Makina bie nga ura në lumë, dy të vdekur në Bulqizë

Një aksident i rëndë me dy të vdekur u shënua mbrëmjen e të enjtes në  Bulqizë. Në makinën ku udhëtonin tre persona, ka rënë në lumë nga ura që të çon në fshatin Sopot. Njëri prej tre personave që udhëtonin me kamionçinë ka mundur të shpëtojë dhe të lajmërojë Policinë dhe banorët për ndihmë.
Rreth orës 21:35 të 17 nëntorit 2016, në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Bulqizë ka mbërritur telefonata se automjeti kishte rënë në lumë. “Policia ka marrë menjëherë një vinç ku ka bërë të mundur nxjerrjen e personave që ndodheshin në makinë në mes të lumit dhe konkretisht: Në rrugën dytësore Tre Çezmat-Sopot, një kamjonçinë me targa AA 782 DH, që drejtohej nga shtetasi I.Z, ka rënë në lumin e Bulqizës nga ura që të çon në fshatin Sopot .
Si pasojë ka humbur jetën drejtuesi i automejtit shtetasi Indrit Zeneli, 40 vjeç, nga fshati Sopot Bulqizë”, bëri të ditur policia në në njoftimin për shtyp.
Në automjet udhëtonin dhe dy shtetas të tjerë, ku njeri prej tyre shtetasi R.L ka mundur të shpëtojë dhe të lajmërojë Policinë dhe banorët për ndihmë. Ndërsa shtetasi Edion Kola, 35 vjeç, banues në Sopot është transportuar me autoambulancë për në spital në gjendje shumë të rëndë, por ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Grupi hetimor në vendngjarja po kryen veprimet për përcaktimin e shkakut të rënies nga ura si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.