Beqja: Në emër të partisë je i shkarkuar

“Jam Çlirim Hajdarmataj nga Tropoja”

Pse i jeni drejtuar emisionit “STOP”, cili është problemi juaj?
“Përgjatë tre viteve jam Kryetar i Degës së Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor të degës së Tropojës.
Papritur, pa asnjë lloj vërejtje, pa asnjë lloj këshille apo mase disiplinore, sot më komunikohet urdhëri i largimit nga puna, për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, më datë 7.11.2016.
Ky njoftim më ka ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Ky shkarkim i menjëhershëm ka ndodhur, për një mbledhje partie që unë nuk kam shkuar, e kam pasur të pamundur, kam pasur arsye personale dhe nuk kam qenë në mbledhjen e partisë të asamblesë të rrethit Tropojë”.

Të Partisë Socialiste?
“Po, të Partisë Socialiste. Kjo është arsyeja, e cila është shkelje flagrante dhe është një rast absurd, që të largohesh nga puna, se pse nuk erdhe në një mbledhje partie”.
Sipas një urdhëri të lëshuar më datë 4.11.2016 nga ana e Fondit të Sigurimeve të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, pra nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Kujdesit Shëndetësor urdhërohet shkarkimi i menjëhershëm nga puna i zotit Çlirim Hajdarmataj:

“Z. Çlirim Hajdarmataj, aktualisht me detyrë Kryetar i Degës Tropojë pranë Drejtorisë Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Kukës, t’i ndërpriten marrëdhëniet e punës dhe financiare me Fondin, duke filluar nga data 07.11.2016”.
Por historia nuk përfundon me kaq.
Cila është arsyeja e vërtetë e largimit të tij nga puna? Ai ka komunikuar me ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili është i deleguari i Partisë Socialiste në Tropojë, ku gjatë bisedës, ministri në fund shprehet se i uron gjithë të mirat në jetë, duke i lënë të kuptojë Çlirim Hajdarmatajn, që nuk do të jetë më pjesë e Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor të degës së Tropojës.

Drejtori– Alo!
Ministri – Alo!
Drejtori – Po. Përshëndetje!
Ministri –  …… ?
Drejtori – Po.
Ministri – Unë jam Ilir Beqaj.
Drejtori – Po. Po ministër!
Ministri – Pse s’erdhe sot në mbledhje në 10 e gjys?
Drejtori – Si?
Ministri – Nga ora 10 e gjys, pse nuk erdhe në mbledhje të Asamblesë të zgjeruar?
Drejtori – Nuk erdha në mbledhje të Asamblesë?
Ministri – Po.
Drejtori – Nuk mujta me ardh, pata probleme.
Ministri – Pse? Pse s’erdhe?
Drejtori – Pata arsye të miat, personale.
Ministri – Pse nuk më njoftove para mbledhjes, që nuk vij dot?
Drejtori – Si?
Ministri – Pse nuk më njoftove mua para mbledhjes, që nuk vij dot në mbledhje?
Drejtori – Po nuk kisha ndonjë pikë kontakti me juve z.ministër. Nuk më keni njoftue.
Ministri – Nuk e ndjeje, që duhet të vije sot në mbledhjen e Asamblesë?
Drejtori – Po nuk ë… Nuk kisha mundësi, që të tregoja ty. Mu më ka njoftue ish-kryetari, që ka qenë ……………. dhe ato i kam njoftu, që s’vij.
Ministri – Po pse më gënjen mu? Pse s’më njoftove që s’vij?
Drejtori – Po si të të njoftoj unë ty? Se s’kisha si të njoftoj. Për çar me të njoftue?
Ministri – Si jo? Jam i delegumi. Ti e di, që jam i delegumi i partisë.
Drejtori – E di. E di unë, që je i delegumi, po s’kisha si të njoftoj.
Ministri – Po pra!
Drejtori – Ti nuk më njoftove.
Ministri -……..
Drejtori – Ti z.ministër nuk më njoftove për mbledhje! Nuk e mendova, që mund të njoftoja ty.
Ministri – Mirë, dakord. Hajde! Të uroj suksese në jetë atëhere!
Drejtori – Z. ministër!
Ministri – Urdhëro!
Drejtori – Po, ne jemi bashkë për një qëllim, për Partinë Socialiste?
Ministri – Unë po të them, të uroj suksese në jetë!
Drejtori – Si në jetë o?  Ç’a është kjo? Se s’e kuptoj për ç’a po më thu kështu?
Ministri – Kuptoje si të dush!
Drejtori – Si kuptoje si të dush? O z.ministër…
Ministri – Si të dush. Si të dush.
Drejtori – Z. ministër, ne jemi njerëz të sakrificës, që ia kemi bo 8 vjet mundin të Partisë Socialiste në Tropojë.
Ministri – Je…
Drejtori – Në kushte të Sali Berishës z. ministër.
Ministri – Je njeri i përgjegjshëm, e kupton.
Drejtori – Unë jam shumë i përgjegjshëm dhe jam njeri shumë me parime. Jam njeri shumë i drejtë, por ia kemi bo mundin e djersën Partisë Socialiste. Dhe jo me ardh njerëz, njerëz, që na kanë sulmu me armë. Na kanë sulmu me armë në kohën e… kur kemi qenë ne në pushtet në 2000. Dhe janë dhe të filmume z. ministër.
Ministri – Po ta përsëris, të uroj suksese në jetë!
Drejtori – Z. Ministër, po nuk është…, nuk po më vjen mirë me ma thanë, se ne jemi bashkë për një qëllim.
Ministri – Kurse mu më vjen shumë më keq, që ti s’ke njoftu, që s’vjen dot në mbledhje.
Drejtori – Unë të kam njoftu. Të kam hy në zyrë edhe të kam than dhe ta kam çu dhe e-mailin. Dhe firmën e katërdhet (40) personave.
Ministri – Dhe unë të kam thon, më vjen shumë keq, që pse s’më njoftove, që s’vij dot në mbledhje.
Drejtori – Po unë të kam thanë mo, ta kemi çu e-mailin. Unë të kam taku, unë jam shumë serioz mo burrë. Unë të kam ardh, të kam taku në zyrë o z.ministër. Unë të kam sqarue z. ministër, të kam sqarue, të kam ardh në zyrë.
Ministri – Unë për fatin tënd të keq, për fatin tënd të keq…
Drejtori – Po, po. Alo!
Ministri – Unë për fatin tënd të keq kam dy marrëdhënie me ty: edhe i delegum edhe ministër. Apo jo? Për shumicën e njerëzve jam thjesht si i delegum, për ty jam dhe ministër.
Drejtori – Po je dhe ministër dhe unë të respektoj 100% dhe Partinë Socialiste nuk e devijoj asnjë minutë, Partinë Socialiste.
Ministri – Po të më respektoje mu…
Drejtori – As statusin. Unë të repektoj ty dhe të kam ardh të kam kërkue. T’u kam lut njëherë si njeri, t’u kam lut si anëtar partie.
Ministri – Edhe njëherë, mund të më thoje për arsye, që s’ti them dot, sot nuk vij dot. Kaq doja prej teje unë. Nuk vij dot.
Drejtori – Nuk e pava të arsyeshme, se do të kisha njoftu. Unë të kam ardh, të kam… në zyrë.
Ministri – A, pikërisht!
Drejtori – Unë ta kam çu e-mailin e arsyes që…
Ministri – Pikërisht pra, m.q.s. e thu vetë, që nuk e shef të arsyeshme, duket se gënjen. Hajde mirupafshim!

Çlirim Hajdarmataj u flak në rrugë për të vetmen arsye pse nuk ishte i pranishëm në një mbledhje partie, në qytetin e Tropojës.
Pas kësaj që ndodhi u detyrua të largohej në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi ai është kryefamiljar dhe e vetmja zgjidhje për të ishte të largohej nga ky vend.