Nuk garantoj qëndrimin e Donarumas

Milani është gati të bëjë çmenduri për të siguruar firmën e tij sapo të mbushë 18 vjeç, por Xhixhio Donaruma mund t’i japë lamtumirën kuqezinjve në fund të këtij sezoni. Çdo zë merkatoje rreth futbollistit thuajse është konfirmuar nga menaxheri i tij, Mino Raiola, i cili ka refuzuar të garantojë se ai do të vazhdojë të jetë pjesë e kuqezinjve edhe në sezonin e ardhshëm.
“Nuk përjashtoj asgjë rreth të ardhmes së tij, as faktin që mund të shkojë diku tjetër. Për portën ai është si Maradona dhe Pele së bashku, ndërsa për të ka merkato universale”, deklaroi menaxheri për “Corriere Della Sera”.
Fjalë që kanë krijuar panik te tifozët, të cilët janë të ndërgjegjshëm se menaxherit nuk i intereson të kthejë futbollistët në “flamuj” por t’i dërgojë aty ku fitohet më shumë. Në këtë aspekt, plani i Milanit për t’i caktuar Donarumës një rrogë prej 4,5 milionë eurosh në vit mund të mos mjaftojë. Klubet angleze janë të gatshme ta paguajnë më shumë, ndërsa nuk mund të harrohet interesimi i Juventusit që ka një marrëdhënie shumë të mirë me Raiolën dhe ka kaluar 27 milionë euro në llogarinë e tij pas transferimit të Pogba.