikan i lartë italian, i cili më tha, çfarë bëhet? Të lutem të ushtroni presion para qeverisë. I thashë, zotëri, keni hallet dhe problemet tuaja, duhet ta dish që kemi 6 muaj betejë për këtë çështje. Sepse, kishte lexuar artikullin e “Corriere della Sera” sot, a e keni lexuar artikullin?

– Po, e lexova.
Çfarë thoshte? Shqipëria serë droge e Europës.

– Përse kjo nuk shfaqet në raportet e institucioneve ku ne duam të aderojmë?
Nuk është kjo pyetje për t’i bërë kryetarit të opozitës. Nëse mendon që Europa toleron…

-Unë mendoj se është problem kaq i rëndë sa ç’thoni ju…
Si mendoni ju, që nuk është problem droga?

– Absolutisht, e pranon policia çdo ditë.
Ky është problemi më i madh që kemi sot.

–  Ju e thoni, kjo është çështja kardinale, dhe pse e thoni vetëm ju dhe nuk e thotë askush nga faktorët e tjerë politikë kombëtar dhe ndërkombëtar?
Nuk është ashtu. Ke 6 muaj që bombardohesh me deklarata. Prokurori italian thotë, ka një lum droge në Shqipëri, autoritete janë edhe ata. Mediat më në zë të botës thonë që droga në Shqipëri është një problem i jashtëzakonshëm dhe vjen si rezultat i lidhjes së qeveritarëve më të lartë me drogën. “Huffington Post”, The Hill, gazetari që i bëri thirrje presidentit të ardhshëm të SHBA-së, të nisë një hetim ndërkombëtar, për lidhjet e qeveritarëve shqiptarë me drogën. Kemi deklarata të institucioneve të rëndësishme, kemi deklarata të Parlamentit Europian, kemi deklaratën e Eduard Kukan, kjo nuk është garë deklaratash. Shqetësimi është i jashtëzakonshëm. A është sot shqetësimi i parë në botë Shqipëria, sigurisht nuk është dhe nuk mund të jetë, shqetësimi për drogën është i jashtëzakonshëm. Pra, nuk është e vërtetë që nuk është ngritur ky shqetësim. E kanë thënë dhe po e thonë, të vetmit që po mundohen t’i ikin kësaj apo ta romantizojnë çështjen e kanabisit, apo ta refuzojnë, apo ta zvogëlojnë, nuk janë 26 ton po 26 kg, janë Edi Rama dhe ministrat e tij. Pse Edi Rama e refuzon, apo e zvogëlon problemin e drogës. Pse nuk e njeh problemin e drogës. Sepse për ta zgjidhur një problem, duhet ta njohësh. Njohja të jep mundësinë të reflektosh, reflektimi të jep mundësinë të veprosh dhe ta korrigjosh. Edi Rama nuk e njeh problemin e drogës dhe kjo në vetvete është…

– Ju, si ish-ministër i Brendshëm, si zgjidhet kjo çështje? Kjo është ajo që presim nga opozita, t’i japim një zgjidhje. Si zgjidhet kjo? Sepse ju thoni, vetëm të ikë Edi Rama dhe Sajmir Tahiri. Erdhët ju në pushtet nesër, si zgjidhet?
…Tani do të më japësh kohën të shpjegoj se përse problemi i drogës duhet të zgjidhet patjetër dhe do ta zgjidhin të gjithë shqiptarët së bashku. Nuk është një problem raporti apo një joraporti. Problemi i madh këtu nuk është se në sa raporte ka dalë, në sa raporte nuk ka dalë. Problemi i madh është që kryeministri nuk e njeh këtë problem, sepse kjo vetëdenoncohet si pjesë e problemit. Me lejo të shpjegoj, sepse ti nuk e ke traditë t’i heqësh fjalën opozitës.

– Opozita goditi me grusht sot në Parlament.
Nuk është e vërtetë, opozitës i ka mbetur vetëm fjala. Opozita ka vetëm fjalën…

– Tek fjalët mund të shkoni, tek grushtat jo, tek prekja fizike jo…
Përsa i përket një vendi që të këput kokën, kur eliminon liritë dhe të drejtat e njeriut, m’u në mes të Parisit.

– Dikur, jo më.
Edhe sot po ta provojë dikush, por s’e provon dikush, sepse nuk guxon ta provojë, sepse është një demokraci e konsoliduar. Kur liritë nëpërkëmben, kur liritë thelbësore zerohen nuk ka rrugë tjetër përveç se të ngrihesh e të godasësh me grusht dhe me gjithçka tjetër, por kjo është një çështje që do trajtojmë më vonë.

– Jo e trajtojmë, sepse keni folur për protesta por nuk po ndodhin akoma.
Kush tha? Po dje kishte protestë në Shkodër.

– Të organizuar nga ju…
Është koncept i vjetër leninist, që kur opozita shtyp butonin ka protesta. Protesta është tek njerëzit dhe njerëzit janë në protestë dhe ne jemi me ta dhe do të jemi me ta.

– Po, a janë ata me ju zoti Basha?
Sigurisht! Unë mendoj dhe kam bindjen e thellë se kur bëhet fjalë për interesa thelbësore të shqiptarëve, siguria e fëmijëve të tyre, ndërtimi i një shoqërie ku nuk shpërblehet i paafti, mediokri, i korruptuari, krimineli, por shpërblehet punëtori, i ndershmi, talenti, krijuesi. Këto janë çështje thelbësore që duhet të na bashkojnë si shqiptarë e jo të na përçajë, pavarësisht bindjeve politike dhe unë besoj se në një Shqipëri të sotme ku punëtori, i afti, krijuesit, talenti, i dituri humbet dhe fiton pothuajse gjithmonë i paafti, mediokri, krimineli, hajduti, shpërblehet, krijon mirëqenie dhe krijon pushtet, thelbi i problemit me të cilin duhet të merremi sot si opozitë për t’i dhënë shqiptarëve rrugën e daljes nesër.

– A mund të flasim pak për drogën të lutem? Ke qenë ninistër i Brendshëm, ke vizituar Lazaratin. Qeveria juaj, jo ju personalisht, edhe ju keni përgjegjësinë tuaj se keni qenë ninistër i Brendshëm në një periudhë jo të vogël, por qeveria juaj e njihte Lazaratin, e pranonte Lazaratin, e la Lazaratin të ishte aty ku ishte.
Me të vërtetë në Lazarat vazhdonte kultivimi i drogës, por qeveria dhe unë si ministër i Brendshëm aplikuam një strategji të konsultuar me partnerët ndërkombëtarë që në anglisht quhet “conteintmen “që në shqip përkthehet përmbajtje, rrethimi çfarë bëri rrethimi ? Rrethimi preventiv i mohoi mundësinë për ta rritur kanabisin me kosto të ulët, duke i mohuar plehrat kimike ujërat. Rrethimi postprodukt bëri të pamundur daljen e drogës nga Lazarati. Ke dy prova një nga qeveria shqiptare një nga qeveria italiane që kjo ishte efikase. Provat e qeverisë italiane janë të dhënat që janë dhe në raportin e KE.

-Ah, këtu i referohesh KE?
Unë gjithmonë  i referohem KE.
Në vitin 2012 sasitë e kanabisit të kapur në Itali ishin sasi minimale dhe po të shumëzohen me 10, sepse duhen shumëzuar me 10 se një e dhjeta kapet nëntë të dhjetat kalojnë, pra ishin minimale. Kjo ishte prova e parë. Prova e dytë është që kur policia hyri në Lazarat gjeti afro 100 ton kanabis deri në 4 vjet të velur të vjelur dhe dihet nga ekspertët që pas tri vitesh kanabisi i humbet vlerat e veta komerciale. Pse i gjeti aty ? Sepse nuk arriti dot në treg. Pse nuk arriti në treg? Sepse ne kishim një strategji …
Çfarë ndodhi? U çmontua Lazarati. U hy me polici,  shumë mirë, e kam përshëndetur aksionin. Çfarë kam kërkuar gjatë aksionit? Të ruhen jetët civile, të ruhen jetët e personelit të policëve. Këtë kam kërkuar asgjë tjetër. Të mos ketë goditje, dhunë, shkelje të të drejtave të njerëzve të pafajshëm dhe të kapen trafikantët. Nuk u kapën trafikantët. Trafikantët ikën. Trafikantët ikën. Se kush i la të iknin dhe se ku janë sot i ke në të gjithë Shqipërinë. Pse në të vërtetë, Lazarati kishte një problem që nuk e ka më, por e gjithë Shqipëria sot është kthyer në një Lazarat, strategjia e qeverisë ka qenë fare e qartë strategjia e Ramës, strategjia e Tahirit dhe e një grushti të korruptuarish që është në krye të policisë është fare e qartë, sigurisht nuk mund të fajësojë gjithë policinë, krerët më të lartë të policisë të vendosur aty me dorë nga Tahiri kanë një rol instrumental në mbjelljen e Shqipërisë me kanabis dhe në krijimin e infrastrukturës të kanabisit, infrastrukturë, e cila po përdoret dhe për trafikun e kokainës dhe heroinës dhe që nesër mund të përdoret dhe për armë.

-Çfarë do të bëntë Lulzim Basha kryeministër dhe ministri i tij eventual i Brendshëm për ta zgjidhur këtë situatë? Pra, kur të vini nesër në pushtet si do ta zgjidhni këtë situatë? Do të nxirrni ushtrinë siç thotë Ylli Manjani, sepse kjo është emergjencë, se ju thoni kur të vijmë në pushtet, droga është e para?
Para se çfarë do të bëjmë kur të vijmë në pushtet do të shpjegoj me pak fjalë pse kemi ardhur deri këtu. Kemi ardhur deri këtu, sepse kjo ndodhi jo vetëm thjesht për mungesë të vullnetit politik për të luftuar drogën, por të një vullneti për ta përdorur drogën për të shpërblyer ata kriminelë që nuk i nxjerr nga Parlamenti, nuk i nxjerr nga Bashkitë në radhë të parë dhe në radhë të dytë, për të siguruar   infrastrukturën për zgjedhjet e ardhshme që në zgjedhjet e ardhshme të mos kenë nevojën që t’i venë tytën në kokë zgjedhësve, por tju thotë “ta gëzoni korrijen” siç e bëri në Dibër ose përndryshe t’i godasë ……

-Pse nuk denoncuat për rastin e Dibrës?
Nuk është e vërtetë. Ne kemi denoncuar me dhjetëra raste. Kur ende Edi Rama fliste në Parlament,  policia ka dalë me komunikatë pasdite dhe tha se në të vetmen zonë kur rezultati nuk ishte ai që priste PS, shkuan dhe hoqën i 6120 rrënjë kanabis, pra t’i mos i merr të vërteta ato që thotë qeveria, sepse dhe qeveria më e mirë duhet marrë me skepticizëm nga media. Të dalim tek thelbi. A është problem vetëm i PD, kanabisi?

-Ju thoni që është problem i gjithë Shqipërisë..
Unë them që nuk është kanabisi problem në vetvete. Problem është tjetër dhe këtu duhet të ndalemi.  Prokuroria italiane thotë se ka kapur midis 30 dhe 50 ton. Le të marrim më të ultën 30 ton. E njëjta Prokuroria nga e cila varet Guardia di Financia, Policia e Shtetit dhe Karabineria dhe të gjithë institucionet ligjzbatuese thonë se kjo është një e dhjeta, pra kanë kaluar 270, me një vlerë në treg përafërsisht 12 miliardë euro, minimumi nëqoftëse e marrim me çmimin më të ulët. 12 miliardë euro, është bazë për prodhimin e brendshëm bruto të Shqipërisë. 12 miliardë euro,  sikur 10% e këtyre të jenë në duart e krimit të organizuar  shqiptar bëhet fjalë për 1, 2 miliardë euro. As policia nuk i ka. As ushtria nuk i ka, as Shërbimi Informativ nuk i ka, pra nuk ka strukturë shtetërore që të ketë 1, 2 miliardë euro. I ka krimi i organizuar dhe nuk pyesin për qeveri.  Çfarë do të bëjmë me këto para trafikantët e drogës dhe krimi i organizuar? Çfarë do të bëjnë me këto para.

– Ju sapo pranuat se një ushtri e tillë trafikantësh, banditësh, kriminelësh, mafiozësh dhe tregtarë droge me thënë të drejtën, me tërë këta nuk më intereson nëse kryeministër është Edi Rama apo Lulzim Basha?
Këtu ka një ndryshim themelor, këtu je gabim, sepse këta do të investojnë për të ruajtur status quo ose për ta zgjeruar. 1, 2 miliardë euro, me një pjesë të tyre do të blihen zgjedhjet për të favorizuar ruajtjen e  gjendjes. Kush e favorizon ruajtjen e gjendjes? Lulzim Basha që ju thotë “sapo të vij në pushtet me votën e qytetarëve do të marrim të gjitha masat dhe do t’i shtypim apo dikush tjetër që thotë “ska problem kanabisi apo hë ku e keni kanabisin..?’
Del me ambasadorin e BE në konferencë dhe thotë ku ka kanabis? Çfarë bën ky kur thotë nuk ka kanabis. Jo  thjesht  e refuzon, jo thjesht e mohon, por ky i shkel syrin atyre. U thotë unë jam garancia juaj””. Këtu ka ardhur Shqipëria sot dhe problem është se paratë e kanabisit kanë forcuar krimin e organizuar shqiptar me të cilat do të blejnë më shumë policë, do të blejnë më shumë prokurorë, do të blejnë më shumë gjyqtarë do të investojë në ata politikanë, në ato parti politike që do ta ruajë këtë gjendje për ta. Do të blejë ekonominë shqiptare, do të marrin tenderat do të marrin punët publike, nesër do të marrin gjithë pronat, bregdetin do ta zhvillojnë ata, pra do të diktojnë ata. Do të blejnë mediat. Vende të caktuara kanë shkuar përmes kësaj rruge dhe sot janë në fund të pusit.
Po çfarë po bën PD? Kemi në radhë të parë një detyrë për të ndërgjegjësuar shqiptarët dhe unë i bëj thirrje çdo medieje dhe kolegëve të t’u të nderuar “stop relativizimit të problemit të drogës”. Është një problem i jashtëzakonshëm,  do ta përpijë këtë vend. Makiaveli thotë që mjekësia dhe qeverisja kanë një pikë të përbashkët: Kur e bën diagnozën herët, mund ta shërosh sëmundjen edhe po të jesh i pasigurt edhe po ta bësh herët po të marrësh masat mund ta shërosh, po ta bësh vonë diagnoza s’ka rëndësi sa i sigurtë je, mori fund trupi,  vdiq. T’u themi shqiptarëve pse është e keqe droga. Ti e thua që e dimë, por ai që merr 20 mijë lekëshin në fushë, 30 mijë, thotë unë nuk kam bukë të ha dhe kjo është alternativa ime e vetme dhe kjo është detyra jote, detyra ime.  Është detyra e një kryeministri normal e të përgjegjshëm të thotë, pse është e keqe dhe jo nuk po ndodh, apo të fërkojë duart, sepse njerëzit e tij të lidhur me drogën po bëjnë para që nesër mund t’i hedhin në zgjedhje. Pse është e keqe droga? E para, marrim një shembull krahasues. Ti themi shqiptarëve, cili vend ka bërë përpara me drogën?  Duam të shkojmë tek Afganistani? Eshtë Kolumbia ku ka luftë civile prej 30 vitesh.

-Nuk është qeveria  të cilën ju e quani fajtore është qëndrimi qytetar?
E para do të ndërtojmë një aleancë të madhe, sepse qeverinë këtu e kemi patur dhe me mohimin që i bën problemit, Edi Rama del dorëbrenda, sepse po të mos ishte dorëbrenda,  do të thonte: opozitë ke të drejtë, hajde të punojmë bashkë,  të bëjmë diçka, por jo thotë ai, nuk është problem, kanabisi nuk është problem, ku e ke kanabisin? Dhe ky refuzim në vetvete demaskon komplicitet, nuk është provë ligjore e komplicitetit, por është deduksion logjik.

-Kemi raportin e Guardia di Financës. Nuk është provë, po thotë se policia po e lufton?
Raporti i Guardia di Financës është një tjetër pelivanllëk mediatik. Unë i kam patur në zyrën time zyrtarët më të lartë italianë dhe më kanë thënë. Po keni patur të drejtë është shumëfishuar sipërfaqja. Po të them një informacion të privilegjuar të vërtetë dhe transparent. Është e vërtetë, keni patur të drejtë. Nuk jemi në gjendje të themi sa është shumëfishuar në të gjithë Shqipërinë, sepse ne arritëm të shohim vetëm 17% të sipërfaqes dhe arritëm ta shohim, pasi ishte korrur një herë fara vietnameze. Por në këtë 17%  të sipërfaqes, pasi ishte korrur po shohim më shumë drogë se vjet. Vjet ishte 43 hektarë në këtë 17%, sivjet është 213 hektarë dhe padyshim ky është një shqetësim. Ne e kemi raportuar dhe këta raportojnë se e kanë korrur dhe ne verifikojmë që ka korrje, por ne nuk jemi në gjendje të verifikojmë nëse korrja shkon në magazinë e drogmenit dhe u nda me policë të korruptuar apo u shkatërrua. Këtë nuk e themi dot nga ajri dhe nuk ka si ta thonë nga ajri, sepse nuk ka teknologji në botë që të mundëson të shohësh nga ajri se çfarë bëjnë. E vëreta të del atje, përtej Otrantos. 30 tonë në dy javë dhe italianët thonë se kjo është veç 10 për qind se shumë të tjera na kalon. Pra, janë 300 tonë në dy apo në 3 janë.

– Po italianëve si u kalon?
Po çfarë çështje është kjo si u kalon italianëve?

-Po sepse siç u kalon italianëve që kanë mjete e para, mjete të sofistikuara, avionë dhe u kalon kjo sasi e madhe, policisë modeste shqiptare mund t’i kalojë se nuk mundet…
Po pse nuk i kalonte më përpara. Ky 10 tonë në 2 javë nuk ka ndodhur kurrë. Pse nuk kalonte më përpara?! E para, sepse kishte një moratorium…

-Në Parlament janë publikuar raportet konfidenciale të qeverisë tuaj që ekzistonte ky problem në të gjithë Shqipërinë…
Është mashtrim e gjitha. Nuk i kam marrë me vete sot, por t’i nis dhe nxirri nesër në kronikë të lajmeve. Ato janë komunikatat e Policisë së Shtetit për shkatërrimin dhe jo për identifikimin e parcelave me kanabis. Dhe janë komunikata zyrtare. Është një gënjeshtër tjetër dhe kjo është në vazhdën e asaj që po them. Pse e relatizivojnë, pse e zvogëlojnë dhe a ka shqiptar që nuk e di sot se sa i madh është problemi i drogës, që e gjithë Shqipëria është e mbjellë me drogë. Që me qindra e me mijëra të rinj, aktivitet kryesor kanë drogën që po zhvendos të gjitha burimet njerëzore dhe natyrore drejt drogës. A e di se çfarë po ndodh?! Sasi të mëdha toke po kultivohen vetëm në drogë. Uji, plehrat kimike, burime njerëzore, fëmijë….e dini që fëmijë që nuk shkojnë më në shkollë, por shkojnë e kultivojnë drogë dhe merren me prerjen e boçeve. Gra që i kanë hequr nga rrogaqepësitë, dhe ju e keni raportuar ju, i kanë hequr nga rrobaqepsitë dhe po orintohen nga droga. Është ligj ekonomik. Ai që është i pamundur dhe për bukën e gojës, kur e sheh që me këtë mund të sigurojë diçka, mbyll gjithçka tjetër. Nuk kultivon më domate, patate, kastraveca. Nuk mban më bagëti. Shkoni e shikoni fshatrat e Tepelenës, Kurveleshit. Nuk ka më stane. Ato janë kthyer në magazina droge. Problem është që e gjitha kjo po kthehet në strukturë të re ekonomike shqiptare. Nëse ke 12 miliardë euro drogë vetëm me këto që kanë kapur italianët deri tani, në këto momente droga e mbjellur është më e madhe se Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit. Imagjino dhe reflekto. Sasia e drogës e çuar në Itali sipas Prokurorisë italiane është e barabartë me gjithë prodhimin e brendshëm bruto të Shqipërisë. Të ndalemi të gjithë së bashku për të kuptuar se çfarë është kjo.

-Ti mbajmë premtimin që i bëmë Shqipërisë. Çfarë do të bëni ju ditën e parë që do të jeni në qeveri, për ta eliminuar këtë problem?
Është fare e thjeshtë dhe më vjen mirë që lejon ta përsëris këtu. Do të largoj kriminelët nga politika. Aty është origjina e gjithçkaje. Me të gjitha format e mënyrat, i armatosur me forcën e ligjit që vetë propozova që është në fuqi, por nuk zbatohet…

– Pse nuk zbatohet ligji?
Nuk zbatohet sepse nuk ka vullnet politik.

-As ju nuk keni vullnet politik…
Nuk është e vërtetë.

-Më thoni një emër që keni çuar në Prokurori…
I kemi çuar të gjitha denoncimet. Absolutisht në Prokurori, në KQZ e kudo tjetër. Jeni i painformuar ose i keqinformuar. E kemi bërë publike ne.

– Flas për t’i çuar në Prokurori…
Për të gjitha, për Parlamentin, për bashkitë, për të gjitha. Pra largimi i kriminelëve nga politika, aty është origjina e gjithçkaje. Këta erdhën, u gërmuan, u morën nga skutat, me një cv të pasur vetëm për dënime e trafiqe dhe u bënë anëtarë Parlamenti, kryetarë bashkish, u bënë drejtorë të mëdhënj. Këta do të largohen ditën e parë me ceremoni nga i pari tek i fundit e aq më pak të mos jenë ministra të mi apo që u rrahin shpatullat atyre siç është sot fakti. Unë nuk do të kem ministër të Brendshëm një njeri të përfolur me krimin, një njeri që nuk e di se çfarë ka bërë me makinën e tij personale, ku gënjej 3 herë para shqiptarëve. Do të kem një njeri me integritet me vullnet të çeliktë për t’i shërbyer të mirës së përgjithshme dhe jo të mirës së habilajve apo balilëve, rozë apo blu qofshin. Pra, vullnet i hekurt për të larguar kriminelët nga politika. Kjo është origjina e së keqes. Kështu erdhëm deri këtu. I solli për të marrë pushtetin dhe sot ata diktojnë përmes Edi Ramës gjithçka, tenderat, punët publike, emërimet dhe natyrisht kanabizimin e Shqipërisë si një problem i madh për fëmijët e shqiptarëve dhe jo një problem teorik. Së dyti, do të çliroja ekonominë se shqiptarët duhet të kenë një alternativë për të fituar bukën e gojës dhe unë sot e di që ata që marrin 20 mijë apo 30 mijë lekëshin dhe thonë që ne me këtë hamë, çfarë do të bëjmë?! Kam alternativë për ta, kam alternativën e zhvillimit. Ata jetojnë me atë, sepse qindra milionat e subvencioneve që u premtuan nuk shkuan kurrë aty, sepse vidhen e shpërdorohen. Shkojnë për investime luksi, fasada, për gjera që nuk kanë vlerë për qytetarët. Kam alternativë zhvillimi për Shqipërinë, duke e çliruar ekonominë, sepse ajo sot mbahet peng nga një grush qeveritarësh dhe një grusht oligarkësh. Po çfarë janë këta oligarkët që nejrëzit e kanë dëgjuar si fjalë. Janë njerëz që kontrollojnë dhe e para e punës ekonomia ka përfunduar në tregti dhe shërbime që i shërbejnë tregtisë dhe nuk prodhojmë më. Tani prodhojmë drogë, por asgjë tjetër nuk prodhohet. Pse nuk prodhohet?!

– FMN thotë ndryshe…
FMN i referohet TAB-it dhe Devollit. 2 investime të mëdha të nisura në kohën tonë, por që kanë një impakt të kufizuar për punësimin dhe mirëqënien. Mos kujto t’i që shumica e shqiptarëve po ha me këto investime. Janë volume të mëdha financiare, por nuk kanë impakt tek punësimi. Sot shqiptarët po largohen nga Shqipëria dhe duan të ikin nga sytë këmbët. E kemi diskutuar bashkë, brenda dhe jashtë kamerave këtë. Kjo është e zeza më e madhe e Shqipërisë sot. Cila është e keqja më e madhe e Shqipërisë?! Sepse po zbrazet dhe po ikin. Duan të ikin. Kjo është dramatike Sokol, jo vetëm të pashpresët, por ikin më të mirët, po ikin mjekët, po ikin inxhinierët, llogaritarët, avokatët, biznesmenët. Edhe ata që spo ikin duan të ikin. Duan të ikin, sepse Shqipëria nuk po ofron mundësi për ëndërrat e tyre. Ua ka vrarë mundësinë. Pse?! Sepse po shpërblen injorantët, të paaftin, hajdutin, servilin, hipokritin, kriminelin. Këta po ecin përpara. Ne këtë duhet të ndryshojmë në politikë. Ky është misioni im, kjo është rruga dhe rrugëtimi në të cilin ftoj të gjithë shqiptarët. Çlirimi i ekonomisë do të thotë çmontim i këtyre monopoleve. Të marrë frymë ekonomia. Dikush që do të ndërtojë një biznes ta ndërtojë dhe të ecë dhe jo të ketë frikë se monopoli do t’i marrë shpirtin, duke i çuar tatimorin e korruptuar.

– Doing Bussines e nxorri mirë qeverinë…
Nuk është ashtu. Ka përkeqësim të vendeve, por Shqipëria ka rënë shumë keq dhe ia kalon vetëm Kosovës në rajon. Dhe këto janë fakte. Ndryshe e shet qeveria dhe ndryshe e përjetojnë shqiptarët. Është e kotë që të pretendojmë ndryshe. Kjo është e vërteta. Pra të çlirojmë ekonominë për t’i dhënë  shqiptarëve këto burime të mëdha natyrore t’i shfrytëzojnë për vendin e tyre siç do t’i shfrytëzonte një vend ku ata duan të ikin. Pse ikin në Gjermani, Angli, Amerikë, edhe në Alaskë. Por ne kemi një klimë kaq të bukur dhe resurse. Çfarë nuk ofrojmë ne?! Ne nuk ofrojmë që i zoti të shkojë përpara që puna e talenti dhe ndershmëria të shpërblehet.

– Kanë humbur besimin tek politika në Tiranë zoti Basha…dhe kjo nuk u përjashton as juve…
Absolutisht që nuk më përjashton as mua, dhe as Partinë Demokratike nga përgjegjësia.

– Ju flisni për dekriminalizimin e ndërkohë erdhët në pushtet në vitin 2005 dhe thatë ja zotëria që mundi Dukën e krimit. Sot Dukën e krimit e ke përkrahu në Ersekë. Së paku ju si lideri i ri i kësaj partie duhet t’i kërkonit falje këtij burrit…
Ju lutem mos spekuloni. Nuk është ky thelbi. Është diçka tjetër. Ti the që ne kemi bërë gabimet tona dhe unë e pranova që po kemi bërë. Por cila është?! Unë po reflektoj dhe kam reflektuar. Edhe për gabimet e mia personale…

– Më pranoni një gabimin tuaj personal?
Kam shumë. Por më lejo të mbaroj mendimin se nuk është puna këtu të kapesh me një apo me dy.

-Por më thoni një gabim?
Ja t’u them cili është gabimi kryesor, që ne rritëm hendekun me njerëit në vend që ta zvogëlonim atë në vitet e fundit të qeverisë tonë. Nuk është normale.

– Është normale pas 8 vitesh në pushtet…
Harruam që ishim aty për t’i shërbyer njerëzve. Dhe ky është momenti kur partitë bien.

-Po kujt i shërbyet atëhere?
Një pjesë filloi t’i shërbejë vetes së vetë.

– Edhe oligarkëve.
Edhe oligarkëve padyshim. Një pjesë e tyre kanë përfituar në mënyrë të pandershme gjatë qeverisë tonë. Forca ime është që unë i pranoj këto dhe kam reflektuar për to dhe nuk kam ardhur të bëj policin por kam ardhur t’u them shqiptarëve që kam reflektuar për to dhe vijoj të reflektoj për to. Dhe ju them sot, që ajo që dua të nisim së bashku nuk është thjeshtë rruga për një rrotacion politik por të ndërtojmë një Shqipëri të mundësive dhe të shpresës dhe këtë mund ta ndërtojmë, nëse i japim mundësinë çdo shqiptari të çajë përpara mes punës së tij, ndershmërisë dhe talentit të tij. Dhe të mos jetë një vend ku puna dhe talenti dënohen e dalin humbës. Dhe çfarë bëjnë. Ose jetojnë në dëshpërim në Shqipëri ose do ikin dhe ata po ikin. Dhe kush është në pushtet?! Kush po kontrollon miliardat?! Të paaftët, mediokrit, hajdutët dhe servilët, të fortët, të shkathtit. Këtij do t’i japim fund ne. Shqiptarët nuk kanë asnjë problem me AND-në, përkundrazi. Rracat krenohen gjithmonë me veten e tyre dhe nuk dua të bie në ato steriotipe apo stigma as unë, por fakti është që kudo që shkojnë…

– Make Albanian great again
Make Albanian great again. Dhe kudo që shkojnë, në Amerikë, në Londër, etj., shkëlqejnë, sepse kanë kushtet për të ndjekur mirëqenien, lumturinë e tyre, përmes talentit të tyre, forcës së tyre, mendjes së tyre. Këtu nuk bën punë kjo. Si do ta bëjmë?! Duke ndryshuar në radhë të parë vetëveten. Duke modernizuar Partinë Demokratike, duke e hapur, duke i dhënë mundësinë çdokujt që dëshiron të kontribuojë dhe të përfaqësojë, të jetë deputet, të jetë kryetar i PD-së, të më zëvëndësojë mua nëse është më i aftë se unë. Duke i dhënë rregullat, platformën e PD-së ku çdo shqiptar ndan pa përjashtim.

– A keni deklaruar ju në një intervistë që me këto rregulla Sali Berisha do të jetë deputet gjithmonë në PD, por këto rregullla nuk aplikohen për atë…
E ke gabim. E kam thënë që për mua në rastin e tij, nëse ai kërkon të jetë deputet, për mua do të ishte por unë nuk i marr vendimet, por me statut i marrin forumet e PD-së. Pra mos më keq cito. Është një detaj, por ajo që po të them unë është diçka tjetër.

– Por duhet t’u aplikohet të gjithëve njësoj…
Pikërisht dhe me këtë. Unë dua që ai që na dëgjon sot dhe që ndan vizionin tonë, vizioni tim për një Shqipëri ku ecën përpara i zoti, i talentuari, i afti, i ndershmi, në punën e tij. Ai që e ndan këtë platformën tonë dhe që është gati të japë platformën e vet, të kenë mundësinë dhe të mos ketë gardhe për të dhënë kontributin e vet, për të konkuruar dhe qenë përfaqësues dhe deputet i PD, por edhe për të konkuruar edhe si kryetar i PD. Partitë janë kthyer në problemin dhe partitokracia është kthyer në problem. Pse çfarë bëjnë?! Vendimmarrjen e kanë në dorë kryetarët, nuk ka qarkullim të elitave, nuk çajnë dot para të rinjtë, financimi vjen gjithmonë në mënyrë të dyshimtë, partitë janë kthyer në lavatriçe evazioniste. Ky është problem. Partitë dhe mënyra se si politika është ndërtuar është kthyer në problemin dhe pengesën e Shqipërisë që të ecë përpara dhe duke ndryshuar Partinë Demokratike…

– Po ju si do t’i bëni këto?
Jo e ke gabim këtë, sepse unë kam filluar ta bëj këtë dhe kam vendosur votën në themel të vendimmarrjeve kryesore për PD-në dhe po ndërtojmë mekanizma që edhe zgjedhjet e ardhshme, që me propozimet e anëtarësisë së PD-së të kenë forcë vendimmarrëse për përfaqësimin tonë. Dhe po ndërkojmë një koalicion të gjerë ku figurat më të përfaqësuara të shoqërisë ta gjejnë veten e tyre aty. Jo tek personi im dhe as tek sigla, por tek vlerat që bashkëndajmë për të nesërmen. Dhe të jesh i sigurtë që do të ecim në këtë rrugë.

Intervistoi: Sokol BALLA
Top Story