Hungaria: Rama ka fyer popullin hungarez

Pas ofendimeve ndaj Presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump nga Lideri global i Surrelit, një tjetër notë proteste ka ardhur dje nga ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto. Hungaria ka reaguar ndaj deklaratave të papërgjegjshme të Ramës ndaj Kryeministrit hungarez, të cilin e cilësoi si “autoritar”. Dhe të imagjinosh që Rama akuzon kreun e qeverisë hungareze si autoritarist. Reagimi i ministrit të Jashtëm hungarez ka qenë pa dorashka dhe i drejtpërdrejtë ndaj Ramës. “Çdo fyerje e tillë për qeverinë është një sulm ndaj popullit hungarez. Qeveria aktuale nuk e fitoi pushtetin me lotari, por me zgjedhje të lira e të ndershme”, tha dje ministri Szijjarto.
Gjatë vizitës në Tiranë, ministri i Jashtëm hungarez shprehu mbështetjen e plotë e të pakushtëzuar të vendit të tij për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian në 15 dhjetor. Një dritë jeshile që sipas kreut të diplamacisë hungareze nuk ka munguar asnjëherë për Shqipërinë. “Hungaria ka qenë mbështetëse e fortë dhe e përkushtuar e përpjekjeve të Shqipërisë për integrimin europian. Tani që ju keni marrë rekomandimin, ne duam t’ju sigurojmë dhe t’ju tregojmë angazhimin tonë që në dhjetor Shqipëria të marrë një mesazh pozitiv”, tha Peter Szijjarto, ministër i Jashtëm i Hungarisë. Ndryshe nga sa ndodhi në Hungari, ku Reforma në Drejtësi ishte një proces i kritikuar fuqishëm nga Bashkimi Europian, në Shqipëri, kontestimet më të mëdha kanë ardhur nga opozita. Pas takimit me kreun e demokratëve, kryediplamati Peter Zijarto, shpreh mbështetjen për këtë reformë, për të cilën tha se, gjeti gjithashtu mbështetjen e zotit Basha. “Reforma në Drejtësi kërkohet nga Bashkimi Europian, është e qartë që ne e mbështesim. Pata një takim me kreun e opozitës dhe në thelb edhe ai e mbështeste, çka është një lajm i mirë për mua. Pata ndjesinë se gjetëm konsensus në nevojën e integrimit europian të Shqipërisë pa marrë parasysh se kush është në qeveri apo opozitë. Sepse Bashkimi i Europian e sheh realizimin e Reformës në Drejtësi si kusht për hapjen e negociatave dhe ne e mbështesim këtë, në mënyrë që ky proces të mbyllet sa më parë”, tha Szijjarto. Ai komenton edhe deklaratat e disa kohëve më parë të Kryeministrit Edi Rama, që cilësoi qeverisjen e Viktor Orban si autoritariste. “Asnjëherë nuk jam adhurues i madh i këtyre lloj deklaratave, sepse ajo që duhet të bëjmë është të respektojmë njëri-tjetrin. Njerëzit dy herë vendosën në mazhorancë të votonin zotin Orban dhe familjen politike që përfaqëson. Çdo fyerje e tillë për qeverinë është një sulm ndaj popullit hungarez. Qeveria aktuale nuk e fitoi pushtetin me lotari, por me zgjedhje të lira e të ndershme. Ky ishte vullneti i njerëzve dhe jo një aksident. Duhet t’i respektojmë më shumë vendimet e popullit. Ju s’do të më dëgjoni ndonjëherë mua të kritikoj vendimet e shqiptarëve, sepse janë ata që vendosin kush duhet t’i qeverisë ose jo”, tha ministri hungarez. Zgjedhja e Donald Trum si presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara dhe angazhimi i tij për një erë të re marrëdhëniesh me Rusinë dhe Putin nuk përkthehen në shqetësim për kreun e diplomacisë hungareze. “Ka gjithmonë një debat të vazhdueshëm, nëse duhet të frikësohemi ose jo ndaj Rusisë. Ne si Hungari nuk e shohim Rusinë si kërcënim. Por në të njëjtën kohë e respektoj dhe nuk e gjykoj e as komentoj pozicionin e atyre që e konsiderojnë Rusinë si kërcënim. E respektojmë Poloninë apo vendet baltike që e shohin Rusinë si kërcënim për vendet e tyre. Ne nuk e shohim”.