Galiani: S’kam vendosur për të ardhmen

Adriano Galiani po kalon orët e tij të fundit tek Milani. Prej afro 30 vitesh ai është administrator i deleguar i kuqezinjve, bashkë me presidentin Silvio Berluskoni, skuadra ka kaluar një periudhë të artë. Duke fituar Champions League dhe kampionate, por tashmë Adriano Galiani është duke kaluar orët e tij të fundit te “Djalli”, sepse shumë shpejt Milani do të ndryshojë pronarë. Në një intervistë, administratori është shprehur se është shumë e vështirë për të, t’i japë lamtumirën ekipit që ka administruar për shumë vite. Gjithashtu ai foli dhe për deklaratën e bërë nga ana e drejtorit të Përgjithshëm të Juventusit, Beppe Marotta, i cili u shpreh se Galiani do të ishte figura e duhur për të marrë në drejtim, Federatën italiane të Futbollit.
“E falënderoj Marottën për vlerësimin. Është një nder i madh për mua, sidoqoftë është ende herët për të vendosur se ç’do të bëj në të ardhmen. Nuk është e lehtë për mua të filloj të bëj një jetë tjetër, pasi kam 30 vite që jam pjesë e Milanit. Si fillim do të duhet të mbyllim marrëveshjen me pronarët e rinj të Milanit, më pas të shohim”, u shpreh Galiani.
Sigurisht që jashtë vëmendjes së tij nuk mbeti derbi i Madoninës, Milan-Inter, që do të luhet këtë fundjavë. Gjithashtu ai dha dhe opinionin e tij për dy trajnerët, Stefano Pioli dhe Vicenzo Montella.
“Derbi mbetet derbi. Do të kemi sërish një ‘San Siro’ të mbushur plot e përplot. Nuk mund të jap dot një parashikim se si do të përfundojë takimi, por jam i sigurt që do të jetë një 90 minutësh spektakolar. Përsa i përket trajnerëve, mund të them që Montella është duke bërë një punë të shkëlqyer për Milanin. Ishim të bindur për aftësitë e tij, në kundërt nuk do ta kishim zgjedhur. Gjithashtu dhe Pioli është një trajner i zoti”, u shpreh Galiani. Ndeshja mes Milanit dhe Interit do të luhet të dielën në orën 20:45 në “San Siro”.
Adriano Galiani pas 30 vitesh nuk do të vijojë më të jetë pjesë e Milanit. Njeriu i besuar i Silvio Berluskonit, në lidhje me merkaton e kuqezinjve, ka lajmëruar se do të largohet nga klubi pas pak javësh. Në vitet e fundit ka pasur shumë kritika ndaj tij, por janë arritur edhe suksese të mëdha kryesisht falë goditjeve të mëdha të bëra prej tij në merkato. Kontributin që ka dhënë në botën e futbollit e ka vlerësuar edhe një figurë e madhe si presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, i cili tha: “Nëse Galiani do të ketë kohë dhe dëshirë, FIFA i ka të hapura dyert për të, pasi ai mund të na japë një kontribut të rëndësishëm falë eksperiencës që mbart”.