Si njoftoi Policia trafikantët që të fshehin 1.8 ton drogë

Me urdhër të Prokurorisë, Policia e Gjirokastrës zhvilloi një operacion antikanabis dje në Memaliaj, ku sekuestroi rreth 1.8 ton kanabis, si dhe arrestoi 4 persona, ndërsa shpalli në kërkim tre të tjerë. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, ky operacion ishte urdhëruar të martën nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Burimet thonë se, ka oficerë policie të implikuar në këtë rast dhe për këtë qëllim janë njoftuar trafikantët që të fshehin drogën që të mos sekuestrohej gjatë operacionit të urdhëruar nga Prokuroria.
Në vijim të hetimeve Prokuroria e Krimeve të Rënda ka komunikuar të martën në mbrëmje me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, duke i kërkuar ndërhyrje për sekuestrimin e drogës dhe arrestimin e personave të implikuar.
Po kështu është vënë në dijeni për operacionin edhe Drejtoria e Policisë Gjirokastër, por burimet nga Krimet e Rënda, bëjnë të ditur se trafikantët janë njoftuar për të lëvizur mallin, pasi do të ketë operacion policor. Dhe kështu ndodhi, trafikantët e kanë transportuar kanabisin në një bazë tjetër, për të cilën sërish Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte dijeni të plotë. Gjatë operacionit të djeshëm, organi i akuzës e orientoi policinë në vendndodhjen e re, pikërisht aty ku ishte vendosur lënda narkotike.
Ky është një tjetër rast që tregon implikimin e strukturave policore në mbrojtje të trafikantëve të drogës. Sikundër është raportuar kohë më parë, Shërbimi Informativ Shtetëror i kë dërguar Prokurorisë së Krimeve të Rënda një hartë me zonat konkrete dhe emrat e personave të implikuar në kultivimin dhe trafikun e drogës. Mbi bazën e këtij dokumenti punon organi i akuzës, që shpesh herë është përplasur me Policinë e Shtetit për çështjen e kanabisit.
Dy javë më parë u organizua një tjetër operacion nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për bllokimin e një magazine me 7 ton drogë në Rrëshen. Fabrika e drogës që funksiononte 24 orë ndodhej në mes të qytetit të Rrëshenit dhe në të ishin të punësuar rreth 200 punëtorë. Për një gjë të tillë fliste i gjithë qyteti, por policia nuk ndërhynte për shkak se droga ishte grumbulluar aty nga njerëzit e kryetarit të Bashkisë, në bashkëpunim me kreun e policisë. Policia e Rrëshenit nuk ka pranuar të marrë pjesë në operacion dhe ka patur përplasje mes Policisë së Rrëshenit dhe të Lezhës deri në sharje të ndërsjella.
Pronarë të drogës ishin drejtuesit e policisë dhe kreu i Bashkisë dhe për këtë arsye policia nuk ndërhynte për të sekuestruar drogën ndonëse laboratori i përpunimit ndodhej pak metra larg Komisariatit të Policisë dhe Bashkisë. Ndërkohë, pronari i magazinës me 7 tonë drogë në Rrëshen u zbulua se ishte Kastriot Preng Reçi, nipi i Zef Brozit, ish-kryetar i Gjykatës së Lartë. Droga mbrohej nga policia, pasi banda drejtohet nga kryetari i Bashkisë.
Prokuroria dhe SHISH i kanë intensifikuar aksionet në terren, pasi policia është e përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit. Policia jo vetëm që nuk ka ndërhyrë për të goditur magazinat ku përpunohet kanabisi, por janë vënë në mbrojtje të tyre. Rasti i sekuestrimit të 12 tonë droge në Vlorë, ku policia e kishte deklaruar sipërfaqen “të pastër” është më flagranti. Policia, sipas një burimi ka hezituar të ndërhyjë edhe pas kërkesës së prokurorëve të krimeve të rënda, pasi “zona kontrollohej nga njerëz të lidhur me shefat lart”. Për këtë arsye thirrën FNSH-në e Tiranës dhe Fierit.
I gjithë angazhimi i Prokurorisë në terren ka të bëjë me mosveprimin e policisë. Prokuroria dhe SHISH duket se po prekin pikërisht parcelat e “të paprekshmëve”, në zonat ku policia nuk ndërhyn “me dashje”, ku kultivuesit dyshohet se kanë lidhje me shefat në polici dhe qeveri.
Me konstatimet dhe hetimet në terren, prokurorët jo vetëm po zbulojnë dhjetëra ton drogë, por po ngushtojnë lakun edhe ndaj drejtuesve të policisë që dyshohet se kanë lejuar kultivimin e kanabisit dhe nuk kanë ndërhyrë për të asgjësuar zonat e evidentuara nga raporti i SHISH, për shkak të lidhjeve me narkotrafikantët.

R.POLISI