Vdes mes flakëve 2-vjeçarja në Babrru, shpëtohet i vëllai

Një fëmijë 2 vjeç, i një familjeje të komunitetit rom gjeti vdekjen si pasojë e një zjarri të rënë në barakën ku ata jetonin, në lagjen Shpat, Babrru të Tiranës. Shkak i rënies së zjarrit, sipas burimeve të policisë dhe zjarrfikësve dyshohet se është bërë një furnellë elektrike me të cilën nëna e fëmijës ka qenë duke gatuar.
Vajza dy vjeçare, po flinte në kasolle në momentet kur ka shpërthyer zjarri, që fillimisht është provokuar nga furnella e më pas është përhapur edhe nga një bombul gazi, që shërbente për gatim. Trupi i pajetë i vajzës së mitur u nxor nga zjarrfikësit dhe policia. Për fat të mirë, djali më i madh i familjes, një 4-vjeçar, arriti të shpëtonte.
Burimet thanë se, ka dyshime se flakët mund të jenë shkaktuar nga rezistenca që ishte lënë ndezur. “Ngjarja është tepër e rëndë. Këtu është shkrumbuar çdo gjë. Familja kishte tre vjet që jetonte me qira. Ajo përbëhej nga 4 anëtarë dhe kryefamiljari nxirrte të ardhurat duke mbledhur kanaçe”, tha një burim.
Banorë të zonës thanë se, prindërit kishin dalë për të mbledhur mbetje të riciklueshme, nga shitja e të cilave siguronin të ardhurat e familjes. “Zjarri ka rënë rreth orës 8:30, po ajo familje është vetë i katërt. Prindërit ishin duke mbledhur kanaçe në rrugë. Ata kanë ndenjur në atë barakë dhe dërrasat që i ka mbledhur aty i ka mbledhur për të ngrohur fëmijët për dimër”. Këtë barakë ata e kishin marrë me qira prej disa muajsh.
Nëna e foshnjës 2 vjeçe e cila humbi jetën, pasi baraka ku ajo jetonte u dogj ka rrëfyer momentet e tmerrit. E ëma e dy fëmijëve kishte vendosur ujë për të ngrohur në bombul që të lante fëmijët, por më pas dëgjuan shpërthimin.
Mos lotëve nëna e vajzës së mitur akuzon zjarrfikëset që sipas saj kanë ardhur dy orë me vonesë, ndërsa thotë se askush nuk i ndihmoi. “Kishte vënë bombulën për të ngrohur ujin për të larë kalamajtë dhe erdhi te mua për të pirë kafe, plasi bombula. Në atë moment lajmëruam policinë, asnjë nuk ka ardhur. Dy orë në flakë. Po të kishte mundësi të kishte ardhur zjarrfikësja mua do më kishte shpëtuar fëmija. Kemi pritur dy orë zjarrfikësen. U mundova vetë, por nuk kisha si ta shpëtoja. Pas dy orësh erdhën kur m’u dogj goca. Çi doja pas dy orësh unë, kur më iku fëmija”, u shpreh nëna e 2-vjeçares.