Gjermania e alarmuar për ndërhyrjen e Rusisë

Shefi i inteligjencës gjermane, BfV, Hans-Georg Maassen, dje ka shprehur shqetësim se Rusia mund të përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet e përgjithshme të Gjermanisë, në vitin e ardhshëm.
Në këtë kuadër, në intervistën për agjencinë “Reuters”, zoti Maassen e ka përmendur rastin e vitit të kaluar, të një femre ruse nga Berlini, për të cilën mediat ruse thoshin se ishte rrëmbyer dhe dhunuar nga migrantët. Por, ky pretendim më vonë ishte hedhur poshtë nga qeveria gjermane.
“Kjo mund të ndodhë përsëri vitin e ardhshëm dhe ne jemi të alarmuar”, tha Maassen.
Më tutje, ai ka theksuar se, “kemi ndjenjën se kjo është pjesë e kërcënimit hibrid, që synon ndikim në opinionin publik dhe në proceset e politikëbërjes”.
Javën e kaluar Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, tha se ka shenja të sulmeve në Internet dhe fushata të dezinformimit nga Rusia.
Zyrtarët amerikanë të inteligjencës kanë tërhequr vërejtjen para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara këtë muaj, për fushatën e shkatërrimit të besueshmërisë së votimeve, që ata besojnë se ishte mbështetur nga Moska.