Austria: Zgjedhjet, kusht për hapjen e Negociatave

Sekretari i Përgjithshëm i Punëve të Jashtme të Austrisë, Michael Linhart, ka përmendur zgjedhjet e vitit 2017 si standard për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Ai pranoi gjithashtu se, Greqia dhe Holanda janë kundër hapjes së negociatave në dhjetor. Megjithatë, ai vlerësoi se vendi ka bërë progres. I pyetur nga gazetarët në një konferencë për shtyp me ministren e Integrimit, Klajda Gjosha, ai dha këto përgjigje.
-Zoti Linhart, ju e vlerësuat Shqipërinë një partner, por çfarë qëndrimi do të mbajë Austria në dhjetor? Znj. Gjosha, a ka ndonjë vend që është shprehur kundër hapjes së negociatave?
Siç e përmenda, ne jemi në favor të hapjes së negociatave. Megjithatë do të priten konkluzionet e Këshillit dhe ne do të përpiqemi të bindim partnerët tanë të mbajnë një qëndrim pozitiv për këtë.
Për vendet skeptike unë do të rikujtoja se ky është një proces. Shqipëria e ka marrë një rekomandim pozitiv me një kusht që ne ia kemi vendosur vetë vetes, vazhdimësinë e zbatimit të Reformës në Drejtësi me rezultate të prekshme dhe zbatimin e ligjit të Vettingut.
-Zoti Linhart! Unë po unë do përmendja dy vende skeptike për negociatat,  Holandën dhe Greqinë, a do të ndërhyni ju në këtë proces?
Nëse një vend ka bërë progres, ne e vlerësojmë atë dhe Shqipëria ka bërë; ne e vlerësojmë atë ecuri dhe ndaj i ndihmojmë këto vende, por duhet të na ndihmojnë edhe ato.
-Zoti Linhart! Ku konsistojnë rezervat më të mëdha ndaj Shqipërisë deri tani?
Në fakt, rekomandimet janë të qarta, ndryshime në opinione ka dhe do të ketë. Por gjithçka mbetet në duart e Shqipërisë. Ky vit na çon edhe drejt zgjedhjeve. Nëse zgjedhjet do të përmbushin standardet e duhura nuk mendoj se do ta pengojnë këtë rrugë të Shqipërisë”.