Pioli beson te Interi

Ashtu si Roberto Mançini dy sezone më parë edhe Stefano Pioli e nis me derbin ndaj Milanit aventurën e tij në krye të stolit të Interit. Një start i ndërlikuar për ish-trajnerin e Lazios, të cilit i është besuar detyra e vështirë për të rikthyer skuadrën zikaltër në rrugën e duhur pas një fillimi aspak pozitiv të sezonit. Megjithatë Pioli është gati dhe nuk ka frikë, madje 51-vjeçari beson se të dielën në mbrëmje në “San Siro”, do të jetë skuadra e tij që do të triumfojë në derbin e Milanos. Pioli e nisi me një grup të cunguar futbollistësh punën e tij te Interi për shkak të ndeshjeve të kombëtareve, megjithatë prej pak ditësh ai ka në dispozicion edhe elementë të tillë si Candreva, Eder, Brozovic, Perisic, Jovetic e Joao Mario.
Në pritje të amerikanojugorëve, trajneri italian mesa duket e ka përcaktuar formacionin me të cilin do të zbresë në fushë Interi ndaj kuqezinjve të Vincenzo Montellas. Por për trajnerin e ri të Interit pak rëndësi ka se kush do të luajë, e rëndësishme është që ata futbollistë që do të zbresin në fushë të shfaqin më të mirën e tyre dhe të ndihmojnë skuadrën për të marrë fitoren. Me një lider si Icardi në fushë, i cili do të kërkojë të zhbllokohet sepse nuk i ka shënuar asnjëherë Milanit, Pioli ka besim se Interi i tij do të marrë tre pikët në derbi.
Në profilin e tij në Twitter klubi zikaltër ka përcjellë deklaratat e para të trajnerit Stefano Pioli për derbin ndaj Milanit në pritje të konferencës për shtyp, të cilën 51-vjeçari do ta zhvillojë këtë të premte dhe jo të shtunën siç duhet të ishte në program. “Janë emocione të forta, të cilat duhet të na lejojnë të shkojmë në këtë ndeshje në mënyrën më të mirë të mundshme, me shumë përqendrim dhe vendosmëri. Sepse duam që derbi të jetë i yni”. Me këto fjalë Stefano Pioli ndez derbin e Madoninës me shpresën se të dielën, Interi i tij do të zhvillojë një ndeshje të madhe dhe do të marrë një fitore që mbi të gjitha do të rikthente qetësinë në shtëpinë zikaltër.
Edhe ish-presidenti zikaltër, Massimo Moratti beson se derbin do ta fitojë Interi, por gjithsesi parashikon një derbi të ekuilibruar. “Sigurisht mendja më shkon tek Icardi, por Interi ka futbollistë të tjerë që mund t’i japin fitoren. Derbi i Milanos është gjithmonë një sfidë shumë tërheqëse dhe sigurisht e veçantë. Ne nuk shkojmë si të favorizuar, por zakonisht kur situata është e tillë fiton Interi”, u shpreh Moratti.
Tek zikaltrit Moratti veçon Icardin, ndërsa te Milani vlerëson punën e trajnerit të Milanit, por edhe talentin e Donarummas. “Montella po tregon se është një trajner shumë i mirë, me të në krye po bëjnë mirë. Te Milani mund të veçoj Donarummën, ai është pika më e fortë e tyre”, tha ish-presidenti i Interit. Moratti beson se me Piolin Interi mund të arrijë objektivin Champions, edhe pse nuk do të jetë e lehtë. Gjithsesi skuadra dhe trajneri duhet të mos dorëzohen pavarësisht vështirësive.