Fitorja e Trumpit nuk duhet të shqetësojë NATO-n dhe BE-në

Fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara e ka befasuar shumë botën dhe ka ngjallur shqetësime të shumta. Disa prej tyre mund të rezultojnë të vërteta, në varësi të performancës që do të shfaqë Trumpi, por kjo është e vërtetë për çdo president. Shqetësimet pjesërisht burojnë nga mënyra se si amerikanët zhvillojnë zgjedhjet e tyre – oqeani i pafund i parave të shpenzuara, roli i rëndësishëm i medias dhe taktikat e saj efektive për të ushqyer negativitet për njërën palë apo tjetrën.
Megjithatë, pavarësisht zemërimit, akuzave dhe frikësimit reciprok, kur u deklarua rezultati final, si Trump ashtu edhe Hillary Clinton i treguan edhe një herë tjetër botës se transferimi paqësor i pushtetit në Amerikë është i shenjtë. Miq dhe aleatë të amerikanëve nëpër botë, qetësohuni!
Për më shumë se 47 për qind të amerikanëve nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Kandidati i tyre i preferuar fitoi me një marzh fitoreje që tregoi se Trumpi e ka pasur prej kohësh në dorë fushatën e Clintonit. Të ashtuquajturit ekspertë e nënvlerësuan dhe injoruan rritjen e pakënaqësisë të shkaktuar nga shtrydhja e shtresës së mesme të shoqërisë dhe paaftësinë e institucioneve politike dhe liderëve që të adresojnë shqetësimet e tyre. Bernie Sanders dhe Donald Trump ishin të vetmit që e kuptuan këtë fenomen dhe ky është rezultati kryesor që duhet nxjerrë nga ky sezon fushate.
Por çfarë do të thotë fitorja e Trumpit për miqtë evropianë dhe aleatët? Pikëpyetjet për vazhdimësinë e tregtisë mund të hidhen në kosh që pa u ngritur. Megjithatë, sado vlerë mund të ketë për vendet në të dy krahët e Atlantikut, Partneriteti Transatlantik i Tregtisë dhe Investimeve (TTIP) nuk pritet të shohë një zhvillim të madh së shpejti.
Edhe nëse Trump arrin ta shikojë vlerën e kësaj marrëveshjeje me syrin e tij prej biznesmeni, ai është vetëshpallur kampion i shtresës së mesme të Shteteve të Bashkuara dhe do të jetë një negociator i vështirë për t’u bindur, kështu  marrëveshja TTIP nuk pritet të jetë prioritet në axhendën e tij. Ky vend në fakt i rezervohet ekskluzivisht, siç është theksuar gjatë fushatës, zgjidhjes fillimisht të problemeve të brendshme ekonomike të Amerikës, më specifikisht problemeve të infrastrukturës dhe vendeve të punës për shtresën e mesme, së bashku me “projektin për rritjen dhe ripërtëritjen kombëtare”.
Megjithatë, kjo listë e prioriteteve të Trumpit nuk do të jetë diçka e keqe për Evropën. Nëse Amerika ngelet mbrapa ekonomikisht në krahasim me Kinën, së bashku me problemin e pabarazisë së brendshme që kërcënon prej kohësh paqen politike dhe sociale, ajo nuk do të ishte një partnere e dobishme për miqtë e saj në anën tjetër të Atlantikut.
Po në lidhje me NATO-n? Një prej shqetësimeve kryesore të evropianëve është frika se Donald Trump do të braktisë aleancën ose do të reduktojë ndjeshëm rëndësinë e Shteteve të Bashkuara në të. Interesat e sigurisë kombëtare, të cilat kanë qenë historikisht përcaktuese kryesore të veprimeve amerikane në politikën e jashtme, tregojnë një tjetër histori.
Nuk është aspak naive të sugjerosh se një aleancë, e cila ka mbijetuar është zhvilluar dhe ta rezultuar e dobishme në të gjitha kohërat, nuk ka për t’u braktisur nga Donald Trump, sikurse nga çdo president tjetër amerikan. Kur të hyjë në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, Trump do të zbulojë se Shtetet e Bashkuara kanë interesa jetësore që ndërlidhen ngushtë me aleatët përtej oqeanit, se kërcënimet dhe sfidat janë po ato me të cilët është përballur administrata e mëparshme dhe se zotimi i tij për ta bërë Amerikën përsëri të jashtëzakonshme do të duhet të përfshijë edhe angazhimet ndërkombëtare dhe globale. Në fund të fundit, është më mirë të dalësh përballë botës me aleatë se sa vetëm.
Më tej, Trump kërkon më shumë shpenzime për ushtrinë e Shteteve të Bashkuara dhe si një negociator i mprehtë që është, do të kuptojë se shpresat e tij për marrëdhënie më të mira me Rusinë kërkojnë mosshkrepje të armës, gatishmëri të lartë ushtarake dhe aleancë të fortë perëndimore. Trump thotë se do të bëjë çdo gjë të mundur për të mposhtur terrorizmin, veçanërisht Shtetin Islamik, edhe pse ndryshe nga Clintoni ai nuk do ta përdorë ushtrinë amerikane kundër Presidentit Bashar al-Assad. Njëlloj si aleatët e tij evropianë, Donald Trump kërkon që të mos ketë luftëra të reja në rajon, përfshirë edhe Iranin. Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara nuk do të pranojnë refugjatë nga Lindja e Mesme, një kundërshtim për të ndihmuar Evropën, i cili ndahet edhe nga Obama dhe Clinton.
Është e vërtetë që Trumpi ka thënë se kërkon që aleatët evropianë të Amerikës “të paguajnë vetë faturat e tyre”, gjë që do të thotë se duhet të zbatohet nga të gjithë qëllimi i NATO-s për të shpenzuar 2% të GDP-së për mbrojtjen (aktualisht vetëm 28 prej aleatëve e paguajnë). Edhe kjo është e ngjashme me politikën e administratës Obama, por mos i keqkuptoni fjalët e Donald Trumpit, siç ka bërë edhe fushata e Hillary Clinton. Fjalët e tij në fakt nuk japin asnjë provë se do të braktiste vendet balltike në rast do të ndodheshin përballë agresionit rus. Mbi të gjitha, ajo që Trump i kërkon evropianëve, që të varen më shumë tek vetë forcat e tyre ushtarake, është gjithashtu një objektiv i vetë Bashkimit Evropian.
Por a do të ngrihej Trumpi kundër agresioneve ruse dhe të Presidentit Vladimir Putin? Ky i fundit e mirëpriti rezultatin e zgjedhjeve amerikane. Gjatë fjalimit të tij të fitores, Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara tha: “Unë dua t’i them komunitetit botëror se, ndërsa do t’i vendosim gjithmonë interesat e Amerikës në vend të parë, do të trajtojmë siç duhet të gjithë. Të gjithë popujt dhe të gjithë shtetet. Do të kërkojmë një rrugë të përbashkët, jo armiqësi; partneritet, jo konflikt. Do të shkojmë mirë me të gjithë shtetet e tjera që duan të shkonë mirë me ne”.
Ajo që Trump tha natën e zgjedhjeve është më e mirë si një miratim i thjeshtë i ftohjes së dukshme të Moskës dhe Washingtonit që mund të çojë drejt një përballjeje, që këshilltarët kryesorë të Clintonit e kishin përshkruar si të paevitueshme. Ndoshta qëndrimi i Trumpit do të jetë më favorizues në Moskë, duke ofruar mjetet që, nëse Putini do të pranojë pjesën e tij, mund të na kthejë sërish në rrugën drejt qëllimit të Presidentit George W. Bush për një “Evropë të bashkuar, të lirë dhe në paqe”. Ndoshta mund të mos funksionojë, por ia vlen të bësh një tentativë. Aleatët evropianë vetëm duhet të presin të qetë për të parë se çfarë ka për të ofruar Presidenti i ri amerikan.