Tatimet, presion dhe gjoba ndaj bizneseve për kasat

Inspektorët e tatimeve kanë rifilluar kontrollet për përdorimin e kasës fiskale nga bizneset. Por, ndryshe nga sa ishte premtuar, se fushata në fokus do të kishte këshillimin, përfaqësues të bizneseve ankohen se ata po hasen sërish me veprime arbitrare.
Në një prej dokumenteve që bizneset kanë sjellë në redaksinë e “Monitor”, inspektori ka vendosur një gjobë jo për mospërdorim të kasës dhe moslëshim të kuponin, por sepse në kuponin e lëshuar ishte shkruar vetëm emërtimi cigare, pa specifikuar elementet në kuponin e pajisjes fiskale. Për këtë arsye, subjekti është gjobitur me 30 mijë lekë, ndonëse ai ka lëshuar faturë.
Për ekonomistin e firmës kjo gjobë është abuzive, pasi ata përdorin një pajisje fiskale të marrë nga kompanitë që janë të licencuara nga vetë Ministria e Financave dhe nuk është faji i tyre që kasa, e cila raporton në kohë reale tek tatimet, nuk arrin të specifikojë të gjitha detajet e produkteve.
“Kam tre të punësuar dhe përpiqem që të jem në rregull me shtetin dhe i kam udhëzuar shitësit që gjithmonë të lëshojnë faturë”, thotë sipërmarrësi i firmës që ka mbetur i habitur nga detajet, që ka gjetur inspektori për të vënë gjobën. Teksa me zor arrin të nxjerrë shpenzimet në biznesin e tij, kjo gjobë i duket e rëndë për t’u përballuar, për më tepër që kuponi tatimor është lëshuar rregullisht.
Një vit më parë kur qeveria nisi një fushatë antiinformalitet në të gjitha subjektet e bizneset duke aplikuar gjoba dhe masa penale deri në burg klima e biznesit u përkeqësua ndjeshëm. Më pas, teksa dhe Gjykata Kushtetuese rrëzoi supergjobat, tatimet duket se u tërhoqën.
Pak javë më parë tatimet njoftuan nisjen e fushatës këshilluese ndaj bizneseve. “Administrata tatimore, në vijim të klimës së bashkëpunimit me tatimpaguesit, si dhe me qëllim zbatimin e ligjit nga këta të fundit, dëshiron të theksojë, që do të vijojë një proces të qëndrueshëm të komunikimit me ta, thuhej në një njoftim të posaçëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Në njoftim thuhet se ky proces i nisur kohë më parë, do të vijojë në mënyrë të përditshme, me prezencën e administratës dhe inspektorëve tatimorë pranë çdo subjekti tregtar, me qëllim, dhënien e udhëzimeve të vazhdueshme në lidhje me përdorimin e kasës për çdo veprim të kryer nga subjektet dhe për procesin e mbylljes së pajisjes fiskale në përfundim të orarit të aktivitetit.
Përmirësimi i performancës në raport me ligjin për detyrimet e tatimpaguesve është një detyrim i administratës tatimore.