KLD vendos emërime e transferime gjyqtarësh

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi dje mbledhjen plenare, e cila nisi me  shqyrtimin dhe votimin e kandidaturave për gjyqtarë, për plotësimin e një vendi vakant në Gjykatën e Apelit Durrës, e dy vendeve vakant në Gjykatën e Apelit Vlorë, e një vendi vakant në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda.
Anëtarët e KLD-së, pasi konsultuan procesverbalin e testimit, raportet mbi shqyrtimin e kandidatëve me tabelat përkatëse, vendosën t’i propozojnë Presidentit të Republikës: emërimin në Gjykatën e Apelit Durrës, të z. Tritan Hamitaj, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës; emërimin në Gjykatën e Apelit Vlorë të gjyqtares Brikena Ukperaj (Lubonja) aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë; dhe emërimin e gjyqtarit z. Ilir Çeliku, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor  Tiranë, si dhe emërimin në Apelin e Krimeve të Rënda, të Idriz Mulkurti, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
Në vijim të mbledhjes anëtarët e KLD-së shqyrtuan kandidaturat, për plotësimin e gjashtë vendeve vakant, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Pas përfundimit të procesit të votimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me shumicë votash, vendosi të transferojë: z. Niko Rapi, aktualisht kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, z. Erion Bani, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Shkodër,  znj. Irena Plaku, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Korçë dhe znj. Anila Karanxha, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Lushnjë.
Gjithashtu Këshilli vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës, emërimin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, të z. Kujtim Vraniçi, aktualisht inspektor pranë KLD-së, dhe të Ahmet Metaliaj, ish-gjyqtar.
Pas transferimit të gjyqtarit z. Niko Rapi, Këshilli vendosi delegimin e gjyqtares znj. Emona Muçi, për të ushtruar detyrën në funksionin drejtues të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec.
Gjithashtu, me propozim të ministrit të Drejtësisë, anëtarët e KLD-së, vendosën të shpallin vendin vakant për funksionin drejtues të kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Pogradec.
Gjithashtu Këshilli me miratimin e transferimit të gjyqtarëve të mësipërm në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me propozim të ministrit të Drejtësisë bëri shpalljen publike për një afat 20 ditor, të katër vendeve vakante në gjykata, përkatësisht:
1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec, 1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë, 1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, 1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë.
Këshilli, vijoi më pas me zhvillimin e procedurës për emërimin e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë. Pasi dëgjuan platformat e kandidatëve, anëtarët e Këshillit vendosën me shumicë votash emërimin:
si kryetar të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, të znj. Enkelejdi Hajro, dhe emërimin si kryetare të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, të znj. Ornela Naqellari.
Në përputhje me rendin e ditës, anëtarët e KLD-së, diskutuan dhe shqyrtuan propozimin për emërimin e një inspektori pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në përfundim të diskutimeve, me shumicë votash anëtarët e KLD-së, vendosën të emërojnë inspektor pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë znj. Brunilda Çarçiu.
Bazuar në përcaktimet e rendit të ditës, Këshilli shqyrtoi projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 261/2, datë 14.04.2010 “Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve”.
Në përfundim, Këshilli miratoi aktet e vlerësimit për gjyqtarët e mëposhtëm:
Gjyqtar Gurali Brahimllari, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda.
Gjyqtare Brikena Ukperaj Lubonja, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë. (2010-2012)
Gjyqtar Engert Pëllumbi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier. (2012)
Si pikë të fundit të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.