Ballina Aktualitet Koseni si rikthim i policisë së kriminalizuar

Koseni si rikthim i policisë së kriminalizuar

Pirro Guremani

Lajmet se Edmond Koseni ka fituar të gjitha gjyqet dhe që do të ketë përfitime në të ardhmen, janë të fabrikuara për qëllime të mbrapshta që dinë të bëjnë njerëzit e pushtetit të sotëm të kriminalizuar deri në gjithçka. Hamendësitë se ai mund të kthehet edhe në polici, janë njëherazi edhe qëndrimet e mendësive që kanë shoqëruar Policinë e Shtetit të përfshirë në trafiqe dhe kriminalitet.
Bëhet me dije se Gjykata e Tiranës ka nxjerrë një urdhër ekzekutimi për rikthimin në detyrë të Edmond Kosenit, ish-drejtori i Policisë së Elbasanit në vitin 1998, i njohur ndryshe si “Komisari i hekurt”, me të njëjtën gradë që kishte në vitin 2002, kur u pezullua nga detyra. Gjithashtu thuhet se pak ditë më parë, me vendim të Gjykatës së Tiranës, Koseni fitoi të drejtën për të marrë të gjitha pagat që nga koha kur ishte pezulluar nga detyra.
Ndërkohë, vendimi i djeshëm i Gjykatës detyron Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit ta sistemojë Kosenin në të njëjtin pozicion që kishte përpara pezullimit.
Si erdhi Koseni në krye të Drejtorisë së Policisë së Elbasnait?
Burime të besueshme nga Elbasani bëjnë të ditur se, Edmond Koseni ka ardhur në krye të kësaj detyre në Elbasan pas një përplasjeje si shef Komisariati në Lushnjë, ku u vu në shënjestër nga bandat e asaj kohe që lëvrinin në Shqipëri. Me ndihmën dhe kërkesë të Neritan Cekës, asokohe ministër i Brendshëm dhe pas një përplasjeje të ish-drejtorit të Policisë së Elbasanit në atë kohë, Agron Nano, me shefat e Policisë në Tiranë, më 13 mars 1998, emërohet Edmond Koseni.
Qytetin e Elbasanit në atë kohë e sundonin bandat dhe detyra e Kosenit ishte të godiste këto banda. Me një farë mënyre pati një efekt veprimi i tij në muajt e parë të detyrës së tij. Por ajo që ka qenë e rëndësishme në veprimtarinë e tij në krye të Policisë së Elbasanit duhet thënë se si tipar kryesor ka qenë dhuna policore me një grup policësh që ai i mbante si të fortët e policisë dhe që rrihnin këdo që i tekej kryepolicit nga Peqini. Kjo dhunë e Kosenit ka qenë e paprecedent ndaj kujtdo, të rinj dhe të vjetër, meshkuj dhe femra, biznesmenë dhe politikanë, vetëm e vetëm që në Elbasan të sundonte terrori dhe nga ana tjetër rruga që kalonte nga doganat e Qafë Thanës dhe Kapshticës ishin edhe portat hyrëse të trafiqeve të drogës dhe hekurit kryesisht.
Dhunën e kryepolicit të Elbasanit në atë kohë e kanë provuar edhe emra të njohur si Irakli Koçollari dhe Taulant Dedja, e kanë provuar kryetari i PD Elbasan, Pava Jorgaqi dhe veçanërisht gazetarë e gazetare, si dhe çdo njeri që për një pakujdesi të vogël mund të përfundonte i dhunuar nga policia deri në gjymtim. Kështu ndodhi me një 19-vjeçar nga fshati Vashaj i Peqinit, Kastriot Salliu që vdiq nga dhuna policore. Po ashtu edhe vdekja e shoferit të Ujësjellësit Elbasan, Kujtim Çopja 55 vjeç i ndaluar për një keqkuptim, ndërroi jetë sapo doli nga policia nga dhuna e përdorur nga ai.
Por ajo që e damkosi dhe që e çoi drejt fundit në krye të detyrës është dhunimi keqas i një qytetari elbasanas, Naim Pulaku, që bashkë me vëllezërit e tij e kërkoi deri në fund që solli edhe largimin e Kosenit në fund të dhjetorit 2002 dhe që më pas iu nënshtrua kallzimeve penale me drejtësinë.
Por pjesa më e dobët e këtij kryepolici që u bë edhe “Qytetar Nderi” nga Këshilli Bashkiak i asaj kohe i drejtuar nga socialisti Kozma Biba, ishte një mburojë që i bëhej zullumeve të pafundme të këtij kryepolici, që ka mbushur të gjitha kupat e keqtrajtimeve që u janë bërë biznesmenëve dhe anëtarëve të PD si të ndjerit Ferdinant Cankja apo edhe Themistokli Bebi, i njohur si Toka Bebi, por edhe ndaj çdo njeriu që thoshte një të vërtetë në lidhje me policinë. Kanë qenë edhe oficerë policie si Gazmend Noga që kanë pësuar dhunën e policisë dhe personalisht të Kosenit që e ka qëlluar atë në rreshtimin e mëngjesit të policisë. U larguan nga policia të gjithë specialistët që ai i etiketonte me fjalët më të ndyra dhe shfaqjet e bëra nga ky kryepolic me derdhjen e drogës publikisht në lumin Shkumbin në vitin 2002, pak muaj se ta largonin nga radhët e policisë.
Incidentet e këtij ish-kryepolici kanë qenë të shpeshta edhe me prokurorin e rrethit të Elbasanit në atë kohë Luan Kaloçi, të cilit i bënte presion për të dënuar çdo njeri që dhunohej nga ai ose të mos hapte procese hetimi për vetë Kosenin nga denoncimet e qytetarëve.
Një incident i njohur ka qenë edhe me një zyrtar të lartë të policisë në atë kohë Pjerin Ndreu, në ambjentet e Ministrisë së Brendshme. Të gjitha këto bëheshin si shprehje e abuzimit të këtij kryepolici që përdorte forcën e policisë edhe me ndihmën e kunatit të tij të njohur Xhafë Elezi, që edhe pse ishte i dënuar në Itali për krime, ai e kishte strehuar në polici dhe që ishte bashkëpunëtori në zullume i Edmond Kosenit.
Por më keq e ka pësuar biznesi sa çdo biznesmen i Elbasanit ka nga një histori me Edmond Kosenin, që i ka vjedhur dhe i ka rrahur pse i kërkonin paratë e mallrave që ai merrte për ndërtimin e shtëpisë së tij dhe të kunatit të tij dhe të tjerë banditë me uniformë policie. Veçanërisht, gazetarët kanë qenë në fokusin e dhunës së policisë, sa gazetarë si ai i “RD” Hyqmet Zane dhe i “Koha Jonë” Aleko Likaj, por edhe Sulejman Haxhihasani i RTVSH janë vënë në shënjestër të dhunës pse publikonin realitetin në media.
Ky portret i Edmond Kosenit është turpi i policisë që ka pasur në dorë qeverisja e majtë socialiste dhe që tashmë aludohet të rikthehet për të vazhduar zullumet e tij të pista si pjesë e dhunës dhe kriminalizimit të Policisë së Shtetit tanimë në këtë pragzgjedhje parlamentare pas 7 muajsh.
Në vitin 1998 Koseni ka patur përplasje me shefin e SHKB, Krenar Kazi për punën e drogës. Koseni kërkonte që ta mbante vetë drogën e bllokuar nga policia nën kontroll dhe jo ta mbante SHKB, sipas ligjit. Për këtë problem, ka patur edhe një përplasje të ashpër deri sa nxorrën edhe armët. Për këtë ngjarje kanë shkruajtur edhe gazetat në atë kohë.
Ndërsa në vitin 2000, Koseni pati përpklasje me shefin tjetër të SHKB, Albert Pojani, se ky i mori vesh dhe ndaloi një krim që Koseni i kërkonte një oficeri krimesh dhe për këtë shkak pse ky shefi i SHKB, e degjeneroi këtë oficerin e SHKB që sot ndodhet jashtë shtetit, pasi iku për shkak të presioneve të mëdha deri në sharje dhe rrahje.

Exit mobile version