Vritet me armë një 32-vjeçar në Gjirokastër

Një i ri është gjetur i vrarë me armë zjarri në Gjirokastër. Burimet nga policia bënë të ditur se 32-vjeçari Festim Kanushi është dërguar me plagë arme në spital dhe aty ka ndërruar jetë. Policia bëri të ditur se ka dyshime se ai mund të jetë vetëvrarë, por burimet nga spitali bëjnë të ditur se kemi të bëjmë me vrasje. Kanushi është dërguar i plagosur në Spitalin e Gjirokastrës e më pas ndërroi jetë. Ai nuk është një emër i panjohur për policinë.
Burime nga policia bëjnë me dije se 32-vjeçari nga Zhapokika është arrestuar si fillim në vitin 2011 nën akuzën për vjedhje të një lokali në Sarandë, ndërsa në maj të 2012-ës bashkë me vëllain e tij u prangosën, pasi u akuzuan për prishjen e disa bunkerëve në sitin arkeologjik në Finiq.
Ndërkohë, në vitin 2013 Kanushi është akuzuar pastaj për “Plagosje të lehtë me dashje” dhe “Shkatërrim prone”, ndërsa për këto vepra, ai është dënuar me 3 muaj burg. Sakaq, për rastin e vjedhjes në 2011, atij iu konvertua akuza në vetëgjyqësi dhe u dënua me 40 mijë lekë gjobë. Ndërkohë, në fshatin Zhapokikë ai merrej me bagëti bashkë me vëllain e vet.
Burime pranë Policisë së Gjirokastrës pohuan se paraprakisht dyshohet se i riu i ka dhënë fund jetës brenda banesës së tij, ndërsa nuk dihen ende shkaqet. Policia ka nisur hetimet sa i takon kësaj ngjarjeje.
Ndërkohë, një 42-vjeçar nga fshati Kuç i Himarës është dhunuar me sende të forta nga persona të paidentifikuar. Agim L. u ndalua në rrugë nga autorët, të cilët filluan ta godisnin me mjete të forta, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. 42-vjeçari u dërgua në spital dhe pas mjekimit ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Shkaqet e kësaj ngjarje nuk dihen, ndërsa rasti është marrë në shqyrtim nga policia. Uniformat blu kanë nisur hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët dhe për të zbardhur shkaqet e plagosjes.