Ballina Aktualitet Denoncoi drejtorin se i kërkoi 200 euro për ta kaluar ai e...

Denoncoi drejtorin se i kërkoi 200 euro për ta kaluar ai e largon nga shkolla

Banorët e fshatit Çermë e Sipërme të Bashkisë Divjakë protestuan dje para shkollës. Sipas kryetarit të PD Lushnjë, Myslim Murrizi, protesta është organizuar pasi drejtori i shkollës, Agim Maçi, ka larguar një nxënës të klasës së shtatë nga kjo shkollë dhe e ka dërguar në një tjetër pse ai e kishte denoncuar se i kërkoi 200 euro për të kaluar klasën.
“Rrugaçëria dhe harbutlliku që karakterizon të gjithë qeverisjen dhe qeverinë nuk ka si të mos japë efekt dhe tek drejtori i kësaj shkolle Agim Maçi. Prindërit e fëmijëve reaguan, duke denoncuar arrogancën e këtij drejtori dhe sjelljen aspak të denjë të tij ndaj nxënëseve dhe ndaj prindërve të tyre.
Një prind, Mustafa Dupi e akuzoi drejtorin se, i ka kërkuar 200 euro për t’i kaluar djalin. Pas këtij skandali, Mustafai e ka hequr djalin nga shkolla dhe e ka regjistruar në shkollën e Çermë Shkumbin, edhe pse është në klasën e 7-të”, shkruan Murrizi në një postim në Facebook.
Kreu i PD të Lushnjës i bën thirrje Zyrës Arsimore Lushnjë dhe Ministrisë së Arsimit të mbajnë qëndrim. “Gjithashtu i bëj thirrje Prokurorisë të rilindjes Lushnjë të hetojë këtë akt të shëmtuar të një njeriu që paguhet nga taksat e qytetarëve për të edukuar fëmijët e jo për t’u sjellë si rrugaç”, përfundon kryetari i PD të Lushnjës.

Exit mobile version